Biznesi, Jaka: Kërkojmë konsultim më të gjerë me qeverinë për programin
Biznesi ankohet se qeveria e re nuk është konsultuar për programin. Nikolin Jaka, kreu i Dhomës së Tregtisë shprehet se është viti i parë që nuk kanë pasur asnjë konsultë me institucionet. Ndërkohë përsa i përket aksionit antiinformalitet apelon për një metodologji të qartë në mënyrë që të mos ketë penalizime.
Biznesi kërkon konsultime për nismat e qeverisë “Rama II”. Kreu i Dhomës së Tregtisë, Nikolin Jaka, thotë se është viti i parë që instancat qeveritare nuk kanë marrë mendim konkret nga bizneset në mënyrë që të krijohen rregulla të qarta për të qenë konkurent me rajonin.
Jaka: Do të doja të theksoja që është viti i parë elektoral që ne nuk kishim asnjë tryezë me asnjë formacion politik.Ne kërkojmë kushte dhe rregulla të qarta loje, rajonale dhe vendore. Pra kur themi rajonale bëhet fjalë për rajonin dhe Ballkanin veriperëndimor pasi ne pretendojmë të integrohemi dhe sipërmarrjet tona nuk mund të integrohen nëse nuk janë në kushtet të barabarta dhe nëse nuk shikohet dhe konkurenca në mënyrën e duhur.
Përsa i përket aksionit antiinformalitet, Jaka kërkon një metodologji të qartë që të shmangen penalizimet.
Jaka: Nëse kemi një qeveri që merr masat për luftën kundër informalitetit, në rradhë të parë duhet të ketë një konsultë dhe një dialog të hapur me pjesën e ndershme të sipërmarrjes dhe në rradhë të dytë duhet të ketë dhe një strategji të qartë dhe për hapat që duhet të ndiqen. Unë jam i bindur dhe i sigurt që nuk mundet që të kemi një formalizim të ekonomisë në mënyrë të menjëhershme apo me një të rënë të lapsit. Është e pamundur sepse janë shumë sektorë të ekonomisë të cilët lundrojnë në informalitet në shifra të jashtëzakonshme.
Kreu i Dhomës së Tregtisë vlerëson shkrirjen e Drejtorisë së Tatimeve dhe Doganave si një mundësi për më pak burokraci.
/Oranews