Buxheti 2018, ulet fondi për rritje pagash e pensionesh, shtohen shpenzimet kapitale

Qeveria shqiptare pritet që të shpenzojë gjatë vitit 2018 rreth 497 miliardë lekë (rreth 3.7 miliardë euro) për pagat e punonjësve, pensione, shpenzimet administrative të përditshme, investime në rrugë, shkolla, rikonstruksione, mbështetje për pushtetin lokal, interesa borxhi e pagesa papunësia.

Sipas tabelave paraprake të draft buxhetit 2018, shpenzimet pritet të rriten me 5.8% në krahasim me pritshmërinë e këtij viti. Në krahasim me atë që prodhon ekonomia në një vit, shpenzimet kapitale pritet të jenë 30.1% e PBB-së.

Teksa e gjithë administrata është përfshirë në një proces të ethshëm ristrukturimi, nisur dhe nga riorganizimi i ministrive, buxheti nuk duket se do të arrijë të kursejë për të paguar punonjësit. Fondi i planifikuar për pagat është 65 miliardë lekë, me një rritje me 10.5% në krahasim me 2017-n. Kjo do të thotë që buxheti do të shpenzojë 6.1 miliardë lekë, ose rreth 45 milionë euro më shumë për punonjësit.

Në buxhetin afatmesëm, i cili është hartuar në fillim të 2017-s, përpara se qeveria e dalë pas zgjedhjeve të qershorit të deklaronte planet e saj të riorganizimit, fondi i parashikuar për paga për 2018-n ishte parashikuar të arrinte në 60.8 miliardë lekë, pra rreth 4.2 miliardë lekë më pak sesa u vendos aktualisht.

Në të kundërt, është ulur ndjeshëm fondi i planifikuar për politik atë reja pagash, nga 5.5 miliardë lekë në 2017-n, në vetëm 1 miliardë lekë në draft buxhetin 2018. Në projektbuxhetin e mëparshëm afatmesëm, si fond për politika të reja pagash në vitin 2018 ishte parashikuar një shumë prej 7.2 miliardë lekësh.

Edhe fondi për politika të reja pensionesh është ulur në 1.8 miliardë lekë, nga 2.6 miliardë lekë në 2017-n dhe 3.1 miliardë lekë që ishte parashikuar në buxhetin fillestar afatmesëm (për 2018-n).

Pas një periudhe, kur qeveria përfitoi nga rënia e interesave në treg, që e lehtësoi atë në pagesën e borxheve, shpenzimet për interesa pritet të rriten me 9.5% për të arritur në 41.5 miliardë lekë.

Qeveria do e rrudhë dorën për shpenzimet operative të mirëmbajtjes, teksa ato do të rriten me 1.3% në 45.5 miliardë lekë.

Rritje e ndjeshme e shpenzimeve kapitale
Në linjë me ambicien për të filluar një program të madh investimesh, të financuar edhe përmes projekteve të partneritetit publik privat, shpenzimet kapitale pritet të kenë rritje të ndjeshme, sipas draft buxhetit 2018. Fondet për investime parashikohet të arrijnë në rreth 86 miliardë lekë, me një zgjerim prej 16% në krahasim me pritshmëritë e 2017-s. Në raport me prodhimin e brendshëm bruto, ato pritet të arrijnë në 5.2% të PBB-së, duke iu afruar nivele të larta të para në periudhën 2008-2010. Efekt në këtë rrije do kenë edhe shpenzimet për koncesionet aktuale që kanë nisur vitet e fundit.

Pjesa më e madhe e financimit, rreth 62%, do të vijë nga burime të brendshme.

Deficiti buxhetor pritet që të qëndrojë në 2% të prodhimit të brendshëm bruto, në nivele të njëjta me 2017-n./monitor/

 

 

SHKARKO APP