Bujqësia futet në trend rënës

Sektori i bujqësisë është futur në një trend rënës për të pestin 3-mujor radhas. Aktiviteti i Bujqësisë, Pyjeve dhe Peshkimit në tremujorin e dytë të vitit 2016, krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë, pati rënie prej 1,48%.

Ritmet e rritjes së sektorit kanë nisur të ngadalësohen qysh në vitin 2013. Sektori është përfshirë në një sërë vështirësish ciklike, pa mundur të orientohet drejt zinxhirit të vlerave.

Shqipëria mbetet vendi me peshën më të lartë të bujqësisë në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) në Europë dhe gati sa dyfishi i rajonit, ndërkohë që paradoksi qëndron në faktin se vendi vijon të jetë importues neto i prodhimeve bujqësore.

Në Maqedoni, bujqësia zë 10.2% të peshës në totalin e PBB-së; në Malin e Zi zë vetëm 10% të PBB-së; në Bosnjë, vetëm 7.8% të PBB-së; në Serbi zë 9.7%; në Ukrainë 11.8% dhe në Rusi vetëm 4%. Në vendet e zhvilluara të BE-së, bujqësia zë rreth 2% të PBB-së. Teksa sektori ka pozitë dominuese në ekonominë shqiptare, vendi vijon të importojë produkte ushqimore 4.7 herë më shumë se sa eksporton.

Kjo ecuri tregon se vendi ndodhet ende në inercinë e trashëgimisë së para viteve ‘90, pa mundur të modernizojë dhe të përshtatë sektorin me nevojat e reja të ekonomisë së tregut. Përkundrazi, masat e marra në vitet 1991 me “masakrën” në copëzimin e tokës për frymë, financimet me pikatore dhe politikat fragmentare të zhvillimit e kanë çorientuar zhvillimin e qëndrueshëm afatgjatë të sektorit. Bujqësia vijon të dominojë ekonominë shqiptare për nga numri i të punësuarve me (39.7% të totalit) dhe me kontributin në strukturën e Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Bujqësia në Shqipëri, avantazhin e vetëm konkurrues, ka klimën e ngrohtë që mundëson nxjerrjen e prodhimeve në treg një muaj para rajonit dhe kjo nuk është pak. Subvencioni nuk po funksionin dhe nafta nuk rimbursohet. Në Maqedoni, nafta e kuqe për bujqësinë jepet me 50 lekë, ndërsa në Shqipëri, fermerët e blejnë njësoj si linjat e tjera të biznesit me çmimin e tregut, me 150-160 lekë, pa asnjë diferencë.

Në Greqi dhe Maqedoni, fermerët subvencionohen direkt mbi prodhimin dhe fondet publike e mbulojnë riskun që mund të vijë nga ndryshimi i klimës ose mungesa e tregut. Por në Shqipëri mungojnë politikat mbrojtëse, edhe pse vendi po shkon me hapa të shpejtë drejt hapjes së tregjeve për shkak të integrimit në BE. Të mbjella në ngastra të vogla dhe në këtë mënyrë të pastandardizuara, prodhimet shqiptare e kanë të pamundur të marrin certifikatën e cilësisë dhe për rrjedhojë, të eksportohen lirshëm në tregjet e BE–së.

SHKARKO APP