Bojaxhi: Nëse të gjithë fshihemi, kush do t’i ndryshojë gjërat?
Gjergj Bojaxhi është kandidati i parë për Bashkinë e kryqytetit. Zyrtari i lartë i qeverisjes së djathtë, ai paraqitet në këtë garë të vështirë, si kandidatura e pavarur për Tiranën. Qytetar, etik dhe përçues i një fryme të re politike, Bojaxhi duket një sfidant "i bezdisshëm" për partitë e mëdha. Sidomos për PD, e cila tashmë ka filluar sulmet ndaj tij. Një shenjë kjo, se ai ka hedhur hapin e duhur
Nga Skënder Minxhozi*
Më në fund Tirana ka kandidatin e saj të parë në garë. Sa e vështirë ka qenë për ju të vendosni?
Së pari duhet thënë se nuk ka qenë një vendim thjesht personal. Një grup qytetarësh të angazhuar që tani quhet “Ne, Tirana” vendosi përpara disa muajsh që të garojë më nje kandidat për bashkinë e Tiranës. Grupi vendosi që të isha unë kandidati. Nuk ka qenë vendim i lehtë, sepse kushdo që vendos t’i hyjë kësaj pune duhet të sakrifikojë shumë. Duhet të braktisësh çdo angazhim tjetër, duhet të bëhesh gati për sulme, akuza dhe shpifje tipike për politikën shqiptare dhe duhet të sakrifikosh edhe kohën me familjen. Por unë dhe gjithë grupi kemi të njëjtin motivim: nëse të gjithë fshihemi nga përgjegjësitë publike kush do t’i ndryshojë gjërat? Ajo që na e lehtëson punën është një mbështetje e parashikuar nga qytetarët. Me qindra na shkruajnë çdo ditë dhe kërkojnë të nënshkruajnë për kandidimin, premtojnë votat e tyre dhe kërkojnë të angazhohen vullnetarisht në fushatë. Kjo mbështetje na frymëzon pa masë.
Cili është shkurtimisht, programi juaj për Tiranën? Cilat janë prioritetet e tij kryesore?
Është ende herët për të folur për programin, madje besoj se do ishte shkelje e rregullave të fushatës propagandimi publik i programit para fillimit të periudhës zgjedhore. Megjithatë mund të ndaj me ju disa prioritete të vëmendjes sonë:
-Shkëputjen e prerë të Bashkisë nga kontrolli apo ndikimi jashtë institucional prej ndikimeve ilegale të grupeve të interesit, vecanërisht atyre të ndërtimit, dhe kthimi i saj në shërbim të qytetarëve dhe interesit publik.
-Krijimi, ruajtja ose rikthimi i hapësirave publike në këtë qytet ky betoni cdo ditë e më shumë zëvendëson pemët.
-Zgjidhja e problemit të shkollave me dy turne dhe kopshteve me kushte problematike.
-Mbështetja dhe nxitja e biznesit të vogël që në fakt mban gjallë shumicën e familjeve të Tiranës.
Një kandidat i pavarur është një kandidat "jo i fortë", thotë tradita elektorale e 25 vjetëve të fundit. Çfarë duhet bërë për ta sfiduar këtë tabu?
“Ne, Tirana” është një grupim qytetar dhe nuk jemi “të fortë” në versionin e partive politike, por jemi shumë “të fortë” nga pikëpamja e mbështetjes dhe motivimit. Poju jap një shembull: ndërsa partitë e tjera e bëjnë fushatën me militantë që presin vende pune ose edhe ta paguar, ata dhjetëra antarë të grupit tonë dhe shumë të tjerë që na mbështesin janë plotësisht vullnetarë dhe besojnë te puna që bëjnë.
Deri më sot, me sa di unë, nuk ka patur asnjëherë kandidatë të pavarur në Tiranë dhe rrallë në bashki të tjera. Ndaj përvoja e së shkuarës nuk na tregon dot ndonjë gjë për shanset e një kandidati të pavarur. Por ajo që dimë për fakt është se sot shumica e njerëzve nuk e gjejnë veten në asnjë parti. Madje shumë njerëz janë haptazi kundra gjithë politikës aktuale dhe bizneseve të saj. Afërsisht mbi 60 përqind e qytetarëve ose nuk votojnë fare ose zgjedhin të keqen më “të vogël”. Natyrisht që në këtë 60 përqindësh ka njerëz që i janë dorëzuar fatalitetit apo janë cinikë e mosbesues që mund të ketë ndonjëherë politikë të ndershme; ka mes tyre qytetarë që kanë rënë në apati e mendojnë se vota e tyre nuk mund të bëjë ndryshim madje nuk ka më asnjë vlerë. Ky është lajmi i keq. Lajmi i mirë është që nëse këta qytetarë arrijnë të vetëdijësohen për forcën e tyre, arrijnë të mposhtin brenda vetes mosbesimin, arrijnë të besojnë e shpresojnë se ne mund të “bëhemi”, nëse arrijnë të kuptojnë se pas çdo dështimi nuk ka rrugë tjetër veçse të përpiqemi sërish derisa të vijë ndryshimi i dëshiruar, atëherë e gjithë politika jonë do të transformohet dhe ne do të përparojmë si individë e si shoqëri.
Të gjithë ne që i kemi hyrë kësaj përpjekje për Tiranën, jemi të bindur se ne do ta fitojmë këtë sfidë. Jemi të bindur se më 21 qershor NE shumica do të jemi bërë bashkë dhe do jemi fitimtarë mbi politikën dhe bizneset e saj.
Dy partitë e mëdha nuk kanë afishuar ende kandidatët e tyre (këtë mund ta ndryshojme rrugës nëse dalin emrat!!!). Por dimë zyrtarisht se Basha nuk do të jetë në garë. Meqë do t'ju duhet të merreni gjatë me bilancin e 4 vjetëve të fundit në bashkinë e Tiranës, çfarë note i vendosni Lulzim Bashës si kryebashkiak?
Mendoj që Zoti Basha ka qënë një kryetar i dobët bashkie. Vecanërosht në dy vjetësin e fundit pas zgjedhjes së tij në krye të PD-së ai e ka braktisur krejtësisht drejtimin e bashkisë duke ja lënë atë në dorë burokratëve të pazgjedhur dhe pas asnjë përgjegjësi apo lidhje me votën e qytetarëve. Në fakt, kjo qasje ka filluar që në vitin 2005 nga Zoti Rama, ndaj nuk do gaboja nëse do shprehesha që prej një dekade kryetarët e Bashkisë së Tiranës e kanë braktisur krejtësisht interesin publik dhe i kanë shërbyer vetëm interesave partiake e klienteliste.
Ka pasur reagime jo fort "rozë" nga e djathta, pas kandidimit tuaj. Madje ju kanë "listuar" mes aleatëve të majtë. Si i përgjigjeni atyre që thonë se ju mund të përçani votën e djathtë në kryeqytet?
Dua t’i përgjigjem me një shprehje të Zotit Berisha: kur vendos sovrani të tjerët duhet të heshtin. Gjithsesi mendoj se ky lloj mentaliteti është mentalitet Leninist i cili nuk vë në qendër qytetarin, individin dhe të drejtat e tij por partinë dhe interesat partiake. Zgjedhjet nuk bëhen për të ruajtur votat e partive, por që qytetari të mund të zgjedhë përfaqësuesit më të mirë. Gjithsesi mbështetësit tanë nuk janë më shumë të djathtë sesa janë të majtë, madje shumica nuk janë me asnjërën palë, pikërisht sepse janë zhgënjyer thellë prej tyre. Ne synojmë shumicën e qytetarëve, ata që nuk e gjejnë veten të përfaqësues nga asnjë prej partive.
E vetmja çështje që ka rëndësi në lidhje me kandidimin tim është nëse ky kandidim i shërben interesave të qytetarëve. Unë jam krejtësisht i painteresuar dhe i patrazuar nga ndikimi që kandidimi im mund të ketë tek fati elektoral i PD-së apo PS-së. Ajo që nuk po arrijnë të kuptojnë disa nga ata që po e përcjellin këtë tezë është që unë po kandidoj sepse mendoj që partitë dhe bizneset e tyre janë problemi kreysor që ne kemi si shoqëri. Qëllimi im është pikërisht Qëllimi ynë është që t’i largojmë si PD-në ashtu edhe PS-në nga drejtimi i qytetit në mënyrë që qytetarëve t’ju rikthehet e drejta për të marrë pjesë apo për të ndikuar qeverisjen.
Çfarë është më e vështirë, të ngjisësh Everestin, apo të fitosh Tiranën?
Janë dy gjëra të ndryshme, natyrisht. Ngjitja e Everestit është padyshim një nga sfidat më të vështira fizikisht dhe psikologjikisht me të cilën njeriu mund të ndeshet në jetë. Por gjtihsesi ajo është kryesisht sfidë personale. Për të ngjitur Everestin mjafton të gjesh kurajon dhe vullnetin brenda vetes. Gara për Tiranën është sfida për të gjetur besimin dhe kurajon jo vetëm brenda vetes por edhe tek të tjerët, tek çdo njëri prej nesh, si qytetarë, si komunitet, si shoqëri.
Ndaj në një farë kuptimi, kjo është më e vështirë, pasi nuk mjafton të besosh vetëm tek vetja, por duhet të besosh edhe tek tjetri, sikurse duhet që edhe tjetri të besojë tek ti. Është një sfidë që kërkon që ne të arrijmë të besojmë forca jonë jo thjesht si individë por si shoqëri për të përparuar e për të ndërtuar një të adhme normale dhe të mirëqënë. Sfida për të arritur thellësinë e mendjeve dhe zemrave është më e vështirë sesa sfida për të arritur majat e maleve.
Si mund të bëhet një fushatë pa një parti politike nga pas dhe pa një buxhet qindra milionësh?
Fushatat elektorale në Shqipëri janë ekzagjeruar sikurse shumë gjëra të tjera që kemi kopjuar nga jashtë. Fushatat janë shndërruar në ushtrime propagandistike përmes bombardimit në çdo drejtim e me çdo mjet të qytetarëve. Mitingje e koncerte masive nëpër skena me teknologjinë, billboard-e e postera gjigandë që nuk i shmang dot veçse po të mbyllësh sytë, reklama e propagandë televizive në çdo cast. Për të mos folur për koston e makinerisë së manipulimit apo ndikimit të padrejtë të votës.
Fushata jonë do jetë fushata më e lirë që është zhvilluar ndonjëherë në Shqipëri. Ajo do të përballohet mbi të gjitha dhe më shumë se çdo mjet tjetër me punën vullnetare të shumë qytetarëveqë i janë bashkuar përpjekjes sonë të përbashkët. Natyrisht që mbështetja financiare në shuma të vogla nga miq, dashamirës dhe qytetarë do të ngrenë disa fonde minimale për të përballuar kosto të domosdoshme për një fushatë. Për ne fushatë elektorale është komunikimi me qytetarët, shikimi i tyre në sy, kuptimi i ndjenjave dhe nevojave të tyre. Kjo gjë nuk kërkon xhepin plot, por mendje të hapur, zemër të madhe dhe shtyllë kurrizore të fortë.
Qyteti ka mjaft probleme të nxehta, si menaxhimi i territorit, ambjenti, trafiku, standarti i shërbimeve. Si mendoni se përballohen të gjitha këto çeshtje në kuadrin e një katërvjeçari?
Burimi i të gjitha problemeve të qytetit është politik dhe jo teknik. Shumë nga problemet e qytetit janë krejtësisht të zgjidhshme nëse Bashkia pushon së qenë shërbyese e grupeve të interesit apo instrument politik për arritjen e qëllimeve personale apo partiake politike. Ne nuk na mungon as dija teknike, as mjetet financiare për të zgjidhur problemin e trotuareve të shkatërruara, pusetave të hapura, mbledhjes së plehrave apo pastrimit të qytetit. Arsyeja pse nuk janë zgjidhur deri më sot ka qenë klientelizmi dhe korrupsioni dhe jo-padija teknike dhe mungesa e fondeve. Sot qyteti është i pisët dhe plehrat nëpër rrugë për shkak se kompania që duhet të pastronte qytetin e ka fituar kontratën për shkak se është kliente e partisë apo kryetarit t ë partisë dhe jo se është kompani e aftë dhe me eksperiencë për këtë punë.
Natyrisht Tirana ka probleme të zhvillimit të integruar social, ekonomik e demografik. Zgjidhja e tyre kërkon vizion afatgjatë dhe investime serioze. Por edhe kjo sfidë është plotësisht e përballueshme nëse Bashkia punon me përkushtim dhe këmbëngulje për interesin publik dhe jo për klientët partiakë e personalë.
Dy pyetje konkrete: a do të kërkoni ndalimin e ndërtimeve tek diga e Liqenit dhe a do të vijoni planet për ndërtimin e bulevardit të ri, përtej stacionit të trenit?
Sikurse ju thashë, edhe më herët, hapi i parë që dua të bëj nëse qytetarët do të më besojnë me drejtimin e Bashkisë është thirrja e një referendumi për të vendosur nëse qytetarët duan ta ndalojnë çdo lloj ndryshimi të mëtejshëm të parkut të liqenit dhe çdo hapësire tjetër të gjelbërt që ekziston.
Në lidhje me rastin konkret të ndërtimeve tek diga kjo tashmë është shndëruar në çështje të drejtësisë që ka fjalën e fundit në një vend ku zbatohet ligji. Personalisht kam dyshime serioze se i gjithë procesi i ndryshimeve ligjore, urbanistike e deri tek leja e ndërtimit për këtë zonë ka qënë i kompromentuar në mos i korruptuar. Po ashtu mendoj që kjo zonë duhet të mbetej pa ndërtime dhe vendimi i qeverive dhe bashkisë së Tiranës për ta zhvilluar këtë zonë është krejtësisht në dëm të interesit publik. Megjithatë, në kushtet ku gjendemi sot duhet të presim për vendimin e gjykatave. Përsa i përket zgjerimit të Tiranës përtej stacionit të trenit mendoj se është zgjidhja e duhur për zhvillimin e qytetit. Natyrisht me transparencë dhe paanshmëri.
*JAVA