Bombola e një akti terrorist
Nga Alfred Lela –
Llahtar, për të përdorur fjalën e një prej banorëve të intervistuar nga media, ishin pamjet e shpalosura pas shpërthimit të një bombole gazi në një fshat të Pogradecit. Por, përtej pamjeve të dhimbshme dhe dhimbjes që vazhdon ende për ata që japë plagosur, si dhe për familjarët e të dëmtuarve më rëndë në këtë incident, duhet bërë llogaritë sipas një logjike të thjeshtë.
Diçka që ka ndodhur njëherë dhe që ndodh sërish do të përsëritet diku e për të tjerë. Numri i të lënduarve të Pogradecit ishte i përafërt me një tjetër shpërthim të ndodhur te Don Bosko, një nga zonat më të populluara të kryeqytetit, as një vit më parë. Përkthimi që mund t’i bëhet rishfaqjes së një incidenti të tillë, flet në radhë të parë për pakujdesi: Si të shtetasve që përdorin gazin për ngrohje apo për gatim, pra familjarëve, por sidomos tregtarëve, në orën e të cilëve kanë ndodhur në fakt dy shpërthimet e fundit dhe më tragjiket, si në Tiranë ashtu dhe në Pogradec. Madje termi ‘pakujdesi’ ngjan një ledhatim i pavend para shkatërrimit që pamë si në lokalin e fshatit juglindor apo atë të lagjes kryeqytetase. Papërgjegjshmëria do të ishte më me vend të përdorej.
Papërgjegjshmëria është kundravajtje apo vepër penale kur konsumohet në mjedise sociale. Si pjesë e kësaj procedure ka ndodhur edhe ndjekja e dy pronarëve të lokaleve si në Tiranë ashtu dhe në Pogradec, por kjo sido që përbën një hap fillimi, është vetëm një reagim pas pasojës dhe aspak një kërkim i shkaqeve, i rrënjëve të problemit.
Në rastin e fshatit pogradecar është hamendësuar mbi bombolën e amortizuar, më saktë aq shumë të ndryshkur sa në një moment metali është plasaritur dhe kjo ka çuar në rrjedhje e më pas në shpërthim. Nëse pronarët e lokaleve dënohen për papërgjegjshmërinë dhe për pasojat e saj në komunitet dhe në jetë njerëzish, a do të mbahen para të njëjtit standard e para të njëjtit ndëshkim edhe enti mbikëqyrës, Inspektorati shtetëror Teknik, që e ka për detyrë kontrollin dhe rregullimin e sektorit.
Hapi i parë i përgjegjësisë vjen duke iu përgjigjur pyetjes: a ka një inventar të saktë të numrit të bombulave të gazit në përdorim në Shqipëri? A ka një kontroll mbi kompanitë e licencuara (ose jo) për shpërndarjen e tyre? A ka një manual teknik që siguron parametrat e bombolave që mund të përdoren? E me radhë.
Nëse praktika e këtij enti është si e shumicës së drejtorive apo inspektorateve, në varësi qendrore apo lokale, në Shqipëri, të cilat në rutinën e tyre ‘kryejnë kontrolle të befta’ dhe më pas e ulin ‘gatishmërinë’ kur ‘lyhet rrota’, dhjetëra ta plagosurit e Tiranës dhe Pogradecit nuk mund të mjaftohen me shërim plagësh. Atyre dhe të tjerëve, që të ndihen të sigurt, u duhet edhe një garanci shtetërore apo shoqërore që në krye të inspektorateve që kanë në dorë sigurinë e publikut, nuk ka ‘çakej’, por individë me ndjeshmëri publike dhe njerëzore.
Kjo papërgjegjshmëri institucionale është njëra pamje e orientalizmit apo stadit shoqëror të botës së tretë ku është Shqipëria. Atë panik që në Perëndim e mbjellin fondamentalistët fetarë, këtu e kryejnë bombolat e gazit që janë edhe ato në llojin e tyre bomba në duar të ‘fundamentalistëve të papërgjegjshmërisë’, individë apo institucione. Ky është një terrorizëm që gjithashtu bazohet rrejshëm te një Zot (ashtu si te rastet e Parisit etj.), por në rastin tonë sipas formulës tipike shqiptare na ruan Zoti. (Imagjinojeni Zotin tek hap sytë mbi shkalafitjen e Shqipërisë për të pikasur lloj-lloj derdimeni me bombol të shpuar!). Pamja e tretë, gjithashtu sociale, mund të gjendet në radhët e kronikës gazetareske. Në lokalin e fshatit pogradecar gjendeshin 24 djem e burra dhe asnjë grua. Ky po, mund të jetë ndonjë komplot i Zotit (dhe shërbimeve të huaja) për të pakësuar të rrallët burra shqiptarë!
MAPO