Borxhi publik, ja sa do rritet këtë vit

Ministria e Financave ka rishikuar me rritje borxhin publik të vendit me nivelin prej 0.9% nga përllogaritjet e fillimvitit.

Sipas ndryshimeve në buxhetin e vitit 2016 të cilat kanë hyrë në fuqi një ditë më parë, mësohet se borxhi publik do të arrijë në fund të vitit 2016 në 71.8% të PBB-së nga 70.9% që ishte synimi në muajin janar i pasqyruar në Kuadrin Makroekonomik.

Në fund të qershorit 2016 stoku i borxhit publik vlerësohet në 1.067.9 miliard lekë ose  69.78% e PBB-së, nga i cili 36.09% është borxh i brendshëm dhe 32.88% është borxh i jashtëm. Por pavarësisht këtij trendi Ministria e Financave parashikon që fundi i viti të çojë stokun e borxhit në 71.8%.

Sipas të dhënave, shërbimi i borxhit në raport me PBB në gjysmën e parë të vitit karakterizohet nga një rënie me rreth 3 pikë bazë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndikim në uljen e shërbimit të borxhit ka pasur rënia e normave të interesit në tregun e brendshëm ashtu edhe në atë të jashtëm. Ndërkohë, përsa i përket pagesave të principalit vërehet një rritje e cila ka ardhur kryesisht si rezultat i stokut në rritje të borxhit të jashtëm.

Financimi i borxhit të ri do t’i rikthehet tregut të brendshëm dhe pak huave në tregun ndërkombëtar sipas planifikimeve më të fundit të Ministrisë së Financave për huamarrjen në dy vitet ne vijim.

Skenari bazë i qeverisë për menaxhimin e borxhit në dy vitet në vijim referon se, financimi i brendshëm për periudhën 2016-2018 do të jetë në nivelin e 90%-92% të totalit të financimit, ndërkohë që financimi nëpërmjet titujve afatgjatë do të synojë të rritet deri në 30%-32% në vitin 2018, nga 17% që vlerësohet në vitin 2015.

Financimi i huaj do të jetë në nivelin 8-10% të totalit të financimit dhe do të mbështetet kryesisht tek financimi i projekteve ekzistuese si edhe i projekteve të reja zhvillimore për të cilat Qeveria është angazhuar, ndërkohë që në vitin 2016 financimi i huaj do të plotësohet edhe nga mbështetja buxhetore e akorduar në kuadër të marrëveshjes me partnerët ndërkombëtarë si BB dhe FMN.

SHKARKO APP