Buxheti 2018 godet të varfrit, qeveria ul ndihmën ekonomike për të tretin vit rresht

Qeveria ka ulur sërish fondet për ndihmën ekonomike që përfitojnë shtresat e varfra. Në buxhetin e vitit 2018, qeveria ka parashikuar 20.5 miliardë lekë ose 1.2 për qind të Prodhimit Kombëtar si ndihmë për shtresat në nevojë dhe invalidët, nga 1.3 për qind e PBB që ishte shifra këtë vit.

Ky është viti i tretë me radhë  që qeveria jep më pak para për shrtresat në nevojë. Në vitin 2016, buxheti për ndihmën ekonomike dhe pagesën e invalidëve ishte 1.4 për qind e Prodhimit Kombëtar.

Tabelat zyrtare tregojnë se Ministria e Financave po përpiqet të kursejë para nga shtresat më në nevojë të shoqërisë, ndërkoohë që veçanërisht gjatë viteve të fundit janë shpenzuar qindra milionë euro për fasada dhe mobilim të zyrave të administratës.

Mijëra familje jashtë skemës

Që prej ardhjes në pushtet, qeveria ka shkurtuar në mënyrë drastike numrin e familjeve që përfitojnë ndihmë ekonomike. Sipas të dhënave zuyrtare nga INSTAT, në vitin 2013, qeveria jepte ndihmë ekonomike për gati 102 mijë familje në shkallë vendi.

Por në tremujorin e dytë të këtij viti, janë vetëm 72 mijë familje që asistohen më ndihmë ekonomike. Në katër vjet, qeveria ka nxjerrë mbi 30 mijë familje të varfra nga skema, edhe pse vendi është përballur me një krizë të thellë ekonomike dhe rritje të papunësisë.

Shkurtimi i vazhdueshëm i fondeve për ndihmën ekonomike tregon se qeveria po e hedh koston e krizës tek të varfrit. Veç uljes së ndihmës ekonomike, paralelisht ajo ka ngrirë edhe pagesat për pensionistët, një tjetër shtresë me të ardhura të ulëta.

Të vetmit të fituar nga buxheti i shtetit vitet e fundit duket se janë bizneset e mëdha dhe konçesionarët, të cilët marrin qindra milionë euro në vit nga paratë publike, ndërkohë që të varfrit shkelen për të ruajtur defiçitin.

SHKARKO APP