Bllokohen 15 kompani të naftës

Pesëmbëdhjetë kompani të prodhimit dhe të përpunimit të naftës në Shqipëri, janë bllokuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, pasi nuk janë të pajisur me matësa për të kontrolluar sasinë dhe cilësinë e naftës bruto që hidhet në treg.

Drejtoresha e Përgjthshme e Doganave, Elisa Spiropali deklaroi  se duke qenë se 15 prodhuesit dhe përpunuesit nuk kishin vendosur matësat brenda datës 31 dhjetor u krye bllokimi, duke pezulluar plotësisht aktivitetin e tyre ekonomik.

Spiropali tha se kjo masë ul hapësirat e evazionit fiskal në këtë sektor ndërsa shtoi se ky detyrim ligjor nuk është zbatuar me vite, duke krijuar një mangësi të dukshme në kontrollin e sasisë së naftës së prodhuar dhe stokuar në vend.

Drejtoresha e Përgjithshme e Doganave u ndal në prezantimin e “Reformës në Administratë dhe Sistemin Antikorrupsion”, duke përfshirë Kodin e Ri të Etikës, Uniformën e Re dhe Testin e Integritetit.

“Organizimi i këtij aktiviteti ka për qëllim komunikimin e disa prej elementëve të një pakete antikorrupsion që është prezantuar tek punonjësit e Doganës si dhe tek publiku, elemente që i shërbejnë forcimit të aftësisë së Administratës Doganore për minimizimin e mundësisë për korrupsion brenda sistemeve, për edukimin e personelit dhe drejtuesve në lidhje me detyrimet dhe përgjegjësitë e tyre si dhe për frenimin e veprimtarisë potencialisht korruptive.

Vizioni ynë është trajnimi profesional i punonjësve tanë, përmes Akademisë Fiskale. Është hartuar dhe miratuar me kolegët tanë të Crown Agents Kodi i Ri i Etikës i cili mëshiron elementë të qenësishëm”, tha Spiropali.

Më pas u prezantua aplikimi i Testit të Integritetit për punonjësit e Administratës Doganore.

“Dogana ka filluar tashmë aplikimin e “Testit të Integritetit dhe Metodës së Standartizuar të Mënyrës së Vendimmarrjes” i hartuar nga ekspertët e Crown Agents që asistojnë Doganën, test që do t’ua sugjeroja edhe institucioneve të tjera ta aplikojnë.

Testi i Integritetit është mjeti që u mundëson punonjësve të Antikorrupsionit të kontrollojnë nëse punonjësit e drejtuesit doganorë iu përmbahen Kodit të Etikës dhe Kodit Doganor dhe nëse vendimet që merren gjatë punës së tyre janë ato të duhurat”, tha Spiropali.

Zv. Ministrja e Financave Irena Beqiraj e cila prezantoi vizionin dhe strategjinë e Ministrisë së Financave për luftën ndaj korrupsionit në administratë, tha se  pavarësisht se është bërë shumë punë në këtë drejtim, ka ende shumë për të bërë.

“Më vjen mirë që prezantimi im në publik është në këtë temë të reformës në administratë dhe sistemit antikorrupsion. Shumë punë është bërë në këtë drejtim, por mendoj se nuk ka përfunduar ende.

Këtë reformë në Administratën Doganore, ne e konsiderojmë shumëdimensionale sepse ne e konsiderojmë një faktor kyç në mbledhjen e të ardhurave.

Aktualisht jemi duke finalizuar strategjinë e Ministrisë së Financave për luftën ndaj informalitetit dhe evazionit fiskal”, theksoi Beqiraj.

“Ky informalitet kryhet nga operatorët ekonomikë në treg, por zhvillohet dhe mbahet në këmbë nga bodigardët e informalitetit dhe evazionit në zyrat e shtetit.

Për këtë arsye një shtyllë shumë e rëndësishme në strategjinë tonë kundër informalitetit do të jetë një plan i detajuar masash në administratë.

Kjo platformë që paraqitet sot është një hap i kësaj strategjie. Në këtë luftë të vazhdueshme kundër korrupsionit ne kemi patur mbështetjen edhe të partnerëve tanë ndërkombëtare, si Crown Agents të cilët na kanë frymëzuar me standardet dhe praktikat më të mira që të çojnë drejt suksesit”, u shpreh Beqiraj.”

Ndërkohë që Zv. Drejtorja e Përgjithshme Administrative e Doganave, Blerte Kraja prezantoi disa shifra dhe nisma të Doganës Shqiptare në trajnimin dhe profesionalizimin e punonjësve.

“Në këto 20 vitet e fundit reformat në Administratën Publike Shqiptare konsistonin në shkurtimin  e vendeve të punës, largimet nga puna pa kriter dhe me listë, siç ka ndodhur dhe me Administratën Doganore.

Në vitet 2005-2006  ku për 1 vit e 4 muaj janë larguar nga puna pa asnjë procedurë ligjore, plot 450 punonjës, pra gati gjysma e numrit total të punonjësve. Në ditët e sotme reforma në administratë dhe veçanërisht atë doganore nuk mund të jetë kështu.

Ne nuk mund t’i shkaktojmë një dëm ekonomik të tillë vendit. Prandaj ne kemi synuar shumë tek trajnimi profesional i punonjësit të Administratës Doganore dhe testim njohurish për të kuptuar nivelin e tyre profesional.

Janë trajnuar 42 menaxherë, nivel drejtuesish, 222 punonjës që kanë marrë detyra të reja, përfshirë edhe transferimet, më pas 138 punonjës kanë bërë trajnim të posaçëm në fushën e akcizës, regjimeve doganore etj”, u shpreh Zv. Drejtorja e Përgjithshme Administrative e Doganave. 

SHKARKO APP