Bode: Buxheti 2018 frenues për ekonominë, 90% e shqiptarëve do paguajnë taksa më të larta
Buxheti i vitit 2018 i parashikuar nga qeveria shihet me shumë pikëpyetje dhe kritika të forta nga ish-ministri i Financave Ridvan Bode.
Në një intervistë për ABC News, ai ka pohuar se mungon mbështetja për sektorët më të rëndësishëm në vend dhe buxheti i parashtruar në raport me ekonominë është frenues.
“Momenti ekonomik kërkon krijimin e një ambjenti më entuziast, më besues dhe masat që kuoton qeveria nuk mendoj që janë në kahjen e duhur. Qoftë aksionet e mëdha antiinformalitet, qoftë dhe kjo masë për të ulur pragun e bizneseve që duhet të përfshihen në TVSH nën parametrat 2 milion lekë e kanë deklaruar me zë po tani ja kalojnë qeverisë si kompetencë për të përcaktuar se kush do të jetë niveli i poshtëm i përfshirjes”.
Më tej Bode ka theksuar se ekonomia gjendet në një moment të mirë dhe qeveria duhet ta shfrytëzojë këtë për ta ngritur ekonominë.
“Në tërësinë e tij buxheti në raport me ekonominë është frenues dhe nuk jep ndonjë avantazh qoftë edhe me politika të veçanta sektoriale që pretendojnë se krijohen. Unë kam mendimin që ekonomia ndodhet në një moment të mirë sa i përket konukturës rajonale dhe më gjerë dhe qeveria duhet të shfrytëzonte këtë ambjent të përshtatshëm ekonomik për të krijuar kushtet që ekonomia të fillojë të ngrihet. Përqendrimi vetëm tek turizmi jo se është i kritikueshëm, por është i pamjaftueshëm dhe i pa mirëzgjedhur në totalin e prioriteteve. Dhe, duke qenë se në sektorë real të ekonomisë nuk ka një mbështetje të tillë, unë mendoj që edhe projeksionet e rritjes ekonomike që ka qeveria janë disi të ekzagjëruar”.
Në përfundim Ridvan Bode ka deklaruar se taksa e pronës vitin e ardhshëm do të varfërojë shtresat e mesme.
“Të gjitha banesat që me çmimet referuese të ekonomisë sipas zonave në Tiranë apo vende të tjera do kenë një vlerë dhe kanë një vlerë më të lartë se 6 milion lekë të reja do të paguajnë një taksë më të lartë nga ajo që paguajnë gjer më sot. Çka do të thotë se 90% e qytetarëve do të detyrohen të paguajnë taksë më të lartë”.