Biznesi në Alpet Shqiptare – Klosi: Javën e ardhshme miratohet masterplani për zhvillimin e zonës

Alpet shqiptare tashmë janë pjesë e një masterplani  i cili do të miratohet së shpejti dhe që synon zhvillimin e qëndrueshëm dhe të integruar të këtij rajoni. Kështu është shprehur ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi gjatë zhvillimit të një konkursi për idetë më të mira të biznesit në këtë rajon.

Klosi u shpreh se qëllimi kryesor është që Alpet shqiptare të hyjnë në një cikël të ri të zhvillimit të turizmit duke pasur një qasje më të ekuilibruar sa i takon zhvillimit dhe shfrytëzimit të asaj çfarë natyra i ka dhuruar këtij rajoni.

“Në Këshillin Kombëtar të Territorit, javën e ardhshme në Shkodër do të diskutojmë dhe miratojmë masterplanin e zhvillimit të zonës së Alpeve duke u bazuar qind për qind në idenë që Alpet do të duhet të zhvillohen në legjendën dhe bukurinë e tyre të madhe natyrore, në paprekshmërinë e vlerave dhe bukurive të mahnitshme që kanë. Do të duhet të zhvillohet në idetë tuaja familjare për të pasur mundësi që të jetë një biznes për ju, por të jetë dhe një mënyrë mirëmbajtjeje për të gjitha zonat që do të mbështeten në bizneset tuaja. Ne tashmë jemi në fazën e përgatitjes së kësaj strategjie dhe masterplani të zhvillimit të Alpeve, ku siç e kanë dëshmuar edhe vitet e fundit, të dyja zonat që kanë marrë një vëmendje më të madhe, edhe Thethi, edhe Valbona, janë shndërruar në destinacione turistike të cilat dëshmojnë se ka më shumë kërkesa sesa kapacitetet që kanë. Prandaj përpjekjet tona do të jenë që edhe në kuadër të ngritjes së zhvillimit të sistemit akomodues por edhe në kuadër të mbështetjes së zhvillimit të turizmit alternativ, të turizmit të aventurës, sesa do të kemi mundësinë që të përgatisim realisht një botëkuptim tjetër në zonën e Alpeve” – tha ministri Klosi.

Ralf Peveling  përfaqësues i projektit  CABRA u shpreh se ikja e banorëve nga kjo zonë nuk është zgjidhje . ai nënvizoi se  ka një rritje të kërkesës për produktet e  prodhuara në këtë zonë . duke i ftuar banorët e Alpeve  që ta shohin  këtë masterplan   si mundësi zhvillimi dhe jo mbijetese .

“Alpet kanë humbur 90% të popullatës ky është një fenomen shqetësues por nuk është vetëm shqiptar është rajonal. Gjithsesi dua të them se ka një rritje të kërkesës  për produktet e prodhuara në Alpe . Ka një masterplan për zhvillimin e kësaj zonë  dhe ju duhet ta shihni si mundësi zhvillimi dhe ta shfrytëzoni”.

Në këtë konkurs u shpallën edhe 10 idetë më të mira të biznesit nga 23 që konkurruan të cilat u shpërblyen me nga 1000 euro.

SHKARKO APP