Blushi dhe Rama nuk mund të rrinë më në një parti

Nga Zef Shtjefni/Lëvizja e Ben Blushit para dhe pas kongresit të fundit të PS-së duken kaotike. Blushi është kthyer në një opozitë të vërtetë të qeverisjes së PS-së, në një opozitë të fortë brenda Partisë dhe është bërë një konkurrent i egër i Kryetarit Rama. Para Kongesit sikur ky pozicion i Blushit kishte kuptim, pasi jepte idenë e një demokracie dhe konkurrence të brendshme në PS që e bënte këtë Parti të dukej si avangardë e demokratizimit politik të vendit, pavarësisht se kurrikulumi i saj është gjë krejt tjetër. Por pozicioni opozitar i Blushit edhe pas Kongresi, edhe pas referendumi në këtë Parti, sa po vjen e bëhet i çuditshëm. Është çështje kohe, sa ti soset durimi lidershipit të PS-së, për ta flakur atë jashtë PS-së, sepse tani nuk kemi të bëjmë me konkurrencë idesh apo individësh brenda kontureve statutore të PS. Por Blushi është bërë tashmë një opozitë e hapur e gjithçkaje që bën PS-ja, lidershipi dhe qeverisja e saj. Ai po bën përpjekje për ta çarë këtë parti në dysh, duke synuar që të forcojë grupin e tij brenda saj. Një fjalë e urtë popullorë thotë se: “Nuk mund të këndojnë kurrë dy gjela në një kotec”. Ma do mendja se i shkon shumë mirë edhe “kotecit” të politikës kjo fjalë, sepse në të gjithë spektrin politik shqiptar nuk kemi asnjë përvojë tjetër, përveç partive të “gjelave dhe pulave”. Partitë tona politike duken qartazi si pari private dhe prona të njëshave të tyre. Do të ishte një mrekulli e pabesueshme që të bënte përjashtim PS-ja nga kjo formulë, kur të kaluarën e saj në këtë drejtim e ka më keq se çdo parti tjetër e re në vend. Ben Blushi tani ngjan si një gjel që po këndon në një kotec me Ramën dhe pashmangshmërisht gjeli më i fortë, do ta përziejë më të dobëtin. Është çështje kohe dhe zgjedhje të momentit. Por kjo duket qartë se do të ndodhë jo larg. Nuk besoj se do të bëhet hataja se do të largohet Blushi nga PS-ja dhe do të krijojë një parti të vetën. Përkundrazi, mbase do të jetë më mirë për politikën tonë, se mbase do fillojë të ravijëzohet një opozitë e vërtetë në vend, pasi me këtë ekip opozitar që kemi sot, të shkosh mbas çmendurive të Berishës, është si të shkosh të mbytësh në det. Të shkosh pas Lulit, nuk e di njeriu a po shkon pas një gruaja apo pas një burri. Lëre pastaj korin që i ndjek të dy nga pas, sepse të gjithë bashke duket se nuk bëjnë një intelektual e gjysmë.

Blushi kuptohet lehtë se nuk deshi të ndahej nga PS-ja, por ta merrte partinë nga brenda, siç bëri Rama me Nanon. Por Rama nuk është aq budalla që ta hajë vetë “kokrrën e ullirit”, që vetë ia futi në gojë Nanos, kur i mori Partinë. Blushi duke qëndruar sa më gjatë në PS shpresonte që: Ose ta ndante partinë dhe të rrëzonte direkt Ramën. Ose të bënte sa më shumë përkrahës brenda saj e pastaj të dalë më vete. Mirëpo kjo nuk është punë e lehte. Për tu bërë njësh nuk mjafton të jesh kalemxhi i hollë dhe kritik i guximshëm. Por duhet dhe shumë para. Shpresa tjetër e tij do të ishte natyrshëm aleanca me Fatos Nanon, kundër Ramës. Mirëpo ka dy probleme jo të vogla dhe me të. I pari, është se kush do të ishte kryetari i parisë së re. Dhe e dyta, është se Fatosi i dembelosur po mbërrin 140 kg dhe tashmë mezi rri në tavolinë. Kështu që ka më shumë gjasa se Blushi do të jetë i detyruar ta marrë i vetëm rrugën e krijimit dhe të rritjes së partisë së tij. Realisht nga “koteci socialist” i Ramës tani Blushi duhet të ikë sa më shpejt, siç i sugjeronte para pak ditësh kolegu Nikoll Lesi. Ndryshe, mendoj se do ta përzënë. Kushdo i ka hyrë kësaj rruge të vështirë, e di mirë se kjo rrugë kalon nga baza, kalon në çdo qytet, në çdo fshat e lagje anë e mbanë Shqipërisë. Po nuk more ose po nuk krijove bazën e partisë, qendra nuk ekziston. Këtë ka bërë Berisha, këtë ka bërë Meta, këtë ka bërë Rama, këtë nuk bëri Majko, por këtë duhet ta bëjë patjetër Ben Blushi për të mbërritur ambiciet që ka. Duhet të ndërtojë strehën e tij politike dhe të mos shohë ëndrra brenda PS-së.

SHKARKO APP