Brazili i Dungës si një makineri, 9 fitore radhazi
Pas eliminimit nga Botërori, dhe ndërrimit të trajnerit vijon ecuria fantastike e Brazilit të Carlos Dungës. Me trajnerin 51-vjecar në krye Selecao koleksionoi fitoren 9-t në po aq takime pasi mundi 2-0 Meksikën në Sao Paolo. Brazili është duke u përgatitur për Kupën e Amerikës që do të zhvillohet në Kili nga 11 Qershori deri në 4 Korrikun e ardhshëm dhe në miqësoren ndaj Meksikës 5-herë kampionët e Botës treguan një formë shumë të mirë duke hedhur kandidaturën si një nga kombëtaret favorite për të triumfuar në këtë kompeticion.
Ishte Philipe Coutinho ai që dha avantazhin 1-0 Brazilit në minutën e 28-të. Mesfushori i Liverpoolit shfrytëzoi një asist perfekt të Filipe Luis duke realizuar më pas një gol spektakolar. 9 minuta më pas Diego Tardelli shënoi edhe golin që i coi shifrat në 2-0. I asistuar nga Elias sulmuesi i Shandong Luneng në kampionatin kinez nuk e pati të vështirë të mposhte për herë të dytë në këtë takim portierin e Meksikës Jose de Jesus Corona.
Pavarësisht përpjekjeve të Brazilit deri në fund nuk ndryshoi më asgjë në rezultat me Dungën që regjistroi fitoren e tij 9-t në 9 takime që pas rikthimit në stolin e Selacaos. Brazili do të zhvillojë edhe një tjetër takim miqësor pikërisht ndaj Hondurasit përpara debutimit në Kupën e Amerikës në ndeshjen ndaj Perusë.