Brez pas brezi…
Fejton /Nga Thoma Goga
Ka shumë kuptime, pas kuptimit të parë të fjalës “Brezi”. Por, pa hyr në “çairet” e gjuhëtarëve, dua të përqas disa dukuri shoqërore që lidhen shumë me këtë fjalë.
– Duke pirë raki e ngritur dolli, dollibashi urdhëron që “të marrin nga një brez”. Kuptohet; brez mezeje se ndryshe rakia të merr tepelekun.
– I futa një brez bukë sa për duhan,- i thoshte një shok shokut të tij.
– Kurse unë doja të hipja në fik, të haja një brez fiq, po jam sëmurë nga brezi e nuk ngjitem dot.
– Për një boksier fitues thuhet se mori “Brezin e artë”.
– Kurse brezi i vjetër ka fjalë të arta për shkak të përvojës jetësore, por me nder jush, të tjerët i fusin një brez po… poshtërimesh. “Ik ore, brez i shkundur”, “Brez i rrjedhur”, “Brez i …” etj., etj..
Që këtej të kalojmë te përgjithësimet. Legjendat kanë kaluar brez pas brezi që kanë ardhur deri në ditët tona. Brezi i vjetër e bën detyrën duke ia transmetuar një brezi më të ri. Ky i riu, po nuk diti, as që e merr mundimin t’i trashëgojë.
“Fjalët e urta” quhen të tilla se mbartin mençurinë dhe filozofinë e popullit brez pas brezi. Kështu dhe në historinë e madhe çdo brez ka vënë nga një brez guri në “kalanë” e një kombi apo të një shteti. Që nga koha e Skënderbeut, apo dhe më herët, brezat vunë breza guri, mençurie dhe sakrifice. Më pas patriotët e mëdhenj të Lidhjes së Prizrenit apo dhe brezat e luftëtarëve për liri e ngritën edhe më shumë brezin e kombit. Kulmin e arriti Plaku i Urtë, Ismail Qemali dhe patriotët e tjerë të brezit të tij me shpalljen e Pavarësisë. Ky, për mendimin tim, është “Brezi i artë”. Luftërat dhe fitoret e popullit çimentuan brezin e tyre të lavdisë. Të mos e harrojmë çlirimin e vendit më 1944 dhe atë brez trimash që dhanë edhe jetën. Meqë ra llafi, kur jemi çliruar; më 28 apo 29 nëntor? Ja, për një ngjarje të madhe krijohen dy “breza”. Nejse, atë e kanë vendosur ata që bënë luftën. Ja që këtu fillon halli i madh. Po na ndodh si me pëlhurën e Penelopës; atë që e thurte ditën, e prishte natën…
Disa “ideologë” të brezit pas ‘90-ës donin ta fillonin nga niveli O (zero) “historinë e kombit”, (nënkupto “historinë e tyre”). Dhe kjo ishte “shpikja” më absurde. “Të prishen uzinat e kombinatet se janë të brezit komunist”. Dhe njerëzit u hodhën në rrugë pa punë. Po për t’i privatizuar ato vepra zgjatën thonjtë, morën e zhvatën sa deshën. Këtu nuk u prishte punë “ngjyra e brezit komunist” që i kishte ndërtuar…“Të prishen kanalet dhe bonifikimet” dhe e keni parë si ndodhin përmbytjet. U prishën brezaret me limona e portokalle në bregdetin e jugut që i ndërtuan brez pas brezi mijëra të rinj nëpër aksione. “Të prishet…”, por harrohet se për t’i ndërtuar të gjitha ato, brezat kanë derdhur djersë, sakrifica e mbi të gjitha paratë e popullit. Dhe rifilloi kështu pa asnjë logjikë ekonomike, ajo që është quajtur si “lufta e brezave”. Disa thonë se “në brezin tonë” u krijuan kryeveprat e këtij apo atij lloj arti. Dhe nxituan të thurin historitë për të “hyrë” në histori si prishës të brezit të gurit që vunë brezat e mëparshëm. Them kështu se koha këta lloj “idhujsh” i rrëzon shpejt. Nuk thoshte kot Migjeni i madh; “Idhuj pa krena”, që treteshin se ishin prej kristale bore. Sipas atyre “idhujve”, brezat e tjerë paskan ngrënë nga një brez bar… Ndërsa historia e vërtetë i hedh në koshin e plehrave, duke ngritur “brezin” e mbeturinave…
Ka ardhur një brez tashti që të këput në brez. Në këtë brez gjen me shumicë ca “kokrra” që, pa mbaruar de fakto shkollën e mesme, hidhet në “brezin” tjetër; në të lartën. Meqë nuk e “përtypin” dot gjithë këtë shkollë, i fusin një brez parash dhe e blejnë diplomën, siç blejnë byrekët. Më të shkathët e këtij brezi blejnë nga dy e tre “byrekë- diploma” njëherësh. Varet nga “brezi” i kuletës… Dhe ngatërrojnë grurin me thekrën, çlirimin me pavarësinë, Çajupin e bëjnë vëlla me vëllezërit Frashëri. Ose si një studente që kur e pyeti një TV, nuk e dinte pse ishte 7 Marsi e mbroçkulla të tjera. Mirë, mirë po e dini se ku përfundojnë? Si të paaftë bëhen servilë, pastaj…Mos u çudisni, se dhe koha po e vërteton, që këta lloj “rripash” përfundojnë edhe te ajo salla e madhe e baballarëve të kombit… Madje ka nga ata që i bëjnë lesh arapi fjalimet edhe kur ua shkruajnë ata të brezit tjetër. Kuptohet; brezi i vjetër. Eh, gjuha kocka s’ka, po kocka thyen!… Ndaj fabulisti shkruan:
“Brez pas brezi shkon e thëna, qengji i mirë pi dy nëna. Po ju s’dini më të renë, pi servili gjithë kopenë…”. Ja kështu edhe këta, dashur pa dashur, po e bëjnë historinë e brezit të tyre… Ndaj të mençurit thonë “mjerë vendi në dorë të kujt brezi bie”. E punë e madhe! Kur t’i dalë gjumi e ta kuptojë populli, kanë kaluar ca breza… Pastaj nuk i mbetet gjë tjetër sovranit, vetëm t’i fusë prapë një “brez bar”…