Bursat reagojnë pozitivisht pas marrëveshjes greke
Pas marrëveshjes së arritur mes Greqisë dhe kreditorëve, pavarësisht dyshimeve që mbeten ende pa përgjigje, bursat në tregjet më të rëndësishme globale kanë reaguar menjëherë pozitivisht, duke konfirmuar kështu impaktin mbarë botëror të krizës së borxhit helen.
Kështu, indeksi paneuropian i aksioneve, Stoxx Europe 600, është rritur me 2%, marzhi më i lartë i ndryshimit që prej vitit 2011, falë rritjes së bursave të Parisit, Milanos, Frankfurtit dhe Lisbonës. Megjithatë, në terren nuk duket euforia e ndryshimeve të mëdha, edhe për faktin që marrëveshja duhet ende të miratohet në parlamentin grek, e më pas në ato të shteteve të tjera të eurozonës.
Ndikim pozitiv, marrëveshja greke pati edhe në bursën e Nju Jorkut, ku indeksi industrial “Doë Jones” pati rritje për herë të parë pas një viti, duke shpjeguar në shifra rëndësinë që kishte edhe për Shtetet e Bashkuara marrëveshja greke, për arritjen e së cilës zyrtarët amerikanë kanë ushtruar presion të vazhdueshëm ndaj atyre europianë, veçanërisht Gjermanisë.
Edhe bursat aziatike reaguan pozitivisht ndaj lajmit që erdhi nga Brukseli, pasi indeksi industrial japonez, Nikkei, u rrit me 1,5%, ndërsa në Australi, rritja mesatare kalonte kuotën e 2%.