Blater i korruptuar, Maradona: Për kreun e FIFA-s, mbështes fuqishëm princin Ali
Flet legjenda e futbollit botëror dhe thotë se Sepp Blatter është i korruptuar, ndaj duhet larguar nga FIFA. Diego Armando Maradona sulmoi zviceranin dhe shprehu besimin se princi jordanez Al Hussein do të triumfojë në garën për president të FIFA-s. Ashtu siç ka bërë edhe herë të tjera, një ndër lojtarët më të mirë të historisë së futbollit botëror kritikoi pa rezerva mënyrën se si ka qeverisur Blatter, i cili në këto zgjedhje kërkon mandatin e tij të pestë. – “E mbështes fuqishëm princin Ali në luftën kundër të korruptuarit Blatter. Ai nuk ka nevojë të vjedhë sepse ka pasurinë e tij dhe ka shumë madje. Nuk ka nevojë të bëjë ato që ka bërë Blatter, i cili pretendon se do të bëjë mrekullinë në futboll kur nuk ka gjuajtur asnjëherë një top”. Diego Armando Maradona, njeriu që udhëhoqi Argjentinën drejt triumfit në Botërorin ’86, vazhdoi fushatën në mbështetje të jordanezit, duke thënë se ai ka në plan të investojë në çdo cep të botës. – “Do të ndërtohen fusha futbolli edhe në vendet e varfra të Afrikës e të Amerikës Latine për të nxitur zhvillimin e talenteve. Besoj se Al Hussein ka shanse reale për t’i dhënë Blatterit një shkelm prapanicës e për ta larguar nga FIFA”. Maratona i ka kritikat e tij befasuese dhe nuk i kursen ndaj askujt, që nuk i pëlqen. Në fund Maradona ka një tjetër mesazh që shkon direkt për 79-vjeçarin zviceran. – “Nuk kam frikë. Jam i motivuar të shkoj e t’i them Blatterit në sy: Largohu. Mjaft më. Ky është fundi. Boll dëme na ke shkaktuar,” – përfundon mitiku argjentinas, Maradona.