Bordi i FMN-së, miratohet kësti prej 36 mln euro për Shqipërinë (po paratë ku shkojnë?!)

Bordi Ekzekutiv i Fondit Monetar Ndërkombëtar përfundoi dje shqyrtimin e katërt të performancës ekonomike të Shqipërisë nën mekanizimin e zgjatur të Fondit (EFF). Përfundimi i rishikimit mundëson një disbursim të menjëhershëm të rreth 35.9 milionë euro, duke e çuar shumën totale të disbursuar në rreth 153.1 milion euro.

Sipas njoftimit të FMN-së, publikuar në faqen zyrtare, të gjitha kriteret e performancës nga fundi i dhjetorit e deri tani u përmbushën, me një diferencë të rehatshme. “Rimëkëmbja ekonomike është duke u zhvilluar në Shqipëri, por rritja mbetet nën potencial. Niveli i lartë i kredive me probleme i bën bankat të jenë të prirura ndaj rrezikut dhe rritja e kredisë mbetet e ngadaltë, pavarësisht lehtësimit monetar. Rreziqet e programit burojnë nga presionet e jashtme dizinflacioniste, kompleksiteti i reformave të sektorit të energjisë dhe nevojës për angazhim të qëndrueshëm politik ndaj rregullimit fiskal”, citohet njoftimi i FMN-së.

Autoritetet, rekomandon FMN, duhet të mbrojnë objektivat e defiçitit buxhetor për 2015-ën nga rreziku i rënies së të ardhurave nga renta e naftës dhe presioneve të jashtme dizinflacioniste. “Reduktimi i borxhit publik në afatin e mesëm do të kërkojë angazhim politik për të mbështetur konsolidimin fiskal që nisi në 2014. Lehtësimi i kujdesshëm monetar i Bankës Qqendrore është i përshtatshëm. Adresimi i nivelit të lartë të KJP-ve është shumë i rëndësishëm për rigjallërimin e kreditimit. Fokusi mikro-prudencial në segmentet me rritje të shpejtë të sistemit bankar është i përshtatshëm. Boshllëqet rregullatore në mbikëqyrjen jo bankare duhet të plotësohen menjëherë. Ndërsa rezultatet e hershme nga reformat ambicioze të autoriteteve për sektorin e energjisë janë mbresëlënëse”, thuhet në raport.

Bordi Ekzekutiv i FMN-së miratoi një marrëveshje 36-mujore nën EFF për Shqipërinë më 28 shkurt 2014 në një shumë ekuivalente me 295.420.000 SDR (rreth 367.500.000 €, 492,4 për qind të kuotës së vendit në Fondi).

SHKARKO APP