Bonusi i strehimit, kriteret dhe kategoritë që përfitojnë
Zyrtarizohen procedurat, kriteret dhe përparësitë për dhënien e bonusit të strehimit. Kështu, me anë të një vendimi të posaçëm që tashmë është publikuar edhe në Fletoren Zyrtare, qeveria ka miratuar të gjitha ato.
“Përparësi në përfitimin e bonusit të strehimit, me fondet e buxhetit të shtetit, kanë kategoritë e përcaktuara si më poshtë vijon: a) Personat me statusin e jetimit; b) Personat me aftësi të kufizuar, të cilët trajtohen në mbështetje të vendimit nr. 526, datë 6.8.2014, “Për kategoritë e personave me aftësi të kufizuara që trajtohen me përparësi nga programet sociale të strehimit”; c) Familjet e policëve të rënë në detyrë; ç) Familjet e komunitetit rom; d) Emigrantët e rikthyer; dh) Punëtori emigrant; e) Punonjësit e Policisë së Shtetit”, cilëson vendimi në fjalë. Duke shtuar edhe faktin tjetër se “përfitues të bonusit të strehimit janë të gjitha njësitë e qeverisjes vendore që aplikojnë pranë ministrisë që mbulon çështjet e strehimit, bazuar në aplikimin e tyre për: a) kërkesat e paraqitura për banesa sociale me qira; b) mundësitë financiare të njësive të qeverisjes vendore; c) listën e miratuar me vendim të këshillit të njësisë së qeverisjes vendore për familjet përfituese, me vlerën respektive financiare të bonusit”.
Por edhe duke theksuar në të njëjtën kohë faktin tjetër se njësitë e qeverisjes vendore, të cilat paraqesin kërkesën për bonus strehimi pranë ministrisë që mbulon çështjet e strehimit, duhet të plotësojnë kriteret, si më poshtë vijon: a) Nuk disponojnë në pronësi banesa sociale me qira ose, nëse ka të tilla, t’u jenë shpërndarë përfituesve; b) Të argumentojnë se buxheti vjetor i tyre nuk është i mjaftueshëm për të financuar bonusin e strehimit; c) Kanë mundësi të financojnë bonusin e strehimit, por pagesa që duhet të bëjë familja, për diferencën ndërmjet qirasë së tregut dhe vlerës së bonusit, kalon 30% të të ardhurave të familjes. Në fund, vendimi i lartpërmendur thekson se njësitë e qeverisjes vendore e llogaritin vlerën e bonusit të strehimit që financohet nga ministria që mbulon çështjet e strehimit, bazuar në përcaktimet e nenit 15 dhe shtojcës B, të ligjit nr. 9232, datë 13.5.2004, “Për programet sociale të strehimit”, të ndryshuar. “Njësitë e qeverisjes vendore, brenda datës 30 janar, të çdo viti, paraqesin pranë ministrisë që mbulon çështjet e strehimit kërkesat për bonus strehimi, të shoqëruar me kostot financiare për çdo familje, si dhe listën e detajuar të familjeve përfituesve.
Ministria që mbulon çështjet e strehimit trajton kërkesat për bonus strehimi, të depozituara nga njësitë e qeverisjes vendore, në mbështetje të kritereve të përcaktuara. Dhe ajo e financon bonusin e strehimit, të barabartë me diferencën ndërmjet qirasë minimale në tregun e lirë, bonusit të financuar nga njësia e qeverisjes vendore dhe qirasë së përballueshme nga familja, në rastet kur diferenca ndërmjet qirasë së tregut dhe vlerës së bonusit kalon 30% të të ardhurave të familjes.
KATEGORITË
Kujt do i jepet përparësi për bonusin e strehimit?
- a) Personat me statusin e jetimit;
- b) Personat me aftësi të kufizuar;
- c) Familjet e policëve të rënë në detyrë;
ç) Familjet e komunitetit rom;
- d) Emigrantët e rikthyer;
- dh) Punëtori emigrant;
- e) Punonjësit e Policisë së Shtetit.
Njësitë vendore që përfitojnë:
a) Nuk disponojnë në pronësi banesa sociale me qira ose, nëse ka të tilla, t’u jenë shpërndarë përfituesve;
b) Të argumentojnë se buxheti vjetor i tyre s’është i mjaftueshëm për të financuar bonusin e strehimit;
c) Kanë mundësi të financojnë bonusin e strehimit, por pagesa që duhet të bëjë familja, për diferencën ndërmjet qirasë së tregut dhe vlerës së bonusit, kalon 30% të të ardhurave të familjes.