“Bujqësia përtej premtimeve”, Panariti: Mollët në kanal për shkak të cilësisë

Ministri i Bujqësisë Edmond Panariti ka folur sonte për problematikat e fermerëve shqiptarë në zona të ndryshme të vendit dhe arritjet në sektorin e bujqësisë. Në emisionin “Të bësh ekonomi” të gazetares Vjollca Kongjoni, Panariti i është përgjigjur shqetësimit të fermerëve të Korçës por edhe Dibrës për mungesën e tregut.

Ministri i Bujqësisë tha se problematika e mollëve vjen për shkak të cilësisë së tyre që nuk plotëson kërkesën e tregut. Ai tha se janë mollë që kalben për një javë dhe se fermerët janë orientuar për të kultivuar kategori të mollëve që do tregu.

“Nuk plotësohet kërkesa e tregut për cilësinë e mollëve. Të orientohemi tek kategoritë e mollëve që do tregu. Nuk mund të themi që mollët po kalben dhe hidhen. Fermerët të profilizohen tek kërkesa që ka tregu. Po investojmë në kapacitetet frigoriferike. Molla e cilësisë së parë ka treg brenda dhe jashtë vendit. 15 mijë ton nga prodhimi aktual ndodhen në magazinat frigoriferike në Korçë. Pjesa e mollës që nuk mund të shitet si mollë e freskët shitet si mall industrial”, tha ministri.

Përsa i përket ullirit, ministri Panariti paraqiti një situatë tjetër nga ajo e mollëve. Ai tha se ka një ‘uri’ në tregjet evropiane për vajin e ullirit dhe se Shqipëria këtë vit ka prodhim të mirë dhe se janë gjetur zgjidhjet për tërheqjen e prodhimeve.

SHKARKO APP