Blerja e energjisë, OSHEE: Gati procedura online
Brenda muajit tetor, blerja e energjisë elektrike nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike do të bëhet përmes platformës online.
Funksionimi i kësaj paltforme shihet nga kompania si hapi i parë për krijimin e bursës së energjisë, duke i mundësuar OSHEE-së të tërheqë më shumë ofertues edhe nga tregjet e huaj, si pjesëmarrëse në bursën ndërkombëtare.
Me vënien në punë të këtij sistemi, të gjithë subjektet do të dërgojnë ofertat e tyre pas njoftimit nga OSHEE, të publikuar në kalendarin mujor e vjetor që do jetë në faqen zyrtare të saj, ndërsa pritet që kjo të pasohet me oferta më efikase, më të shpejta dhe me çmim më të mirë sesa procedurat që realizohen deri më tani.
Krijimi i platformës online për blerjen e energjisë elektrike është detyrim ligjor, që rrjedh nga një vendim i Entit Rregullator të Energjisë, me qëllim uljen e kostove. Por, ndonëse vendimi është marrë në qershor të vitit të kaluar, deri më tani OSHEE ka aplikuar blerjen e energjisë përmes ankandeve me negocim.
E njëjta procedurë u ndoq edhe për blerjen e muajit shtator, ku pas mbylljes së 5 raundeve negociatash u arrit të që blihet 94% e sasisë së kërkuar. Ndërkaq, nga OSHEE për periudhën kohore korrik-shtator, janë blerë gjithsej gati 80 milionë euro energji.
Shpenzimet për blerjen e energjisë kanë ulur mundësinë për investime nga ana e kompanisë, ndonëse operatori ka likuiditetin e nevojshëm, si pasojë e arkëtimeve që shkojnë në rreth 36 milion euro në muaj.