Brexit dhe Shqipëria

Nga Lavdrim Lita/Në janar 2013, kryeministri britanik David Cameron njoftoi organizimin e një referendumi popullor për fatin e britanikëve në Bashkimin Europian (BE). Pozicioni i Britanisë së Madhe erdhi si kërkesë e popullatës të shqetësuar prej pasojave të krizës së gjatë ekonomike-financiare dhe valëve të reja të migracioneve. Në bisedimet disamujore paraprake në kryeqytetet europiane kryeministri Cameron mori mesazhe që mirëprisnin qëndrimin e  Britanisë së Madhe në BE, por kërkesat e Londrës do të merreshin parasysh vetëm nëse ishin të qarta.
Kryeministri britanik David Cameron paraqiti në samitin e Këshillit Europian me datë 18-19 shkurt një listë me katër kërkesa: 1. Ai dëshiron ta mbrojë tregun financiar britanik kundër rregullimit të tepërt nga zona e euros, ku Britania e Madhe nuk bën pjesë. Më shumë konkurrencë për BE-në përmes një lëhtësimi të barrës ligjore që rregullon tregun e përbashkët; 2. Britania nuk do t’i përmbahet më formulës së traktateve të BE-së, sipas së cilës Europa duhet të zhvillohet më tej në një bashkim gjithnjë e më të ngushtë; 3. Parlamentet kombëtare duhet të marrin një rol më të madh në vendimmarrje europiane ; 4. Qytetarët e BE-së që vendosen të jetojnë në Britaninë e Madhe mund të përfitojnë prej shërbimeve sociale si vetë britanikët, vetëm pas katër vjetësh. Qeveritë e tjera të BE-së me vështirësi jo të vogla lejuan lëshime në negociatat me Londrën ku pika më e debatuar ishte kufizimi i shërbimeve sociale për emigrantë të brendshëm të BE-së, një problem ky për shtetet lindore të Unionit, sepse nga këto vende kanë emigruar shumë vetë në Britaninë e Madhe për të punuar. Kufizime të tjera do të ketë edhe për emigrantët e ardhur nga vendet kandidate për në BE, duke përfshirë një numër të konsiderueshëm të emigrantëve shqiptarë në Britani.
 
Nga marrëveshja me BE Britania e Madhe siguroi që ajo nuk do të jetë e detyruar për një integrim të mëtejshëm politik brenda BE-së (sovraniteti); Britania e Madhe mund të aplikojë një mekanizëm mbrojtës që do të shtrëngonte për katër vite rresht përfitimin e ndihmës sociale nga qytetarët e tjerë europian. Ndërkohë, vendet e tjera do ta aplikojnë këtë gjë për një periudhë shtatëvjeçare (ndihma sociale/lëvizja e lirë); Miratimi i një mekanizmi për të zgjidhur shqetësimet e vendeve joanëtare të eurozonës duke u dhënë mundësinë të diskutojnë për gjithçka që ato mendojnë se u dëmton interesat (qeverisje ekonomike); Britanisë së Madhe iu garantua siguria se BE-ja do të kërkojë përmirësimin e konkurrueshmërisë së saj, do të shkurtojë burokracitë për bizneset, do të vazhdojë një politikë tregtare ambicioze, do të nxisë sipërmarrjen dhe do t’i japë shtytje krijimit të vendeve të reja të punës (konkurrueshmëria).
 
Mbi bazën e kësaj marrëveshje, qeveria e Britanisë se Madhe deklaroi mbajtjen e një referendumi me pyetjen për të ‘Qëndruar’ apo për tu ‘Larguar’ nga BE. Referendumi Britanik i 23 qershorit 2016 është temë debatesh në të gjithë vendet perëndimore që preken drejtpërdrejtë ose indirekt nga rezultati i referendumit. Debatet në ligjërimin publik britanik përqëndrohen në tre tema të mëdha: efektet në ekonomi, efekti në politikën e jashtme dhe në sigurinë kombëtare. 
 
  1. Referendumi britanik, BE dhe procesi i zgjerimit
 
Në qendër të BE, dhe në qendër të marrëdhënies së Britanisë me kontinentin europian, është tregu i përbashkët. BE është partneri i parë dhe më i madhi i Britanisë, e përllogaritur në 45% të eksporteve dhe 52% të importeve në 2014, si dhe tregu i përbashkët europian (TPE) me më shumë se 500 milion konsumatorë. Eksportet totale të Mbretërisë së Bashkuar në BE janë ekuivalenti i 13  % të PBB-së së Britanisë, por se shifra ekuivalente për BE-në është vetëm 3 % , që do të thotë se Britania ka nevojë për akses në këtë treg. Banka e Anglisë raportoi në parlamentin britanik se dalja e Britanisë mund të ngadalësojë rritjen ekonomike, të shkaktojë një rënie të sterlinës dhe mund të nxisë presione inflacioniste.  Nga ana tjetër largimi i mundshëm i Britanisë nga TPE do të ishte një tronditje edhe për të gjithë anëtarët e BE.
Britania e Madhe pa votë në vendimmarrjen e BE do të duhet rishikojë pozitën e saj globale dhe në të njëjtën kohë BE-ja do të dobësohet në planin ndërkombëtar. BE do të shikohej si një partner i dobët në tryezën ndërkombëtare. Pesë ish-shefa të NATO-s dhe trembëdhjetë ish-Sekretarë Shteti të SHBA-ve kanë paralajmëruar për një ndërlikim të marrëdhënieve Atlantike.  Fragmentarizimi i BE në një kohë sfidash globale do të jepte një efekt kaskadë në recesionin ekonomik, në krizën financiare në eurozonë, në fenomenin migrator, mbi terrorizmin dhe kërcënimet nga Rusia.
 
Ndërkohë korniza ligjore e një dalje të mundshme të Britanisë së Madhe nga BE mbështetet parimisht nga neni 50 i Traktatit për Funksionimin e BE, që përcakton se, “Çdo shtet anëtar mund të zgjedhë të tërhiqet nga Bashkimi në përputhje me kërkesat e tij kushtetuese”. Por procesi vazhdon me negociatat me vendet e tjera anëtare të BE-së, mbi kushtet e tërheqjes dhe brenda dy viteve vendi duhet që të ketë arritur një marrëveshje me BE-në. Duke qenë që rasti i Brexit do të ishte hera e parë që ky proces do të vendosej në zbatim, askush nuk mund ta parashikojë nëse dy vjet janë një periudhë e mjaftueshme për të arritur marrëveshjen. Disa ekspertë britanikë kanë filluar të shqetësohen për faktin që kjo çështje është komplekse dhe e vështirë të përmbyllet brenda periudhës së përcaktuar nga ligji dhe kjo do të pasonte një fazë tranzicioni që do të rriste pasigurinë juridike dhe ekonomike të kontinentit. Traktati i tërheqjes nga BE miratohet nga Këshilli Europian me shumicë të kualifikuar e ratifikohet më pas nga Parlamenti Europian dhe parlamenti vendas. Britania e madhe në rast të skenarit Brexit nuk do të ftohej ose të votonte në Këshillin e Ministrave të BE për të diskutuar daljen e saj apo marrëdhëniet e tjera me të. Alternativa e fundit do të ishte një dalje e pakontrolluar me tërheqje nga të gjitha marrëveshjet dy palëshe që do të shtonte pasigurinë si për bizneset britanike, ashtu edhe ato europiane.
 
Institucionet europiane do të duhet të përballeshin me një tjetër krizë besimi në tregjet ndërkombëtare derisa Britania dhe BE do të arrinin një marrëveshje për tregtinë e lirë mes tyre. Gjithashtu të gjitha energjitë e institucioneve europiane dhe liderëve të saj do të duhet të përqëndroheshin për të shmanguar “efektin domino” të referendumeve të tjera të kërkuara nga rritja eksponenciale e partive euroskeptike, që të në të njëjtën kohë janë kundër emigracionit nga vendet e tjera jashtë BE-së, të inkurajuara nga dalja e mundshme e Britanisë së Madhe.
 
Rezultati i referendumit do të ketë një impakt të madh për vendet kandidate për antarësim në BE. Britania e Madhe është një mbështetëse e fortë e antarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, pavarësisht qëndrimeve strikte për të plotësuar kushtet e vendosura nga Komisioni Europian. Vendet kandidate në rast largimi të Britanisë do të humbisnin një mbështetëse të tyre brenda BE. Mbështetja e Britanisë së Madhe për zgjerimin lind për shkak se zgjerimi i BE, në këndvështrimin strategjik të Londrës, është një lëvizje shmangëse nga thellimi i bashkëpunimit të ngushtë në nivel europian, pasi sa më shumë anëtarë, aq më e vështirë është për t’u menaxhuar në nivel politik.
 
Në të njëjtën kohë, procesi i zgjerimit do të pësonte një ndryshim thelbësor në arkitekturën dhe brendësinë e saj si pasojë e reagimit të BE ndaj rezultatit të referendumit. Tema e zgjerimit të BE do të kalonte në plan të dytë dhe vendet e Ballkanit Perëndimor do të humbin fuqinë e forcës transformuese të procesit të integrimit. Nga ana tjetër Britania e Madhe që ka fuqi ndikuese në Ballkanin Perëndimor përmes BE do të ulte ndikimin e saj në rajon, sidomos në normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
 
Në samitin e organizuar në Londër nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim në shkurt të 2016 liderët e Ballkanit Perëndimor u shprehën se mbështesin qëndrimin e Britanisë së BE sepse kjo ishte një garanci më shumë për rrugën e integrimit europian të rajonit.
 
  1. Brexit, Referendumi britanik i parë nga Tirana
 
Shqipëria hyri në debatin e referendumit Britanik përmes një deklarate të kryeministrit Edi Rama në 22 shkurt të 2016 në samitin e Londrës, ku u shpreh se, “Nëse Britania largohet (nga BE), ne jemi gati ta zëvendësojmë atë. Por nuk besoj se do të ndodhë kjo”. Më pas, thirrja e Shqipërisë në debat erdhi në muajin prill kur ministri britanik i drejtësisë, Michael Gove mori si shembull Bosnje-Hercigovinën, Serbinë, Shqipëria dhe Ukrahinën si model marrëveshje për tregtinë e lirë me BE. Përveç Ukrahinës, Bosnje-Hercigovina, Serbia dhe Shqipëria janë tre vende kandidate për integrimin në BE dhe kanë firmosur një marrëveshje të tregtisë së lirë me BE, përmes asaj që quhet marrëveshje e Stabilizim – Asocimit (MSA), që lejon shkëmbimin e lirë të mallrave dhe shërbimeve financiare pa qenë anëtarë. Mbështetësit e fushatës “Leave” ose për largimin, e kanë parë këtë marrëveshje tregtare të replikueshme edhe për Britaninë e Madhe në lidhje me BE, ndërsa mbështetësit e fushatës “Remain”, ose për qëndrimin e kanë ironizuar e ekzagjeruar këtë pozicion si të pamundur për t’u krahasuar duke marrë në total modelin shqiptar, si model i një vendi të korruptuar e të varfër.
 
Shqipëria në këtë kontekst nuk do të ishte e interesuar për daljen e Britanisë së Madhe nga BE:
 
Në aspektin e jashtëm: Në rast të një skenari Brexit, vëmendja e Britanisë do të përqëndrohej tërësisht tek rivendosja e marrëdhënieve të të gjitha formave me shtetet anëtare të BE, çka do të thotë më pak vëmendje ndaj rajonit të Ballkanit Perendimor. 
 
Frenimi i procesit të zgjerimit nga dalja e Britanisë së Madhe do të ulte mbështetjen financiare dhe politike të BE ndaj rajonit tonë, si dhe ritmi i vendeve kandidate për të bërë reforma do të ngadalësohej në mungesë të ‘karrotës’. Brexit do të shoqërohej me paqartësi në rritje në rajon, ku shtete që aktualisht kanë qeveri pro-europiane do të humbin terren kundrejt partive që janë për një alternativë tjetër orientimi. Serbia që sot ka një qeveri “pro-europiane” do të humbiste terren kundrejt partive të tjera radikale e nacionaliste me orientim rus. Rikthimi i nacionalizmit shovinist në rajon nuk është i pamundur në mungesë të një ideje konkrete europiane. Alternativa politike dhe qeverisëse të afrimit me Rusinë do të merrte mbështetje në Ballkanin Perëndimor dhe kjo do të kishte impakt negativ në pavarësinë e Kosovës dhe faktorin shqiptar në rajon. Kosova ka marrë mbi 2 miliardë euro ndihmë nga BE-ja që nga viti 1999 dhe me daljen e Britanisë nga BE mbështetja financiare do të ridimensionohej.
 
Në aspektin e brendshëm: Integrimi europian i vendit në BE është doktrina e vetme për të cilën palët politike në Shqipëri kanë një minimum konsensusi, edhe pse janë ndajnë këndvështrime të ndryshme në mënyrën dhe shpejtësinë për të marrë nisma pro-europiane. Kriza e projektit të BE do të ulte ritmin e reformave të qeverive shqiptare sepse reformat kanë kosto politike dhe elektorale. Raportet e progresit të BE për Shqipërinë janë pikënisje të reformave të mëdha në vend, duke parë së fundmi mbështetjen e reformës në drejtësi, elektorale dhe në administratë. Legjitimiteti i reformave ligjore për procesin e integrimit europian do të mungonte dhe lufta politike do të ishte edhe më e polarizuar se sa është aktualisht. Përveç aspektit të reformave, dalja e Britanisë së Madhe nga BE dhe reagimi i kësaj të fundit me krizën më të re do të kishte edhe kosto financiare për Shqipërinë. Ekonomia britanike do të pësonte një frenim të rritjes së saj, ku eksportet britanike do të pësonin një ulje përshkak të rivendosjes së tarifave me BE dhe për rrjedhojë shumë vende pune do të shkurtoheshin, ku më pak i mbrojtur është komuniteti shqiptar që përcjell kursimet e saj në ekonominë shqiptare përmes remitancave. Ulja e remitancave nga emigrantët shqiptarë në Britani do të ishte një e ardhur më pak në ekonominë shqiptare.  Dëri më sot qeveria shqiptare nuk ka një studim të publikuar, në rast të ndryshimit të skenarëve në projektin europian, dhe për rrjedhojë sjellja e saj do të vijojë të jetë spontane dhe reaguese ndaj proceseve të mëdha transformuese.   
 
 Konkluzione
 
Një dalje e Britanisë së Madhe (Brexit) do të impononte kosto të mëdha ekonomike mbi shtetet anëtare të BE-së, vendet kandidate dhe atyre që aspirojnë për t’u integruar në BE. Efekti domino i daljes së Britanisë së Madhe nga BE do të shoqërohej me rritje të ndikimit të partive euroskeptike që mund të kërkonin referendume të tjera për të dalë nga BE, që do të dëmtonte në mënyrë të pashmangshme projektin europian, si një projekt paqeje dhe prosperiteti ekonomik. BE do të merrte shumë kohë në rindërtimin e institucioneve të saj, duke lënë në plan të dytë proçesin e zgjerimit me antarë të rinj. Gjithashtu do sillte një çarje Brenda vetë Britanisë, pasi Skocia me shumë gjasa do të shkëputej dhe është e paqartë fati i Irlandës së Veriut dhe Uellsit dhe kjo mund të krijonte një zinxhir domino me pasoja të paparashikueshme edhe për Ballkanin Perëndimor në përgjithësi dhe Shqipërinë në veçanti
Procesi i zgjerimit të BE drejt vendeve të Ballkanit Perëndimor do të ndalonte për një kohë të pacaktuar, duke i lënë hapësirë një ekuacioni me shumë të panjohura, ku forca të tjera të jashtme synojnë të ndikojnë zhvillimet gjeopolitike të rajonit dhe për rrjedhojë të forcojnë partitë anti-europiane dhe ultranacionaliste.
Interesi strategjik i Shqipërisë përkon me filozofinë e projektit europian të integrimit të rajonit në një organizatë vlerash të përbashkëta, që përafron popujt në paqe.  Shqipëria do të refuzonte në planin afatshkurtër të realizonte reforma me kosto të mëdha financiare dhe sociale në mungesë të paqartësisë dhe vënies në dyshim të projektit europian në qendër. Shpërblimi për reformat do të mungonte dhe kostot politike dhe elektorale do të ishin të pa mbështetura nga forcat politike.

SHKARKO APP