Buxheti 2018, Angjeli jep rekomandimet e tij – Mbi aksionin antiinformalitet: Tani ka detyrë
Projektligji i buxhetit për vitin 2018 është prezantuar sot në Komisionin parlamentar të Ekonomisë, në një mbledhje, e cila ashtu si në Konferencën e Kryetarëve, ishte bojkotuar nga anëtarët e opozitës.
Sekretari i këtij komisioni, deputeti i PS-së, Anastas Angjeli ka vlerësuar draftin e buxhetit, sidomos për sa i përket aspektit të mbajtjes nën kontroll të deficitit buxhetor, si një sinjal pozitiv për financa të konsoliduara.
Për Angjelin, rritja e shpenzimeve të buxhetit me 6%, mbështetur edhe nga një paketë fiskale, si dhe investimet publike janë garantë për rritjen ekonomike. Por duke iu adresuar aksionit të antiinformalitetit, eksperti i financave u shpreh se tanimë duhet të jetë thjesht zbatim i detyrës.
“Përmirësimi i mbledhjes së të ardhurave të buxhetit, ka të bëjë me prioritetin që ka politika fiskale për të përballuar rritjen e të ardhurave. Edhe në mandatin e kaluar filluam një të ashtuquajturin aksion për informalitetin. Tani nuk ka më aksion, ka detyrë. Të gjithë janë të barabartë përpara ligjit”, u shpreh Angjeli.
Duke i propozuar komisionit miratimin në parim të projektligjit, deputeti i PS dha edhe rekomandimet e tij, që kishin të bënin me:
- Rritjen e cilësisë së shpenzimeve – “Cilësia e shpenzimeve dhe disiplina e shpenzimeve publike kërkon një vëmendje më të madhe, si për shpenzimet me financim të brendshëm, por veçanërisht për ato me financim të huaj”
- Shlyerjen e borxhit tatimor doganor
- Minimizimin e borxheve të prapambetura
- Monitorimin e risqeve fiskale
- Mbajtjen e një fondi kontigjence për fatkeqësitë natyrore, vendimet gjyqësore dhe problemet e paparashikuara në sektorin energjetik
Angjeli përshëndeti gjithashtu vendosjen e një tavani për kontratat PPP në nivelin 40% të PBB, ndërsa propozoi që mbështetjet si promovimi i sektorit të turizmit, gjatë këtij mandati të shtrihet edhe në tre sektorët e tjerë prioritarë, si infrastruktura, energjia dhe bujqësia