Buxheti 2018, 1 miliard lekë për rikonstruksionin e ministrive
Qeveria shqiptare ka parashikuar që të shpenzojë rreth 1 miliard lekë vetëm për rikonstruksion të godinave të Ministrive, blerje të pajisjeve elektronike dhe blerje automjetesh.
Treguesit e projektbuxhetit për vitin 2018 tregojnë se kryeministria ka fondin më të lartë prej 224 milionë lekësh i cili parashikohet për blerje të pajisjeve elektronike dhe rikonstruksion të godinës.
Më pas renditet ministria e Ekonomisë dhe financave për të cilën parashikohet një fond prej 218 milion lekësh vetëm për blerje të pajisjeve elektronike dhe sistemeve elektronike.
Ndërkohë për Ministrinë e Drejtësisë është parashikuar që të shpenzohen 125.5 milion lekë ku pjesa më e madhe parashikohet për rikonstruksion të godinës dhe krijimin e një sistemi elektronik për arkivin gjyqësor.
Gjatë vitit të ardhshëm qeveria ka parashikuar në projektbuxhet edhe një fond për rikonstruksionin e ministrisë së Evropës dhe Punëve të Jashtme.
Fondet për blerje automjetesh janë më të vogla dhe Kuvendi është institucioni për të cilin parashikohet fondi më i madh prej 6 milion lekësh e ndjekur nga ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë me 3 milionë.
Sipas treguesve të shpenzimeve gjatë vitit të ardhshëm pritet të ketë një rikonstruksion të shumë godinave të ministrive por edhe informatizimi i tyre.