Braçe: Bankers mos të heshtë, autoritetet të tregojnë se kush është “Stream Oil’’

 

Vazhdojnë kritikat e deputetit Erjon Braçe për autoritetet shqiptare, në lidhje me shpërthimet e puseve të naftës në Marinzë por njëkohësisht ka ngritur sot pikëpyetje edhe rreth kompanisë ‘’Stream Oil’’.

“Në tërësi, nuk ka transparencë në prodhimin e naftës në vend!! Për gjithçka dhe për çdo operator të licensuar, tansparenca nuk është standard. Askush nuk di sot se kush është ‘’Stream Oil’’!! Madje askush ndër ne nuk di sot se ç’po bën me pasurinë tonë;  marrëveshjet janë tregtuar dhe vështirë të dimë se kush i zotëron, ndërkohë që i kemi lëshuar vendburime të rendesishme nafte e gazi. Ndaj është emergjente të kthehemi atje ku thamë e duhet ta kishim nisur tek auditimi i marrëveshjeve hidrokarbure, verifikimi i zbatimit të planeve të zhvillimit, verifikimi i planeve te investimit, verifikimi i treguësve financiarë, shpenzimeve e të ardhurave posaçërisht, tatimeve te paguara dhe atyre që mungojne, Për mua: ndryshimi i raporteve të perfitimit dhe natyrisht taksimit!!”, shkruan Braçe në ‘’Facebook’’.

Braçe kryetar i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë, qeveria e të cilit është në pushtet, kërkon që të zbardhet e vërteta për “Bankers Petroleum’’ dhe ajo që ka ndodhur në Marinzë.

“Kompania ‘Bankers Petroleum’ hesht dhe nuk është transparente për operacionin e ndërmarrë në atë pus, teknologjinë e përdorur në atë pus, materialet e përdorura e lëndët e injektuara në atë pus, presionin me të cilin është punuar në atë pus, arsyen teknike të atij shpërthimi në atë pus, përbërjen e lëndëve të shpërndara prej atij pusi në një zonë të gjerë”, vazhdon më tej Braçe.

Për Braçen, Bankers-i ka thjesht një kontratë me Albpetrolin dhe ka përgjegjësinë për të zbatuar marrëveshjen, por nafta është pasuria jonë.

“Nëse hesht Bankers duhet të flasim ne: AKBN-ja që merret me burimet natyrore, ALBPETROL-I që merret me marrëveshjet, ERE-ja që licenson, çdo grup ekspertesh të instituteve dhe ish-instituteve që duheshin vënë në levizje e rikthyer fort qysh kur mikrosizmat po paralajmëronin dëme afatgjata nga teknologjia e operacioneve jo transparente të ndërmarra; në fund Ministria!! Nuk ka transparencë!! kjo irriton aq sa duket se institucionet shtetërore po presin Bankers të flasë!! Ndërkohë duhet të jenë ato që duhet të bëjnë Bankers të flasë, të kërkojnë llogari prej saj deri në detaje; të hetojnë, të ndëshkojnë, të ndryshojnë dhe të japin garanci për të ardhmen e pasurisë sonë kombëtare!!”, përfundon Braçe.

SHKARKO APP