Brexit, referendumi Britanik i parë nga Tirana
Lajme E Enjte, 22 Prill 2021 00:54
Nga Lavdrim Lita/Referendumi Britanik i 23 qershorit për qëndrimin apo daljen nga Bashkimi Europian është temë debatesh në të gjithë vendet perëndimore. Rezultati i referendumit është i pamundur për t’u parashikuar. Për këtë arsye aktori kyç në politikën botërore si presidenti i SHBA-ve, Barack Obama apo ekspertë të sigurisë si ish-drejtori i shërbimit sekret britanik MI6, Sir John Sawers, kanë deklaruar se pozicioni i Britanisë në botë mund të cënohet me daljen nga Bashkimi Europian. Argumentet në shtypin britanik mbi referendumin rrotullohen e përzien rreth çështjeve ekonomike, politikës së jashtme dhe sigurisë kombëtare.
Mbështetësi i daljes nga Bashkimi Europian, ministri britanik i Drejtësisë, Michael Gove deklaroi se nuk duhet të ketë frikë për çëshjet ekonomike sepse Britania e Madhe mund të marrë modelin e Shqipërisë për sa i përket tregtisë së lirë pa antarësim në BE. Futja e Shqipërisë në debatin e referendumit britanik është një fakt për të cilin shumë e shikojnë si një shaka e humorit të zi anglez dhe disa të tjerë si një mundësi e artë për të çmontuar tezat e atyre që kërkojnë të largohen nga BE.
Nuk e di nëse, ministri britanik i Drejtësisë, Michael Gove përpara se të merrte shembull Shqipërinë si model për tregtinë me BE kishte lexuar një deklaratë të shkurtit të kryeministrit shqiptar Edi Rama në samitin e organizuar nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim në Londër, ku tha se: “Nëse Britania largohet, ne jemi gati ta zëvendësojmë atë. Por nuk besoj se do të ndodhë kjo”. Por pas deklaratës serioze së ministrit Gove në fund të prillit, kryeministri Edi Rama do të shprehej se, “qëndrimi i Britanisë në Bashkimin Europian është gjëja më e mirë për Europën, por edhe për Shqipërinë”.
Megjithatë rezultati i referendumit do të ketë një impakt të madh për vendet kandidate për antarësim në BE. Mbretëria e Elizabetës ka qenë një mbështetëse e fortë e antarësimit të Ballkanit Perendimor në Bashkimin Europian, pavarësisht qëndrimeve strikte për të plotësuar kushtet e vendosura nga Komisioni Europian. Në të njëjtën kohë, procesi i zgjerimit do të pësojë ndryshim thelbësor si pasojë e reagimit të Bashkimit Europian ndaj rezultatit të referendumit.
Shqipëria, në këtë kontekst nuk është e interesuar për daljen e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian. Interesi strategjik i vendit përkon me filozofinë europiane të integrimit të rajonit në një organizatë vlerash të përbashkëta, që afron popujt në paqe. Paqja në rajon pa vizionin e integrimit në Bashkimin Europian do të ishte e rrezikuar. Ofertat për orientim gjeopolitik në krah të Rusisë, Kinës apo Turqisë nuk mungojnë në rajon.
Kësisoj, referendumi i Britanisë së Madhe i parë nga Tirana mund të duket si cështje luksi, por nuk është kështu. Leverdia jonë nga dalja e Mbretëreshës nga shtëpia e vlerave europiane është e barabartë me zero. Efektet e dallgës së daljes së Britanisë nga organizata ku aspirojmë të aderojmë do të ishin shqetësuese. Këtë gjë e provon fakti, që pas deklaratës së presidentit të KE Juncker se gjatë mandatit të tij nuk do të kishte antarësime, ritmi i vendeve kandidate për të bërë reforma u ngadalësua shumë sepse qeveritë e këtyre vendeve janë jo të gatshme të bëjnë reforma që kanë kosto elektorale dhe kapitali politik. Pra, është e sigurtë që interesi qytetarëve të vendeve të rajonit tonë dhe sidomos Shqipërisë është që procesi i zgjerimit të BE dhe reformave në vend të mos ngadalësohet, përkundrazi!
* Koordinator në Eu Policy Hub.