Buxheti 2015, reformat kyçe që do të realizohen me paratë e tij
Buxheti i vitit të ardhshëm 2015, përveçse do të ruajë një rritje të caktuar ekonomike për vendin, synon që të realizojë edhe disa reforma kyçe. Në këtë mënyrë, qeveria e cila e ka hartuar atë, tenton që me paratë e këtij buxheti të nisë të vërë në jetë pikërisht disa nga premtimet që i ka bërë elektoratit para zgjedhjeve të 23 qershorit të vitit të kaluar. Kësisoj, tani që ajo e ka kaluar vitin e parë të qeverisjes, po kalon në një fazë të drejtpërdrejtë operativiteti dhe realizimi të reformave që i ka vënë në themel të programit të saj qeverisës. Ndoshta nuk mundej ta bënte këtë përmes buxhetit 2014, i cili ishte edhe dokumenti i parë financiar që paraqiti në Kuvend, sepse kishte vetëm pak muaj që mori në duar pushtetin. Por mesa duket, Buxheti 2015, paraqet piketat reale për vënien në jetë të disa prej reformave kyçe të programit të saj. Ja cilat janë disa prej tyre…
Reforma territoriale
“Sigurimi i një tranzicioni efektiv i kalimit të kompetencave, burimeve materiale dhe monetare, nga njësitë sipas ndarjes së vjetër administrative, në njësitë vendore që do jenë sipas ndarjes së re administrativo-territoriale”. Një fakt i tillë citohet në dokumentin e projektbuxhetit 2015, pikërisht lidhur me reformën territoriale, e cila tashmë është miratuar nga parlamenti. “Për sigurimin e këtij tranzicioni do miratohen aktet e nevojshme nënligjore për zbatimin e buxhetit, inventarizimin dhe transferimin e aseteve në njësitë e reja, kalimin e arkivave dhe dokumentacionit te njësitë e reja, integrimin e bilanceve kontabël, etj”, sqarojnë ekspertët e qeverisë lidhur me vënien ne praktikë të aspektit financiar që do të shoqërojë ndarjen e re territoriale të vendit. Për të detajuar më pas se do të rishikohet formula e shpërndarjes së transfertës së pakushtëzuar për njësitë e qeverisjes vendore, duke synuar që ajo të jetë në funksion të reformës administrativo-territoriale. “Reforma e decentralizimit fiskal do përqendrohet në saktësimin e marrëdhënieve fiskale midis pushtetit qendror dhe atij vendor”, sqarohet gjithashtu në projekt-buxhetin 2015.
Reforma në arsim
“Në vitin 2015, do të vijojë reforma e nisur në këtë sektor, duke përmirësiuar kuadrin ligjor dhe atë rregullator. Do të reformohet skema e financimit të IAL-ve publike dhe kredisë studentore, skemë që do zbatohet nga një agjenci e posaçme; do mbështetet me fonde buxhetore përmirësimi dhe zgjerimi i infrastrukturës së IAL-ve publike”, thuhet në dokumentin në fjalë. Për të shtuar gjithashtu se fokus të posaçëm do të ketë përmirësimi i cilësisë së IAL-ve, duke vijuar monitorimin e zbatimit të ligjshmërisë së tyre, si dhe duke forcuar kontrollin për mbushjen e standardeve të akreditimit të tyre. “Do të trajtohen me bursa rreth 8000 studentë”, është një zë tjetër i caktuar në buxhetin 2015.
Reforma në shëndetësi
“Viti 2015 do të jetë viti i zbatimit të plotë të kontrollit shëndetësor bazë pa pagesë për shqiptarët rezidentë të grupmoshës 40-65 vjeç. Ky është hapi i parë konkret drejt
vendosjes së mbulimit universal”, vë në dukje relacioni i buxhetit 2015. Duke sqaruar lidhur me këtë fakt se tashmë është miratuar protokolli mjekësor i programit bazë, janë
hartuar kurrrikulat e trajnimit, ka filluar trajnimi i personeli shëndetësor dhe është përzgjedhur kontraktori, që për një periudhë 10-vjeçare do të mbështesë aspektet logjistike dhe të këmbimit të informacionit të këtij programi. Duke përcaktuar se tarifa e kontraktuar individuale e kontrollit bazë është 1.536 lekë
(+TVSH) dhe se programi do të realizohet në të gjitha qendrat shëndetësore parësore.“Në vitin 2015, buxheti i shëndetësisë është pasuruar me një program të ri buxhetor, atë të “Urgjencës mjekësore”. Ligji përkatës është miratuar dhe ka filluar përfitimi i asistencës teknike të huaj për të ndërtuar modelin e vendosjes në territor, sistemin e komunikimit dhe funksionin e qendrës së komandës dhe kontrollit”, sqarohet gjithashtu.
Reforma në bujqësi
Buxheti i vitit 2015 do të synojë zgjerimin dhe përmirësimin e efektivitetit të skemave të mbështetjes së fermerëve, përmirësimin e infrastrukturës së ujitjes dhe kullimit, si edhe formalizimi i sektorit të peshkimit. “Do mbështeten financiarisht afërsisht 10.800 fermerë me skema financimi që synojnë nxitjen e prodhimit bujqësor e blegtoral vendas, si dhe lehtësimin e daljes në treg (kostoja totale 1.9 miliardë lekë)”, citohet saktësisht në dokumentin e buxhetit 2015. Duke shtuar se po kështu, një efekt domethënës në zgjerim të aktivitetit ekonomik brenda këtij sektori pritet të ketë edhe paketa e bujqësisë, e cila do të ndihmojë ndjeshëm si në rritjen e eficiencës brenda sektorit ashtu edhe në lehtësira në disa nga nyjet kyçe të rritjes në industrinë agropërpunuese, në peshkim, tek lëndët
e para dhe në rritjen e mekanizimit të sektorit.
Reforma në energji
“Sektori i energjisë, gjatë vitit 2015 do t’i nënshtrohet një reformimi të plotë, me synim përmirësimin e eficiencës dhe efektivitetit të sektorit”, citohet në dokumentin e buxhetit 2015. Duke argumentuar se për këtë qëllim, brenda tij janë parashikuar si shpenzime buxhetore pjesa prej 3 miliardë lekë nga mbështetja financiare prej 150 milionë dollarësh e Bankës Botërore, e cila synon kryesisht për investime në rrjet, sisteme matjeje, sisteme menaxhimi, matje në distancë, suporti për fillimin e liberalizimit të tregut, për Operatorin e Sistemit të Transmetimit, etj. Gjithashtu, është parashikuar edhe një fond prej 1.6 miliardë lekë, si masë kompensuese e plotë për
shtresat në nevojë, nga heqja e fashës 300 kv të konsumit të energjisë. Duke përfshirë edhe garancitë që mund të lëshohen gjatë vitit 2015 për huamarrjet e sektorit, mbështetja buxhetore për energjinë shkon në rreth 20 miliardë lekë. “Me këtë mbështetje në buxhetin 2015 do të vazhdojë reforma e thellë e sektorit të energjisë që ka nisur në vitin 2014, në funksion të rritjes së eficiencës së sektorit në tërësi, duke ulur humbjet jo teknike dhe vjedhjen e energjisë elektrike, duke rritur faturimin dhe mbledhjen e të ardhurave në shpërndarje dhe duke
stabilizuar bilancet e të tre kompanive shtetërore në sektorin e energjisë elektrike”, argumentojnë ekspertët e qeverisë.
Reforma në punësim
Sa i përket reformës në punësim, risia kryesore për vitin 2015 do të jetë fondi për “Zhvillimin e Punësimit dhe Aftësive” në vlerën rreth 250 milionë lekë, i cili do mbështesë punësimin e aftësimin e punëkërkuesve të orientuar drejt industrisë fasone, si dhe
financimi i programeve të nxitjes së punësimit në vlerën prej 450 milionë lekë, brenda të cilëve parashikohet të përfshihen rreth 5.000 punëkërkues të papunë. Shtrirja e mëtejshme e modelit të Zyrave të reja të Punës në shërbim të punëkërkuesve dhe punëdhënësve, si dhe promovimi i shërbimeve të reja të ofruara, është një tjetër element i buxhetit lidhur me këtë reformë, duke sqaruar se ky model ka sjellë rezultate konkrete gjatë vitit 2014 në aplikimin e tij në 6 zyra rajonale. “Rritje e numrit të punëkërkuesve të papunë që do të trajtohen me formim profesional në 10.100 persona dhe ndjekja e punësimit post-formim për 4.000 punëkërkues të papunë. Trajtim me pagesë papunësie për 10.500 persona, me një fond prej 1 miliardë lekë”, cilëson gjithashtu relacioni i buxhetit.
Reforma e rendit
Gjatë vitit 2015, do përmirësohet ndjeshëm siguria publike, duke rritur mbështetjen për forcat policore. Me buxhetin e parashikuar për ministrinë e Brendshme për vitin 2015 garantohet mbështetja
financiare për funksionimin normal të strukturave të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës, Shërbimit të Gjendjes Civile, Shërbimeve të Emergjencës Civile, si dhe strukturave të tjera në varësi.