Burgu i “Ferrit” për kryebashkiakët!

 

Nga Irfan Rama/

Jam gajasur lehtë sepse nuk është për tu buzëqeshur. Jam zgërdhirë, por lehtshëm. Sepse edhe gërbuzjen si simptomë përgjetje gabimi të të  tjerëve nuk e kam të shpeshtë në subkoshiencën time. Sepse siç thonë britanikët: to force a smile (duhet të ushtroj forcë për të prodhuar një buzëqeshje). Po dëgjoja e kundroja pasqyrën e shtypit të përditshëm dhe spikeri televiziv lexoi: Prokuroria jep 2,5 vjet burg për kryebashkiakun e Fierit(?!)

U pikëpyetova dhe u pikëçuditësova për këtë frazim bajat e të tejkaluar prej 24 vitesh nga prokuroria sepse prokuroria jonë prej kaq shumë vitesh ka “dënuar” me dhjetëra e dhjetëra herë kryebashkiakë apo kryekomunarë dhe rrallë herë ka fituar betejën me gjykatat shqiptare. Sepse gjykatat shqiptare ndryshe nga e gjithë gjykata botërore për këto raste e shumë tjera për ministra, deputetë e “ranëtarë” apo “bietarë” nga qielli – pjesa qiellore 28 mijë kilometra katrore e Shqipërisë – çudibërisht si asgjëkundi tjetër luajnë rolin e avokatit të të pandehurit të prokurorisë e gjykatës bashkë. D.m.th fitorja është në xhep të dyshes gjykatë – avokati. Gjykatë – avokati  kundër prokurorisë2-1!

Sepse kështu ka ndodhur. Sërish pashë e dëgjova nga spikeri i një televizioni të njohur informativ se (?!)”Kryebashkiakun e Durrësit e ka paditur në prokurori KQZ-ja jonë – e lavdishme prej 23 vjetësh që gjithmonë ka qenë politike e thekur- sepse AI ka regjistruar 2168 ardhacakë nga Tirana në Durrës për të votuar me 21 qershor 2015”. Këtë herë buzëqesha tërë naze sepse regjistrime të tilla prej 23 vjetësh kanë bërë kryebashkiakë e kryekomunarë të nxitur nga deputetë, ministra, kryeministra e kryetarë shtetesh me mijëra e mijëra herë dhe askush nuk është dënuar. S’bëhet llaf. Sepse politika i bën vetë regjistrimet sipas krahut partiak të bashkisë apo komunës deri më tani. Sepse, pse është bërë reforma territoriale e re kjo nuk do të thotë se është bërë reforma e trurit politik e shtetit qendror e opozitës dhe pushtetit lokal.

Sepse truri politik shqiptar ka dy elementë bazë në strategjinë e tij: Vjelljen e popullit dhe mashtrimin. Nuk ka Amerikë e BE që ia cancel –on apo i bën delete edhe për vite e vite. Them për të prodhuar produkt të pastër truror politik. Se trurin e pastër e degdisin në Anadollin e karrigeve të fundit të partive, të qeverive qendrore e lokale, madje edhe në specialistët e zakononshëm shtetarik. Sepse kështu ka ndodhur deri më tani. A i kundruat lexues të dashur se çfarë kandidatësh për kryebashkiakë në përgjithësi zgjodhën të gjitha partitë. Në Durrës kryebashkiakun e kanë nofkuar “kryebashkiakun e betonit” sepse marka e betonit të tij në Durrës po “konkurron” mirë Durrësin por siç thonë edhe Gjermaninë, edhe Anglinë edhe…

Shumë kryebashkiakë të tjerë janë paditur në prokurori këto 365 ditë nga e djathta dhe e majta dhe të gjithë kanë dalë të pastër nga gjykatat shqiptare. Edhe horra që s’lejnë gjë pa bërë në të gjitha pikëpamjet duke përfshirë edhe imoralitetin e shfrenuar e që populli i ndershëm nuk i sheh dot, kanë dalë “triumfatorë” nga qelitë apo arrestet shtëpiake. Dhe prokuroria : Unë e mbarova punën?!!!. Sidoqoftë një gjë është e sigurtë: Burgun kryebashkiakët do ta bëjnë në Ferr. Në Ferrin e Dantes, aty ku ka një gjykatë tjetër e prokurori tjetër që do ti gjykojë! Ishalla nuk “korruptohen” edhe atje…     

SHKARKO APP