BSH: Rritet besimi në ekonomi

Treguesi i besimit në ekonomi si për biznesin ashtu edhe për konsumatorin janë përmirësuar në tremujorin e dytë të këtij viti, por gjithsesi sërish mbeten poshtë mesatares historike.

Banka e Shqipërisë njoftoi se Treguesi i ndjesisë ekonomike (TNE) u përmirësua me 6.2 pikë në tremujorin e dytë, pas rënies me 5.3 pikë në tremujorin e parë të vitit 2016 . Niveli i tij aktual qëndron pothuajse në mesataren afatgjatë. Përmirësimi i TNE-së u përcaktua nga rritja e besimit në sektorin e shërbimeve dhe të ndërtimit dhe rritja disi më e lehtë e besimit konsumator.

Nga ana tjetër, Treguesi i besimit në sektorin e industrisë (TBI) vijoi të bjerë në tremujorin e dytë të vitit 2016 me rreth 0.8 pikë përqindje krahasuar me një tremujor më parë. Megjithatë, niveli i tij mbetet mbi mesataren historike me 2.9 pikë përqindje.

Dinamika e TBI-së i atribuohet rënies së dy prej balancave të tij formuese: rënie e balancës së prodhimit me 0.8 pikë përqindje dhe rënie e balancës së kontratave porositëse me 6.7 pikë përqindje. Ndërkohë, balanca tjetër përbërëse, gjendja e inventarëve , ra me 5.2 pikë përqindje, duke kontribuar në kahun përmirësues për ecurinë e TBI-së.

Treguesi i besimit në sektorin e ndërtimit (TBN) rezultoi i përmirësuar me 4.2 pikë përqindje në tremujorin e dytë të vitit. Pavarësisht nivelit më të lartë, TBN-ja mbetet 7.4 pikë përqindje nën mesataren e tij historike dhe lehtësisht më poshtë mesatares së periudhës 2008 – 2016 T1, me rreth 1.3 pikë përqindje.

Përmirësimi i besimit në këtë sektor pasqyroi rritjen e balancës për ecurinë e aktivitetit ndërtues me 9.3 pikë përqindje. Në të kundërt, balanca tjetër përbërëse e TBN-së, kontratat porositësve, shënoi një rënie të lehtë me 0.9 pikë përqindje.

Treguesi i besimit në sektorin e shërbimeve (TBSh) shfaqi dinamika të forta pozitive në tremujorin e dytë, duke shënuar rritje me 10.2 pikë përqindje krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Ai rezultoi rreth 5.3 pikë përqindje mbi mesataren historike.

Besimi më i përmirësuar në sektorin e shërbimeve reflektoi balancat më të larta të dy komponentëve të tij përbërës: ecuria e biznesit (balanca u rrit me 12.3 pikë përqindje) dhe kërkesa (balanca u rrit me 8.1 pikë përqindje). Treguesi i besimit në sektorin e tregtisë shënoi rënie me 5.5 pikë përqindje, duke qëndruar 6.7 pikë përqindje poshtë mesatares historike.

Rënia e besimit në këtë sektor u përcaktua nga rënia e ndjeshme e balancës së ecurisë së biznesit me 12.9 pikë përqindje, ndërkohë që balanca tjetër formuese e besimit – pritjet për ecurinë e punësimit në tremujorin e ardhshëm – rezultoi lehtësisht e përmirësuar me 1.9 pikë përqindje.

Treguesi i besimit konsumator (TBK) u përmirësua lehtësisht në tremujorin e dytë me 0.3 pikë përqindje, por vijoi të mbetet 1.4 pikë përqindje nën mesataren e tij historike. Balancat përbërëse të treguesit të cilat shënuan rritje ishin situata e të ardhurave dhe shpenzimeve dhe situata financiare e pritur e familjes me përkatësisht 5.0 dhe 4.0 pikë përqindje.

Në të kundërt, balancat të cilat kontribuuan në kahun rënës për ecurinë e TBK-së lidhen me pyetjet mbi blerjet e mëdha dhe situatën e përgjithshme ekonomike të pritur në vend. Balancat e tyre ranë përkatësisht me 6.5 dhe 1.2 pikë përqindje. 4 Pakësimi i inventarëve interpretohet si zhvillim pozitiv për biznesin.

SHKARKO APP