Bizneset turistike 1.14 miliardë lekë borxhe, OSHEE: Ndërprerje nëse nuk e shlyejnë

 

Të paktën 70% e bizneseve sezonale që operojnë në zonat turistike të vendit nuk kanë shlyer faturat e energjisë elektrike, duke akumuluar një borxh prej rreth 2 miliardë lekësh ndaj shtetit. Këto biznese debitore janë evidentuar nga OSHEE gjatë kontrollit të përqendruar në bregdet, në muajt maj e qershor, pasi zotëruesit e tyre është e pamundur të kontaktohen pas përfundimit të sezonit turistik, në muajin shtator. Administratori i OSHEE-së, Adrian Çela paralajmëron se në rast të mosshlyerjes së faturave, këto biznese nuk do të furnizohen më me energji elektrike.
“70% e këtyre bizneseve janë debitorë. Për këto biznese nuk ka skema klasike, 12 muaj apo 24 muaj. Për këto biznese që janë biznese sezonale, që ushtrojnë aktivitetin e tyre deri në muajin gusht, apo shtator, brenda fundit të qershorit, fillimit të korrikut, duhet të shlyejnë debinë. Në rast të kundërt nuk do të kenë asnjë shans të furnizohen me energji nga Operatori i Shpërndarjes”, – tha Adrian Çela, administrator i OSHEE-së.

OSHEE ka përqendruar kontrollin në zonat turistike, pasi sipas operatorit, zotëruesit e këtyre aktiviteteve është e pamundur të kontaktohen me mbylljen e sezonit në muajin shtator.

Zoti Çela bën publike ndërkohë shifrat e reja të arkëtimeve, të cilat në muajin maj janë rritur me 35%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe nivelin e humbjeve në rrjet.
“Në rast se ne kishim parashikuar të ardhurat për muajin maj, diku në shifrën 4.53 miliardë lekë të reja, në fund të muajit maj regjistruam shifrën 4.98 miliardë lekë të reja; po ta krahasojmë me 2014, ku ishin 3.7 miliardë lekë të reja të ardhura. Humbjet në muaji maj regjistruan shifrën e 31.25%, ndërsa në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar regjistruam 36.8%”, – bëri të ditur Çela.

Në mesin e muajit maj u rilançua skema lehtësuese për konsumatorët familjarë, prej së cilës, sipas OSHEE, kanë përfituar falje në masën 80% të kamatëvonesave rreth 10 mijë abonentë, ndërsa numri i debitorëve aktualisht është 170 mijë konsumatorë familjarë gjithsej.

SHKARKO APP