Buxheti 2018, ja si ndahet torta e parave publike
Në kuvend vijon ende seanca maratonë e diskutimeve të 140 deputetëve për Buxhetin e 2018. Por si ndahet ky buxhet? Vitin e ardhshëm qeveria do të shpenzojë 3.7 miliardë euro përmes buxhetit të shtetit. Pjesën e madhe e merr mbrojtja sociale, ku qeveria do të shpenzojë 1.1 miliardë euro për pensionet, ndihmën ekonomike dhe transfertat e tjera sociale për shtresat vulnerabël.
Pjesën e dyta, është Shëndetësia si portofoli i dytë më i madh i shpenzimeve publike. Në vitin 2018 buxheti i shtetit do të shpenzojë rreth 365 milionë euro për sistemin shëndetësor, ku përfshihen shpenzimet për spitalet publike, rimbursimi i barnave si dhe pagesat e koncesioneve.
Çështjet ekonomike do të marrin mbi 340 milionë euro, ndërsa arsimi në tjetër sektor prioritarë merr 307 milionë euro.
Buxheti të rëndësishëm merr edhe rendi dhe siguria publike, rreth 215 milionë euro, çka përbën nivelin më të lartë të dhjetë viteve të fundit, ndërsa për mbrojtjen Qeveria do të shpenzojë rreth 87 milionë euro, ose 0.8 për qind e prodhimit kombëtar.
Pjesa e mbetur e buxhetit shkon për strehimin dhe komoditetet e komunitetit, ose janë shpenzime të paklasifikuara.