Bonot sërish në rritje – Yield arrin në 2.28%
Interesat e bonove të thesarit u rritën sërish në ankandin e parë të muajit shtator, duke e bërë gradualisht më të leverdisshëm investimin në këto instrumente.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në ankandin e kësaj jave, bonot me maturim 12-mujor u emetuan me një interes mesatar të ponderuar prej 2.28%, nga 2.23% që kishte qenë interesi në ankandin e mëparshëm. Rritja e lehtë, por e vazhdueshme e interesave, po vjen kryesisht si rezultat i ngushtimit të hendekut mes kërkesës dhe ofertës gjatë muajve të fundit.
Në ankand, qeveria siguroi të gjithë shumën e shpallur për 7.2 miliardë lekë hua, ndërsa vlera totale e kërkesave arriti në rreth 7.6 miliardë lekë.
Tregu primar i letrave të borxhit qeveritar ka gjetur një lloj stabiliteti, pas disa ciklesh të luhatjeve të forta të interesave. Tregu më në fund ka gjetur ekuilibër, megjithatë duket se tendenca e interesave do të jetë në rritje, kjo duke pasur parasysh edhe konjukturën e zhvillimit ekonomik dhe financiar.
Politika monetare lehtësuese duket të ketë prekur nivelin më të ulët, ndërsa ekonomia është në gjallërim. Rrjedhimisht, pritet që kahu i normave të interesit të ndryshojë, ndoshta duke filluar që nga viti i ardhshëm.
Nga ana tjetër, gjallërimi i kërkesës dhe shëndoshja e sistemit bankar pritet të përmirësojë kreditimin, duke zhvendosur më shumë fonde në financimin e sektorit privat.
Megjithatë, për momentin, qëndrueshmëria relative e interesave të bonove favorizon ruajtjen e normave të ulëta të interesit në ekonomi.
Ekspertët nuk presin luhatje të mëdha gjatë këtij viti dhe kjo do të ndihmojë në shmangien e lëvizjeve të forta edhe në interesat e depozitave dhe të kredive bankare.