Byroja Kombëtare e Karagjozëve dhe serioziteti i Ilir Metës
Nga Alfred Lela
Në qerthullin e absurdit, ku është futur diskutimi për Byronë Kombëtare të Hetimit, i vetmi ndër katër politikanët kryesorë që mund të kreditohet si koherent përkundër inkoherencës së të shumtëve është Ilir Meta, kryetari i Kuvendit.
Ai ka qenë i qartë që në fillim të së gjithës, të paktën në lidhje me një gjë: Konsensusin e opozitës, pa të cilin sipas tij nuk mund të kuptohej as reforma në drejtësi dhe as Byroja kombëtare e Hetimit. Meta i ka të shumtë kritikët dhe armiqtë në skenën e komentariatit politik (autori i këtyre radhëve hyn te të parët), por të bësh kritizerin e kryetarit të Kuvendit, kësaj here do të thotë ose të jesh duke luajtur për një portë politike, ose je prishur mendsh.
Paradoksalisht Ilir Meta ka qenë aleati i vetëm i opinionit publik në kuptimin e njëtrajtshmërisë së qëndrimeve. Ky qëndrim drejtvizor, mund të përkthehet edhe si njëfarë transparence, por sidomos si njëfarë ekuilibrimi politik.
Publiku ende di pak ose aspak, kjo prej njëfarë pamundësie e diktuar nga lëvizjet kundërthënëse të dy partive kryesore, Socialiste e Demokratike: Nëse kryeministri Rama ka qenë më i vendosur në dizajnin e tij diabolik, për ta patur byronë pjesë të strukturave të ministrisë së Brendshme, ai është mjegulluar vetëm si pasojë e këmbënguljes së Metës që të dëgjohet opozita. E cila, ashtu si mazhoranca, duket se ka brenda dy lojtarë: Kryetarin Basha dhe ish-kryetarin Berisha. I përqendruar te konferencat periodike me gazetarët në zyrën e tij jashtë selisë blu, statuseve kërcitëse në Facebook dhe opozitarizmit të fortë nga aula e Kuvendit, ish-kryeministri është shfaqur në negociatat që kryetari i partisë ka zhvilluar me ambasadorët e huaj.
Eksponentë të PD-së ankohen off the rekord për informacion të munguar dhe vendime që merren në mënyrë autoritare nga Basha, i cili sipas gjasash, i konsulton edhe me mentorin e vet politik, Berishën. Indinjata e shprehur nga Eduard Selami në mbledhjen e fundit të grupit parlamentar, është një zëdhënie e kësaj pakënaqësie që artikulohet me të ulët bisedave informale, por asnjëherë publikisht. Ata që janë në terr, që nuk dinë, që nuk marrin informacion, përveç antenave të tipit ‘kanoçe’ që kapin ‘ilegalisht’ një fjalë këtu e një atje, të zyrave të përpunuesve dhe zotëruesve të informacionit, i shtojnë dezinformimit duke hedhur në qarkullim variante të pakonfirmueshme dhe shpesh të pavërteta. Kjo edhe për të dhënë përshtypjen se dinë diçka. Se nuk janë jashtë loje.
I tillë është rasti i Byrosë së Hetimit, informacioni rreth së cilës është koduar dhe dekoduar nga 3-4 protagonistët e mëdhenj të politikës së ditës. Meta, sigurisht nuk ka dhënë informacione të dorës së parë, por ka lëshuar shenjën e fortë dhe të sigurt të vijimësisë së qëndrimeve. Ai nuk ka qenë ‘kundër Byrosë përpara se të ishte pro saj’, sic shkon një shprehje e famshme e njeriut që vjen të dielën në Tiranë, dhe që ndoshta i kushtoi zgjedhje përballë rivalit republikan, Bush, Sekretarit aktual të Shtetit, John Kerry (I was for the war before I was against it).
Duke qenë se jemi mësuar të jemi skeptikë për gjithçka të z. Meta dhe ta akuzojmë për gjithçka, ja edhe dyshimi që është artikuluar këto kohë në lidhje me qëndrimin e tij: Ai ka hallin e vet dhe kërkon një aleancë me PD-në, duke siguruar një trekëndësh komforti me Prokurorin e Përgjithshëm, çka do t’i garantonte një ‘pakt mos-sulmi’ apo mos-hetimi. Paniku është se një Byro e varur nga një ministër i Brendshëm socialist, nuk do të hetojë zyrtarët e PS-së, por, selektivisht ata të LSI-së dhe ish-ministrat e PD-së.
Ky është një dyshim i arsyeshëm, por më i arsyeshëm është qëndrimi i Metës. Ai ka ditur, qoftë edhe për nevojat apo taktikat e veta politike, të kapë që në krye një pozicion që e bën të duket serioz në gjithë këtë pështjellim karagjoz që ka mbirë rreth Byrosë së Hetimit. Ai si me thënë, i sheh gjërat nga lartësitë e një kështjelle, ndërkohë që të tjerët bëjnë luftë guerilje nëpër rrëpirat e komunikimit politik.
Të jesh serioz sot, nuk është gjë e vogël. MAPO