Britania e Madhe e vogël dhe Europa më e vogël!

Nga Arian Galdini/Britania e Madhe e vogël dhe Europa më e vogël! Nga Arian Galdini Demokracia e Athinës së lashtë u bë modeli frymëzues për shumë etër kombesh në shekujt e vonë të zgjimit Europian. Por E Drejta Romake u bë themel i demokracisë së garantuar nga një Shtet i drejtë. Roma mbetet këndi i parë i një bote të re ku barazia para ligjit i vendos të gjithë potencialisht në të njëjtën pikënisje. Magna Karta dhe Common Sensi padiskutim e vendosën Britaninë si këndin e dytë për një botë më të drejtë. Dhe Kodi Civil i Francës plotësoi këndin e tretë. Ky trekëndësh ishte edhe modeli që përsosën Etërit Themelues të SHBA. George Washingtoni kishte model Sinsinatin. Thomas Jeffersoni ishte Ambasador i SHBA në Francë. Dhe të gjithë Etërit së bashku njihnin mirë sistemin Britanik. Po njëlloj edhe baballarët e Europës së pas L2B, e ngritën ëndrrën e tyre të një Tregu e paskëtaj Familjeje të përbashkët me sytë nga modeli rrezatues i këtij trekëndëshi, E drejta Romake, Common Sense dhe Kodi Civil.

Francezët si gjithmonë nopranë, fillimisht ngurruan tia hapnin portën e Familjes Europiane pikërisht kombit të Magna Carta dhe Common Sense. Donin këndin britanik si vizion e frymëzim për një Europë të re, por nuk quanin Britaninë si pjesë të Kontinentit. U deshën shumë vite negociata që këndi dhe kombi britanik të bëheshin pjesë e Shtëpisë së re Europiane. Kjo Europë e kompletuar në formë, përbërje e përmbajtje, u bë ëndërr për këdo. Në fakt u bë edhe një pikë graviteti që nuk la kombet e botës ish-komuniste të binin në errësirë, sepse u dha një aspiratë të re. Shpërbërja e Perandorisë Komuniste, nuk i tërhoqi dot kombet drejt humnerës, sepse Shtëpia Europiane u kthye në shpëtim për ta. Projekti i Integrimit Europian dhe proçesi i Europianizimit të këtyre kombeve u shndërrua me shpejtësi në mekanizmin transformues dhe ringritës të këtyre kombeve të sapo dala nga kalvari komunist. Disa prej këtyre kombeve ia dolën shpejt. Hynë në Shtëpinë Europiane dhe u bënë të barabartë me çdo francez, gjerman, italian apo britanik. Brukselin e bënë Kryeqytet të dytë dhe udhëheqësit e tyre u ulën në tryezat e udhëheqjes së BE me po të njëjtën barazi si edhe Merkeli, Cameroni, Renzi, Hollande, e të tjerët para tyre. Të vetmit që ecën ngadalë e nuk ia dolën dot ishim ne 6 vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia dhe Bosnje-Hercegovina. Ne bëmë edhe luftë me njëri-tjetrin, duke përjashtuar këtu vetëm Shqipërinë. Por edhe Shqipëria kaloi vitin e trishtë 1997 dhe atë 1998.

Ne i shkaktuam kaq shumë dhimbje e viktima njëri-tjetrit. Ne proçesin e rënies së Perandorisë Komuniste Sovjetike, e vijuam edhe me shpërbërjen e ish-Jugosllavisë. Ne projektit të ri Europianizues, i mbivendosëm mikroprojektet tona shtetkrijuese. E si ngahera në histori, ne ballkanasit dimë të ndërtojmë shtëpi vetëm duke vjedhur në tokë e pronë të fqinjit. Të vetmit që nuk u përfshinë në këtë mpleksje pretendimesh territoriale ndaj fqinjëve ishim e mbetemi, ne shqiptarët. Serbët donin ngado të kafshonin. Të tjerët vetmbroheshin dhe herë pas here ndodhte të kafshonin mbrapsht. Europa e trekëndëshit Romë – Britani – Francë dhe me fuqinë ekonomike të Gjermanisë, nuk i kuptonte më a nuk donte ti kuptonte këto andralla e kthina konfliktualiteti dhe urrejtjesh ballkanike. Ndaj pas vitit 1997 ofroi Paktin e Stabilitetit si shteg europianizimi për Ballkanin. Shtegu i ri vetëm sa krijoi një hendek të ri. Pak vende, vetem 6, një popullatë modeste e tyre, sa popullara e njerit a 2 prej Kryeqyteteve Europiane, nuk mund të ktheheshin në një lojë kaq poncpilatiste e Europës me to. Europa u dha një ëndërr dhe u vendosi edhe një mal të lartë me hendeqe për të kaluar. Këto 6 vende u endën, nëpër labirintet e Paktit të Stabilitetit, e MSA, e pastaj së fundmi u sorollatën nëpër sallonet e sajuara të Projektit të Berlinit dhe askund nuk shihnin Tokë Europiane për anijen e tyre plakë e velëgrisur.

E megjithatë Projekti i Integrimit Europian mbetej ylli polar për këto 6 vende. Trekëndeshi shpirtëror dhe ideor Romë – Britani – Francë mbeteshin modeli i një Europe fantastike, shtepie të ëmble shtëpi, ku duhej mbërritur me se s’bën. Deri në dt 24 qershor 2016. Europa e pas 24 qershorit, është krejt ndryshe. I mungon këndi britanik. Frymëzimi pa trekëndëshin, gjymtohet rëndë. Sepse ka rënë modeli. Ndoshta Europa vazhdon, por modeli ka rënë. Le ta themi haptazi këtë të vërtetë. Trekëndëshi i ri Europian me Berlinin si kryeqoshe të Europës së re, është një model që ra në Athine. Ra me mungesën e solidaritetit dhe fuqizimin e bankierëve. Ra me lenien në baltë të Greqisë, Italisë, Spanjës, Portugalisë. Ra me kërkesën e vazhdueshme të Berlinit që Britanikët dhe Francezët bashkë me Italianët të vuanin e paguanin shtrenjtë mbajtjen e Shtëpisë së Përbashkët Europiane, ndërkohë që vetë Berlini duhej vetëm të komandonte. Ra me zbehjen e këndit italian, kur trekëndëshin komandues në BE e krijuan Britanikët, Francezët me në krye Berlinin. Ra sepse u bë shtëpi plot dritëhije. Edhe Papa Françesku nuk po e kuptonte më këtë shtëpi sesi ishte katandisur. E të mendosh, që deri para ca dekadash, Vatikani mbahej si dhoma e nderit në Shtëpinë Europiane. 24 qershori, ka sjellë një gjendje të re, e ku i dihet ndoshta një mundësi për një ëndërr të re. Pas 24 qershorit, Britania e Madhe mund të bëhet më e vogël, sepse mund të humbasë Skocinë dhe Irlandën e Veriut e ndoshta edhe vetë Wellsin. Mundet po, mundet jo.

Nuk i dihet. Por sado e vogël të bëhet Britania, ajo e ka këndin e saj të madh. Ajo la të lirë një Referendum që mund të kosniderohet edhe si Referendumi më i ndriçuar e mësonjës në botën moderne për sot e brezat që vijnë. Ky Referendum kishte moton: Fundi le ti vijë botës, vetëm demokracia të mos cënohet. Dhe ishte kaq i bukur ndonëse edhe kaq i dhimbshëm e dëshpërues për rezultatin e tij. Nuk bëhet kurrë i vogël një komb e vend që jeton nën këto parime e frymëzim. Ndërsa Europës iu zbeh e sotmja e nuk ka sesi ta shpëtojë të nesërmen po nuk rindërtoi me shpejtësi një ëndërr të tillë të këtyre vlerave që modeloi përsëri Britania. Europa pa trekëndëshin shpirtëror është një Europë e kalbët, aspak tërheqëse dhe që do shkojë drejt ngirtjes së hendeqeve e barrierave të reja që të mos ia shohin vyshkjen. Pegida dhe Ekstremistët e Gjermanisë, Le Peni në Francë, 5 yjet në Itali, janë vetëm një fillesë e dekadencës ku mund të bjerë Europa pa trekëndëshin shpirtëror. Ndaj ne shqiptarët e kemi detyrim historik, kulturor, kombëtar dhe politik që të fillojmë të mendojmë për ëndrrat dhe aspiratat tona.

Deri tani kemi qenë vonestarë të pandreqshëm e të papërgjegjshëm dhe kemi mbetur pothuajse gjithherë si kombi pa shtëpi. As kemi ndërtuar dot shtëpinë tonë Kombëtare, e as jemi bërë dot as pjesë e Shtëpisë së Lindjes, e as Perëndimit. 24 qershori britanik, mund të jetë ndoshta një thirrje ultimative për ne shqiptarët që të ngrihemi në këmbë dhe të mendojmë për shtëpinë tonë. Të përcaktohemi qartazi se shtëpia jonë është Perëndimi dhe ta bëjmë shtëpinë tonë Perëndimore. Rrugët gjenden nëse ne ulemi së bashku për ti gjetur ato, perëndimorimisht, si njerëz dhe komb aspiratash dhe parimesh. Referendume të tipit: Botës le ti vijë fundi, vetem demokracia të mos cënohet, mund të jenë një zgjidhje nëse ne do të ulemi bashkë, mendojmë bashkë, rendojmë e veprojmë bashkë, ëndërrojmë bashkë dhe aspirojmë bashkë. Nëse Europa pa trekëndëshin shpirtëror nuk është më tërheqëse për ne, le të bëhemi ne SHPRESA e një Europe të re që ringrihet nga të vegjlit. Mundemi. Pse jo? Ne jemi Europë.

SHKARKO APP