BREXIT dhe e ardhmja e BE-së

Nga Albana Bano/Ishte tronditës lajmi i daljes së Mbretërisë së Bashkuar (MB/UK) nga Bashkimi Europian. Edhe pse e mirinformuar mbi përmasat e pakënaqësisë së britanikëve kundrejt qeverisë së tyre dhe BE-së, sërish shpresoja se qytetarët e ndriçuar të UK nuk do të binin pre e propagandës anti-BE që në thelb është propagandë anti-Mbretëri e Bashkuar si djep dhe qendër  e demokracisë, lirisë, prosperitetit dhe ekselencës në botë.

Përveç sa më lart, mendoja se UK nuk i intereson dalja nga Bashkimi Evropian, pasi një vendim i tillë kërcënon direkt integritetin territorial të Mbretërisë së Bashkuar. Dhe vërtet, që mëngjesin e nesërm të votimit, mbështetës të pavarësisë së Skocisë rihodhën “në treg” idenë e një referendumi të ri për shkëputjen nga UK. Kjo pasi, siç e demonstruan dhe rezultatet, Skocia mbetet përkrahëse e fuqishme e Bashkimit Europian.

Pavarësisht vendimit për shkëputjen nga Bashkimi Europian, si dhe kërkesave gjaknxehta të disa liderëve të Unionit për largimin sa më shpejt të Mbretërisë së Bashkuar, dëshiroj të theksoj se marrëdhënia midis palëve do të vazhdojë dhe për të paktën dy vite të tjera nisur nga çasti kur UK do  vendosë të aktivizojë nenin 50 të Traktatit të Lisbonës për hapjen e bisedimeve të daljes nga Bashkimi Evropian. Nga ana tjetër, mendoj se këto dy vite do t`i shërbejnë MB-së si test për të vlerësuar nëse shkëputja nga Brukseli ka qenë zgjedhja e duhur për vendin, apo një vendim i nxituar. Nuk ka pse përjashtohet mundësia që gjatë rrugës, UK të ndryshojë qëndrim dhe të kthehet sërish në Bashkimin Evropian. Ndërkohë ka gjasa për organizimin e një referendumi të dytë brenda pak muajsh, si kërkesë e mbi një milionë qytetarësh pas vetëm një dite nga rezultati i së premtes.

Meqenëse ky është rasti i parë që një vend anëtar del nga BE-ja, këto dy vite do të jenë test për Unionin, gjithashtu. Kjo periudhë do të tregojë se sa i konsoliduar është Bashkimi Evropian, sa i fuqishëm dhe i aftë të përballet me sfida të tilla ekzistenciale. Sa për vendet e tjera skeptike brenda BE-së, ato do të vëzhgojnë së pari ecurinë e shkëputjes së UK, e më pas do të marrin vendime nisur nga suksesi apo dështimi i BREXIT.

Ia vlen të thuhet se jo të gjitha vendet anëtare drejtohen nga forca pro-BE, apo kanë një publik plotësisht mbështetës për projektin evropian. Rritja e ekstremizmit, populizmit dhe gërshetimi me problemet ekonomike, ka bërë që BE-ja të luftohet nga brenda po aq sa nga forcat e jashtme të interesuara për shpërbërjen e saj (BE-së).

Nga ana tjetër, Bashkimi Evropian ka nevojë për më shumë transparencë, përgjegjshmëri dhe llogaridhënie ndaj publikut dhe taksapaguesve europianë. Kjo nevojë, së bashku me faktorin ekonomik, ishte një nga argumentet kyç që u ngrit gjatë fushatës BREXIT ku BE-ja u prezantua si një organizëm jashtë çdo kontrolli, i komplikuar dhe jo-demokratik.

Mbetet për t`u parë se ç`rezultate do të japë dalja e Mbretërisë së Bashkuar nga Unioni. A do të shërbejë ajo si katalizator i shpërbërjes së Bashkimit Evropian? Dhe konkretisht, çfarë do të sillte një copëzim i mundshëm i BE-së? Pasojat janë pafund. Po përmend vetëm disa si regresi i thellë politik; ringritja e kufijve; rikthimi i taksave, tarifave dhe barrierave tregtare; rivendosja e regjimit të vizave; shpërthimi i retorikave nacionaliste dhe rihapja e konflikteve të vjetra;  eskalimi i dhunës, etj. Gjithashtu, kolapsi i Unionit do të rezultonte në një mori shtetesh të vogla, të dobëta dhe pa peshë në marrëdhëniet ndërkombëtare. Me një fjalë, perëndimi i sigurt dhe definitiv  i vetë perëndimit.

E rëndësishme në këtë mes, është dhe e ardhmja e NATO-s. Si do të ndikonte rënia e BE-së tek kohezioni dhe fuqia e aleancës? Logjika thotë se impakti do të jetë negativ dhe do të zbehë fuqinë e NATO-s përballë sfidave të sigurisë që do të pasonin rënien e Bashkimit Evropian.

Gjithashtu, si shqiptare, më shqetëson impakti i BREXIT mbi procesin e zgjerimit të BE-së. A do ketë ai më kuptim? Po stabiliteti dhe paqja në rajon, a do të rezultojnë të qëndrueshme duke ditur se ato janë produkt i perspektivës evropiane dhe ëndrrës për t`u anëtarësuar në BE? Kjo perspektivë ka bërë që popujt tanë të lënë mënjanë retorikat boshe nacionaliste dhe të heqin dorë nga përdorimi i dhunës në zgjidhjen e konflikteve midis palëve. A do vazhdojë të jetë ky rasti? Kam frikë se jo. Por këtë çështje do ta trajtoj në një shkrim më të detajuar në ditët në vijim.

SHKARKO APP