Blushi: Rama të këshillohet me deputetët për kandidatët
Dorëheqja e kryebashkiakut të Pogradecit nuk është pritur mirë as nga përfaqësues të lartë të Partisë Socialiste. Deputeti socialist Ben Blushi e ka cilësuar dorëheqjen si një “braktisje e detyrës”. “Miqësisht do t’i thosha se ishte mënyra më e keqe për të braktisur detyrën. Sepse arsyet për të cilat ai iku ishin të papërligjura. Njerëzit që janë funksionar vendor apo kushdo qoftë të zgjedhur nuk ikin nga detyra tre muaj para se tu mbaroj mandati për arsyet që tha Artan Shkëmbi, për t’i hapur rrugë dikujt tjetër, apo për ti hapur rrugë partisë për të zgjedhur dikë tjetër. Ikin ose kur e kanë të pamundur, ose kur larg qoftë kanë një sëmundje apo një ikje nga jeta, ose kur janë në izolim për shkaqe që nuk varen nga ata, ose kur dikush ua bën të pamundur detyrën. Por ikja e djeshme ishte një braktisje e detyrës për arsye të papërligjuara. Po të isha një qytetar i Pogradecit do të isha ndjerë i fyer dhe i sikletosur. Për shkak se nuk mund të iki nga detyra kryetari i Bashkisë, për arsyet që tha”,- u shpreh Ben Blushi. Lidhur me përfoljen e tij si një kandidat për Bashkinë e Tiranës, Blushi e ka mohuar. Nga ana tjetër, ai ka kërkuar prej kryeministrit Rama që të konsultohet me grupin parlamentar të PS-së për emrat e kandidatëve me të cilët do të përfaqësohen në zgjedhjet e 21 qershorit. “Nuk jam në garë për Tiranën. Jam i gatshëm të marrë pjesë në fushatë nga Tirana dhe kudo, por unë nuk jam në garë këtë herë”,- tha ai. Blushi kërkoi nga kreu i PS-së që të konsultohet me grupin parlamentar para shpalljes së kandidatëve për zgjedhjet vendore. “Shpresoj që do të ketë konsultime për të gjitha kandidatët. Kjo është një nga gjërat që duhet thënë; nëse deputetët e Partisë Socialiste anashkalohen nga përzgjedhja e kandidatëve, siç ka një tendencë, kjo do të ishte fatale dhe do të hyjmë në një garë shumë të vështirë duke marrë parasysh këtu dhe konsumin e lartë të qeverisë. Sepse gjithë kandidatët që do të fusim në garë, përveç disavantazheve njerëzore që mund të ketë secili prej nesh apo prej kandidatëve do të kenë mbi kurriz një barrë shumë të madhe që është konsumi i qeverisë, që është shumë i lartë për dy vitet e para të qeverisjes”, u shpreh Blushi. Lidhur me garën për bashkinë e Tiranës, Basha u shpreh se PS-ja duhet të zgjedhë një kandidat sa më përfaqësues. “Unë shpresoj që të jetë një personalitet, sepse Tirana e meriton që të ketë një personalitet. Ata që e kanë në dorë të zgjedhin dhe dihet se kush e ka, zgjedhin për kandidatë në qytetet e mëdha me të njëjtën metodë që zgjodhën qeverinë para dy vjetësh kjo do të ishte e gabuar. Qeveria nuk i rezistoi kohës. Që do të thotë mënyra sesi i kanë përzgjedhur nuk i rezistoi kohës, pra duhet të ndryshojnë mënyrën. Besoj që në rastin e Tiranës do të ketë një personalitet, i cili nuk është vetëm një socialist por është pak më shumë sesa kaq. Tirana meriton, në radhë të parë pavarësi, që se ka pasur. Tirana nuk ka pasur pavarësi, qoftë kur ishim ne në pushtet, qoftë kur tani e kishte Partia Demokratike. Ka qenë qytet i varur nga dy partitë e mëdha. Ka ardhur dita të ketë më shumë pavarësi”,- tha Blushi. Pavarësisht se nuk do të komentojë çështjet brenda PD-së, Blushi thotë se Basha do të ishte kandidati më i lehtë për tu mundur. “Unë nuk e di nëse do të kandidojë z. Basha dhe nuk më intereson, si njeri i angazhuar. Si socialiste, pra si kundërshtar më intereson të kandidojë sepse është një kandidat i lehtë për tu mundur. Është kandidati më i dobët përballë çdo kandidati socialist. Si qytetar i Tiranës do të ndjehesha fatkeq nëse do të kandidonte, sepse kryetar bashkie më të dobët, për 20 vjet nuk kemi patur. Për fat të keq z. Basha ka një bilanc mediokër në krye të Bashkisë së Tiranës”,- u shpreh dje deputeti i Partisë Socialiste, Ben Blushi.