Blerja e energjisë nga HEC-et private, MEI: Nuk ka cënim kontrate

Ministria e Energjisë dhe Industrisë pasi u njoh me pretendimet e shprehura publikisht përmes një deklarate nga Shoqata Shqiptare e Energjisë së Rinovueshme (AREA) reagoi duke sqaruar se “Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar ligjin nr. 43/2015 “Për sektorin e energjisë elektrike” që synon mbështetjen e një reforme të thellë në sektor dhe që përafron plotësisht Direktivën e BE 2009/72, mbi rregullat e funksionit të tregut të brendshëm të energjisë elektrike. Ky ligj përcakton një ndarje të qartë të rolit të operatorëve pjesëmarrës të sektorit, duke përcaktuar ndër të tjera funksionet e gjeneruesve të energjisë elektrike, Operatorit të Sistemit të Transmetimit dhe Operatorit të Shpërndarjes së energjisë elektrike”.

“Pikërisht, në zbatim të këtyre detyrave, në bashkëpunim të ngushtë me Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë, Ministria e Energjisë ka hartuar një sërë aktesh ligjore dhe nënligjore që do të bëjnë të mundur funksionimin e sistemit të sektorit në përputhje me rregullat dhe parimet e BE. Ndërmjet këtyre akteve janë edhe projektligji i Burimeve të Rinovueshme dhe Modeli i Tregut të Energjisë.

Këto nisma legjislative bazohen mbi angazhimet e marra nga Shqipëria në nënshkrimin e Traktatit të Komuniteti të Energjisë dhe Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit, që lidhen kryesisht me detyrimet për përafrimin e legjislacionit të sektorit te energjisë me Acquis të BE-së. Hapja e tregut dhe pjesëmarrja e gjithë operatorëve në platformën e energjisë elektrike të ditës në avancë është një nga kërkesat kryesore të procesit të Berlinit për integrimin ne tregun rajonal dhe Europian te energjisë. Kjo kërkon marrjen e një sërë masash ligjore dhe rregullatore në sektorin e energjisë, të cilat janë të nevojshme për të krijuar një treg të energjisë elektrike.

Në zbatim të Direktivës së BE dhe ligjit “Për sektorin e energjisë elektrike”, është nevoja tashmë e përcaktimit të qartë të ndarjes së operatorëve të energjisë elektrike, në përputhje me funksionet e tyre. Në këtë kuptim, është përcaktuar që OSHEE, në funksion të rolit të saj si operator i shpërndarjes, të jetë operatori përgjegjës për blerjen e energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme të energjisë”, përfundon MEI.

SHKARKO APP