Bota e sotme dhe problemet e saj
Me majat dhe shkëlqimet e saj, filozofia e shekullit të XXI u përcjell “me besnikëri” brezave njerëzorë modelet e arritjeve të mendimit filozofik të së kaluarës, duke braktisur si të pavlerë pikpamje konservatore apo vulgare, që ripërtypin dijet e filozofisë së shkuar. Në një kohë kur kërkohet një botkuptim i aftë për të përballuar realitetin konfliktual të botës së sotme.
Në një pamje sipërfaqësore, zhvillimi i shoqërisë njerëzore parashihet gabimisht si një zhvillim drejtvizor. Në pararojën e mendimit njerëzor, duke përcaktuar e kolauduar nevojat dhe kërkesat emergjente dhe ato perspektive të shoqërisë, nevojat shpirtërore, ekonomike, materiale e politike, qëndron dhe udhëheq filozofia. Supremacia e saj ndaj shkencave të tjera, manifestohet në vetinë që ajo zotëron në raport me shpikjet dhe mjetet që njeriu përdor në dobi të vetvetes.
Konfliktet midis botës së qytetëruar dhe asaj më pak të zhvilluar, zhvillohen në një kohë dhe në një epokë që fare mirë mund të cilësohet si epoka e globalizimit, me synimin që bota jonë konsiderohet si një shtëpi e përbashkët, apo një “familje e madhe”. Është detyrë e filozofisë të orientojë shoqërinë njerëzore nga prosperiteti e ardhmëria. Filozofinë e sotme, si në një sallë operacioni e presin një mori problemesh të mprehta nga të cilat po vuan prej kohësh shoqëria e epokës tonë; perspektiva e globalizimit të shoqërisë, disniveli teknologjik midis vendeve të zhvilluara me një industri të përparuar dhe shumicës së vendeve të pazhvilluara, konfliktet financiare për shkak të shfrytëzimit të lëndëve të para nga vendet e zhvilluara, shfrytëzimi i krahut të punës të vendeve të pazhvilluara, konfliktet për shkaqe politike apo për shkak të dallimeve kulturore, fetare, etj. Bota e sotme po ndryshomn me ritme galopante duke i hapur rrugën një sistemi “të ri” botëror, globalizimit, nëpërmjet të cilit nënkuptojmë procesin e rritjes së ndërvarësisë në mes të shoqërive, popujve dhe vendeve të ndryshme. Nuk ka dyshim, që risitë teknologjike në fushën e informacionit dhe të komunikimit, po luajnë një rol të jashtëzakonshëm në integrimet e sotme në të gjitha fushat e jetës shoqërore, aqsa jo më kot, interneti konsiderohet si një sinonim i globalizimit.
Globalizimi është një prej sfidave për të cilin, priremi ta paraqesim si një frymë të re në politikën botërore dhe si një dukuri progresive, me shpresën dhe besimin se do të kontribuojë në përmirësimin e jetës së njerëzve, njëherësh, përballemi edhe me argumente të cilat apelojnë për vlerësime të kundërta. Kjo, sepse, vendet e vogla po shfrytëzohen nga vendet e mëdha, që nga burimet njerëzore deri tek ato materiale, prej konkurencës së pamëshirshme të teknologjisë dhe kapaciteteve konkuruese që zotërojnë këto vende. Depërtimi i kapitalit ndërkombëtar mbart në vetvete edhe rrezikun për ekonomitë kombëtare të vendeve në zhvillim që mund të humbasin rolin e vlerësimit dhe të zbatimit të politikave publike. Ndryshimet e tranzicionit dhe të transformimit shoqëror të shoqërive postkomuniste të Europës, janë pjesë e procesit të globalizimit. Për këtë arsye, globalizimi, është tregues i faktit se sistemi botëror sot mund të integrojë, në mënyra të ndryshme, shoqëri dhe civilizime të ndryshme, pa marrë parasysh vetitë e tyre autentike.
Globalizimi në këto shtete, si tek të gjitha shoqëritë postkomuniste, para se gjithash, shpërfaqet si tranzicion dhe transformim shoqëror, fenomene që kushtëzohen nga transformimi i plotë shoqëror, përkatësisht me ristrukturimin në fushën e prodhimtarisë shoqërore. Proceset e tranzicionit dhe të transformimit nuk janë drejtvizore dhe të thjeshta. Për arsye se zhvillohen nëpërmes një vargu ndryshimesh të shpejta dhe të rëndësishme, paraqiten shumë komplekse dhe me veçoritë e tyre përkatëse. Tranzicioni është ndryshimi rrënjësor i sistemit drejtues e prioritar i shoqërisë. Një kusht tjetër për mbarëvajtjen e tranzicionit është edhe integrimi i suksesshëm ndërkombëtar. Përpjekjet për vendosjen e demokracisë, janë përpjekje për organizimin e shoqërive, me qëllim që të mund të realizojnë përthithjen e vlerave të reja shoqërore dhe funksionimin e shtetit ligjor në harmoni të plotë me ato.
Në dallim nga tiparet e shekujve të kaluar, ku debati filozofik ishte më i larmishëm në përpjekjet për të orientuar perspektivat e botës dhe të shoqërisë njerëzore, ku shkollat më në zë gjatë këtyre shekujve, të materialistëve apo idealistëve, të metafizikëve apo dialektikëve, intuitistëve dhe racionalistëve, krijuan një traditë të fuqishme, bota e sotme po përjeton konflikte të armatosura, (epokë në të cilën më shumë dalin në pah gjeneralët dhe drejtuesit e ushtrive se sa filizofët) ku jo rrallë here, triumfon dhuna dhe ligji i më të fortit, ku vërtetë fitorja mund t’i përkasë qoftë edhe përkohësisht më të fortit, dhe jo atij që ka të drejtë. Modelet e triumfit të forcës mjegullojnë arsyen njerëzore dhe komprementojnë keqas në jetën e përditshme misionin e vetë shkencës së filozofisë të cilën e ushqejnë për interesa antishkencore dhe antihistorike me helmin e së keqes dhe triumfin e mosarsyes duke i shkaktuar “familjes së madhe njërëzore” të globit, mijëra humbje jetësh njerëzore, fatkeqësira të mëdha dhe arketipe të prapambetura jo civilizuese të dhunës.
Filozofia e sotme e ka kapërcyer parshikimin e Hegelit që pat konstatuar se: “Çdo sistem filozofik është filozofi e epokës së vet, ajo përfaqëson në vetvete një hallkë në zinxhirin e zhvillimit shpirtëror, ajo mundet për pasojë të kënaqë vetëm ato interesa që i korrespondojnë epokës së vet”, sepse filozofia nuk është parasëgjithash vetëm shkenca që fokusohet në problemet aktuale. Duke qenë “bijë e kohës” ajo “gllabëron” dhe përpunon ekpseriencën e së kaluarës, ballafaqohet me të sotmen dhe ndriçon të ardhmen, si lajmëtare e një bote të re. Në këtë kuptim atë do ta krahasonim me një komete, në të cilën dallojmë bishtin, trupin dhe kokën e saj të zjarrtë.
Nga të gjitha shkencat, dhe më mirë se shumë prej atyre, filozofia i ka të gjitha mundësitë të bashkojë në një emërues të përbashkët kulturat e rajoneve të ndryshme të botës me misonin dhe qëllimin për të shtruar udhët e paqes dhe të prosperitetit të shoqërisë njerëzore. Duke respektuar kulturat e ndryshme, mendimin ndryshe, dallimet dhe pikëpmajet e ndryshme, ajo, më mirë se çdo shkencë tjetër, mund dhe duhet të ftojë në tryezën e rrumbukllakët të debatit dhe të konsultave për gjetjen e rrugëve të shvillimit dhe progresit, jo vetëm disa shtete dhe popuj, por të gjithë popujt me kultura, ide, ngyra dhe raca të ndryshme.
Realitetet konfliktuale shtrojnë me forcë nevojën e argumentimit, para së gjithash, idenë humane se, dialogu dhe bashkëpunimi midis kulturave të ndryshme filozofike, nuk është më një çështje preferencash apo dëshirash midis “filozofësh me mjekër”, por një domosdoshmëri dhe tipar i kohës sonë moderne. Në rradhë të parë në krye të kësaj “lufte” duhet të vihen filozofët që përpunojnë pikpamje të reja për të krijuar një vetëdije të shëndoshë filozofike, të pranueshme dhe të dobishme për të gjithë popujt e botës, të lidhur ngushtë me vlerat dhe trashëgiminë më të lartë të njerëzimit. Në këtë rrafsh, konceptet filozofike do të konkurojnë me dinjitet përballë zhvillimeve teknologjike, shkencore e politike të shoqërisë njerëzore. Tematika e epokës tonë nuk ka asnjë sekond kohë për të humbur për lançimin e mendimeve boshe dhe pa prepsketivë.
Shkenca paralajmëron shkatërrimin e planetit dhe të vetë jetës sonë njerëzore. Të vërtetën e hidhur nuk mund ta zbusin as fjalët e një mendjeje inteligjente si ajo e shkencëtarit rus Konstantin Çelkovski1, i cili, duke folur në fillimin e shekullit të njëzetë për këtë dukuri, pati thënë: Toka është djepi i njerëzimit, por kjo nuk do të thotë se njeriu do të jetojë përjetë në djepin e tij”, duke profetizuar aventurën e udhëtimeve të ardhshme ndërplanetare. Meqenëse filozofia është “lëndë” fluide e mendjes njerëzore, e shpirtit dhe botkuptimit të saj dhe që gëzon vetinë e përjetësisë, me siguri do dijë të gjejë zgjidhjet më të përshtatshme për ekzistencën njerëzore.
Por, shoqërinë tonë e kërcënojnë herë pas here luftëra me përmasa katastrofike, në një kohë kur mjaft filozofë të para dhe pas Luftës së Dytë Botërore e patën parashikuar shekullin tonë, pa luftra e dhunë. Realitet e sotme dëshmuan se dukuria e dhunës dhe e luftrave konsiderohen ende si rrugëzgjidhje për sigurimin e paqes. Pra, një paradoks i jashtëzakonshëm, ku paqja, si një e mirë e përgjithshme duhet të mbrohet dhe të arrihet nëpërmjet luftës. Jo vetëm në analizat e ndryshme ushtarako – politike, por edhe në pikpamjet filozofike, shumica e shkaqeve të ndryshme të përdorimit të dhunës dhe lindjes së konflikteve, shpesh herë veshin petkun e përplasjes së dhunshme të kulturave, midis popujve Lindje – Perëndim, apo atyre të rajoneve të ndryshme, të cilat jo vetëm i nxisin, por edhe i ushqejnë e frymëzojnë ato.
Duke qenë kështu, u takon filozofëve të ç’mistifikojnë shkaqet e përplasjes së kulturave të tyre deri në caqet e manifestimit të dhunës dhe të luftës. Në këtë këndvështrim, filozofia e kohës paraqet dy anët e saj; tërësinë e kulturave të ndryshme të popujve, me doket, zakonet dhe moralin e tyre dhe, nevojën e përbashkët ekzistencilaliste për të përballuar e kapërcyer sfidat e kohës.
FERIT BAÇA