Blatter bëhet qesharak, “Të pastrojmë FIFA-n nga të korruptuarit”

Në hapje të Kongresit të 65 të FIFA-s në Zyrih të Zvicrës, udhëheqësi i këtij institucioni Sepp Blatter hodhi poshtë akuzat që lidhin emrin e tij me korrupsionin në FIFA, si dhe ka lënë të nënkuptohet se nuk e ka ndërmend të japë dorëheqjen. Mjafti kritikuar nga mediat perëndimore, i akuzuar shpesh se ka qenë në dijeni dhe madje është edhe vetë i përlyer në këtë histori, Blatter megjithatë gjen kurajën e duhur pas arrestimeve të fundit që kreu SHBA, për të larguar veten e tij nga kjo histori. Por pretendimet  e tij për mediat kryesisht angleze janë cilësuar disi qesharake dhe fyese për inteligjencën qoftë edhe të njerëzve nuk kuptojnë edhe aq mirë. – “E di se shumë njerëz më mbajnë mua si përgjegjës pas këtyre skandaleve, por pavarësisht se ku mbahet një Botëror, ne ose unë, nuk mund të monitorojmë të gjithë, në çdo kohë. Njerëzit që priren të bëjnë gjëra të palejuara, tentojnë edhe t’i fshehin ato. Por, më takon mua të çojë këtë institucion në rrugën e drejtë dhe të rikthejmë besimin”,- është shprehur Blatter.

Zvicerani që është në krye të FIFA-s që nga viti 1998 dhe të premten do kërkojë mandatin e pestë radhazi, ka thënë se do bashkëpunojë me autoritetet në luftën kundër korrupsionit dhe se sikurse ka në shoqëri njerëz të korruptuar, ashtu ka edhe në botën e futbollit.  -“Edhe në futboll, ashtu si në shoqëri, ka të korruptuar. Fatmirësisht këta janë një pakicë. Por futbolli nuk mund të bëjë përjashtim në luftën kundër korrupsionit dhe për këtë FIFA do të bashkëpunojë me të gjitha autoritetet që të korruptuarit të kapen dhe të dalin para drejtësisë”,- tha Blatter.

Presidenti i organit më të lartë qeverisës të futbollit paralajmëroi muaj të vështirë për FIFA-n. – “Muajt e ardhshëm nuk janë të lehtë për FIFA-n dhe jam i sigurtë që shumë lajme më të këqija mund të mbërrijnë. Por duhet ta pastrojmë dhe të rikthejmë besimin tek ky institucion”- shtoi ai.

SHKARKO APP