BSH: TNE u ul me 4.6 pikë në tremujorin e parë të vitit 2015
Banka e Shqipërisë, bën të ditur se, “Treguesi i ndjesisë ekonomike (TNE) ra me 4.6 pikë në tremujorin e parë të vitit 2015″.
Sipas BSH-se, kjo rënie frenoi prirjen rritëse të regjistruar që prej tremujorit të katërt të vitit 2013. Niveli i TNE-së qëndroi mbi mesataren historike gjatë tre tremujorëve paraardhës dhe aktualisht është 0.5 pikë nën mesataren afatgjatë.
Rënia e TNE-së në tremujorin e parë u përcaktua nga rënia e besimit në të gjithë sektorët e ekonomisë dhe nga rënia e besimit të konsumatorëve, raporton Banka e Shqipërisë.
Sektori i industrisë
Treguesi i besimit në sektorin e industrisë (TBI) regjistroi rënie në tremujorin e parë të vitit, për të dytin tremujor radhazi. Rënia e TBI-së prej 3.2 pikë përqindjeje u shkaktua kryesisht nga rënia e balancës së prodhimit (me 8.5 pikë përqindje). Rënia e balancës së gjendjes financiare dha një kontribut më të vogël në ulje (balanca ra me 1.3 pikë përqindje); ndërsa gjendja e inventarëve ngeli pothuaj e pandryshuar nga një tremujor më parë. Me gjithë zhvillimet negative në dy tremujorët e fundit, niveli i treguesit qëndron mbi mesataren afatgjatë dhe mbi mesataren e periudhës 2008-2014.
Sektori i tregtisë
Treguesi i besimit në tregti (TBT) ra me rreth 4 pikë përqindje në tremujorin e parë të vitit 2015. Në përkeqësimin e TBT-së ndikoi vlerësimi i përkeqësuar i bizneseve për gjendjen financiare të tyre si dhe për gjendjen e përgjithshme të biznesit. Balancat përkatëse shënuan rënie me 10.8 dhe 6.7 pikë përqindje.
Komponenti i tretë i TBT-së, gjendja e punësimit, u rrit në tremujorin e parë të vitit.
Sektori i shërbimeve
Treguesi i besimit në sektorin e shërbimeve (TBSh) ndërpreu prirjen rritëse në tremujorin e parë të vitit 2015 dhe ra me 2.4 pikë përqindje. Rënia e TBSh-së u shkaktua nga përkeqësimi i balancës së gjendjes së përgjithshme të biznesit dhe të situatës financiare. Balanca e kërkesës ka mbetur e pandryshuar nga niveli i një tremujori më parë.
Sektori i ndërtimit
Pas rritjes graduale përgjatë vitit 2014, treguesi i besimit në sektorin e ndërtimit (TBN) ra me 5.2 pikë përqindje gjatë tremujorit të parë të vitit 2015. Niveli aktual i TBN-së qëndron afër mesatares historike.
Në rënien e TBN-së gjatë tremujorit të parë ndikoi rënia e kërkesës dhe rënia e prodhimit. Balanca e gjendjes së punësimit u rrit pak, duke kontribuar pozitivisht në treguesin e agreguar.
Bie dhe besimi i konsumatorëve
Treguesi i besimit të konsumatorëve (TBK) ra me 2.7 pikë përqindje në tremujorin e parë të vitit duke konfirmuar trendin rënës të nisur në tremujorin e kaluar. Rënia e TBK-së reflektoi kryesisht përkeqësimin e balancës së blerjeve të mëdha, e cila ra me 9.2 pikë përqindjeje. Në përkeqësimin e treguesit të besimit kontribuan edhe pritjet e konsumatorëve për situatën ekonomike dhe financiare në vend. Nga ana tjetër, balanca e shpenzimeve/të ardhurave pësoi një përmirësim të lehtë gjatë tremujorit në analizë, duke ndikuar pozitivisht në TBK.