Blerina Kllokoqi Rugova: Fustani im në Oscar, realizimi i një ëndrre
Për herë të parë një stiliste shqiptare arrin ta dërgojë veshjen e saj në tapetin e kuq më të rëndësishëm të botës, atë të ndarjes së çmimeve Oscar. Një fustan i bërë nga Blerina Kllokoqi Rugova ishte zgjedhja e aktores e producentes së famshme Jon Mack. Në një rrëfim për “Bluetooth” stilistja kosovare tregon se veshja që zgjodhi Mack është e punuar e gjitha me dorë për orë të tëra. Mirëpo Blerina përpos suksesit në punën e saj, mban dhe një mbiemër shumë të rëndësishëm në Kosovë, ajo është
nuse në familjen e ish-Presidentit Ibrahim Rugova. E martuar me njërin prej djemve të Rugovës, Blerina tregon se ky mbiemër e ka ndihmuar shumë në fillimet e saj dhe se në shtëpinë e tyre edhe muret flasin për politikë.
Blerina ju jeni stilistja e fustanit që aktorja dhe producentija Jon Mack veshi në ndarjen e çmimeve Oscar? Si u lidhët me të? Ju kërkoi ajo ju, apo ju kërkuat atë?
Në fakt nuk e kemi kërkuar ne. Ishte një bashkëpunim që ndodhi krejt rastësisht.
Si u bë përzgjedhja e fustanit?
Ishte një veshje e gatshme apo aktorja e porositi sipas dëshirës së saj?
Fustani ka qenë i gatshëm dhe ka qenë përzgjedhje e vet Jon-it. Por ne i kemi dërguar gjithsej shtatë fustane, në mënyrë që ajo të kishte sa më shumë mundësi zgjedhjeje. Ndërsa përzgjedhja e Jon-in
ishte ky fustan me të cilin edhe është paraqitur në tapetin e kuq. Për fustanin e dytë me të cilin
është paraqitur në ‘after party’ nuk na ka mbërritur ende ndonjë fotografi e tij, kështu që jemi në
pritje.
Sa kushtoi kjo veshje? Me çfarë materiali është bërë?
Fustani është i stilit ‘couture’, linjë kjo me të cilën karakterizohemi si ‘brand’. Pra, lloji i materialit është dantellë dhe është i gjithi punim dore. Për të realizuar këtë fustan janë dashur shumë
orë punë dore.
Ju vetë ishit e pranishme në event apo e ndoqët nga ekrani?
Fatkeqësisht nuk isha e pranishme, e kam ndjekur nga ekrani edhe atë me shumë pengesa.
Çfarë ndjesie është të shikoni fustanin tuaj në tapetin e kuq të eventit më të rëndësishëm botëror?
Të them të drejtën ishte ëndrra që kam synuar, dhe mendoj që tashmë ka filluar të realizohet.
Ambasada Amerikane në Kosovë ju përgëzoi publikisht për arritjen tuaj. Çfarë do të thotë kjo për ju?
Për mua do të thotë shumë, aq më tepër urimi i mikut më të madh të Kosovës, pra Amerikës.
Mendoni se kjo arritje ka shkaktuar xhelozi tek kolegët tuaj? E keni ndjerë këtë?
Nuk e di… Personalisht i gëzohem suksesit të secilit koleg, ndërsa ky i imi mendoj që duhet të shihet jo vetëm si arritje e imja personale, por edhe e Kosovës.
Prej sa vitesh bëni punën e stilistes? Si kanë qenë fillimet tuaja?
Si çdo fillim ku vështirësitë dhe sfidat janë të pashmangshme, ashtu kam filluar edhe unë. Por, falë Zotit dhe familjes sime që më kanë mbështetur në çdo hap, jam këtu ku jam sot!
Cilët janë personazhet e tjerë të famshëm që janë veshur nga dora juaj?
Po e nis nga Presidentja e Republikës së Kosovës Znj.Atifete Jahjaga, pastaj ambasadorja e Amerikës
Tracy Jacobson, ish- ministrja e Integrimit Vlora Çitaku, kryetarja e komunës së Gjakovës Mimoza Kusari
Lila etj. Klientet tona janë edhe Jame Harman ish-kongresmene e Amerikës dhe Kim Canbell ish kryeministrja e parë kanadeze.
Sa ju ka ndihmuar mbiemri “Rugova” për të pasur edhe më shumë sukses?
Po. Në fillim të karrierës sime më ka ndihmuar shumë.
Po sot, sa të përfshirë jeni ju si familje në politikën kosovare?
Në shtëpinë tonë edhe muret flasin për politikë. Çdo cep i kësaj shtëpie e ka një histori të shtetndërtimit të Kosovës.
Si e shihni politikën në Kosovë?
Mua personalisht nuk më intereson kjo pjesë. Preferoj të mos përfshihem.
Jetoni me Zonjën Rugova apo shtëpi më vete?
Po, unë dhe trashëgimtarët e Presidentit Rugova kemi nderin që të jetojmë në një shtëpi me të.