Çamët, antifashistë të Luftës Dytë Botërore

Nga Hyqmet ZANE/Të vërtetat historike kanë qenë në fokusin e një takimi që Presidenti i Republikës Bujar Nishani ka bërë me Shoqatën Çamëria. Përkujtimi i ditës së fitores mbi nazifashizmin është kthyer në një ditë të veçantë për familjet e  pjesëmarrësve në luftën antifashiste gjatë Luftës II Botërore, me familjet e dëshmorëve dhe me familjet e atyre burrave që u internuan në kampet e përqendrimit  dhe të shfarosjes në masë në Itali e Gjermani.

Për herë të parë në historinë 71 -vjeçare të pas luftës, Presidenti Bujar Nishani ka thyer tabutë e vlerësimit të komunitetit çam si kontribuues aktiv në Çamëri dhe në Shqipëri ndaj nazistëve gjermanë dhe fashistëve italianë. Këtë ai e tha troç “Çamët nuk kanë qenë bashkëpunëtorë me gjermanët, por kanë qenë pjesëmarrës në një luftë ndaj nazifashistëve”. Qartë, prerë dhe saktë, është pohimi i kreut të shtetit shqiptar që ka zyrtarizuar kontributet e një pjesë të trungut shqiptar të akuzuar padrejtësisht nga zyrtarët e Athinës në Greqi që shërbeu edhe si shkak e pretekst për bërjen e një gjenocidi spastrimi etnik të çamëve autoktonë nga vatrat e tyre stërgjyshore.

Nuk mund ta përshkruaj dot vlerësimin që pjesëtarët në takimin e presidencës, shprehnin për këtë ditë të shënuar. Jo vetëm për mua që i përkas asaj familjeje që u bë viktimë e kampeve të përqendrimit dhe shfarosjes në masë, por edhe veterani më i vjetër në moshë Ibrahim D. Hoxha, i cili në moshën 94- vjeçare, për herë të parë në jetën e tij foli në poltronin e Presidencës së Republikës së Shqipërisë, për atë që është krenari e çamëve si kontributor të mëdhenj në një luftë të madhe për një jetë të lirë. Ndoshta në këtë pikë, N/Kryetari i Parlamentit Shpëtim Idrizi, pati rastin të kujtojë në këtë ditë se çuditërisht, sjelljet e grekëve ndaj antifashizmit çam, duke mohuar gjithçka dhe duke përsnyrë gjithë kontributin në këtë luftë antifashiste, ngjason me sjelljen e grekëve të 1821, kur pas fitores së pavarësisë së Greqisë, pas kontributit të arvanitasve në këtë luftë, ata u shpërfillën, u mohuan dhe mbetën në minorancë si frut i dinakërisë dhe pabesisë greke.

Do të doja që çdo titullar i shtetit shqiptar, kështu siç bëri Presidenti i Republikës të vepronte edhe Kryeministri i vendit tim, të fliste edhe Ministri i Jashtëm i këtij vendi, ta pohonte me zë të lartë e gjithë politika e përfaqësuar në Parlamentin shqiptar në mënyrë që të zyrtarizonin atë të vërtetë historike, të pjesëmarrjes së çamëve si antifashistë në këtë Luftë Botërore. Do të kujtoj këtu, duke bërë një paralelizëm se në Itali përkujtohet çdo vit masakra e partizanëve jugosllavë kundër popullsisë italiane autoktone të Fjumës, ku Titoja vrau dhe pasi masakroi 300 mijë gra, burra, fëmijë të pafajshëm, i hodhi në një pus të madh në Fobia që sot quhet “masakra e Fobias”. Çdo vit Presidenti Italian dekoron ata që kanë mbetur të gjallë. Po në Shqipëri çfarë bëhet? Edhe një Rezolutë që është bërë, asnjë politikan nuk e zë në gojë atë çfarë ka ndodhur me çamët në Çamëri. Çamët vriten disa herë, edhe nga grekët po se po, edhe nga nazifashistët, edhe nga komunizmi, por edhe nga harresa e qëllimshme e politikës dhe diplomacisë shqiptare në kohët e sotme.

Por një gjë e tillë nuk mund të thuhet  për Presidentin Bujar Nishani që në fjalën e tij para pjesëmarrësve përfaqësues të antifashizmit me zë dhe me figurë pohoi zyrtarisht dhe publikisht se  “Kontributi juaj i rëndësishëm është i madh, me pjesëmarrjen e mbi një mijë luftëtarëve çamë në Çetën dhe më pas në Batalionin Çamëria, në radhët e ushtrisë nacionalçlirimtare shqiptare, si dhe në batalionin ‘Ali Demi’ në radhët e ushtrisë së ELLAS-it grek. Një respekt të veçantë e meritojnë ata djem e vajza të Çamërisë që luftuan në formacionet partizane edhe jashtë kufijve si në rastin e pjesëmarrjes jo vetëm në brigadat luftëtare në Shqipëri, por edhe në batalionin e katërt të regjimentit 15 së bashku me formacionet antifashiste në Greqi. Janë këto kontribute që na bëjnë të shprehim mirënjohje të thellë ndaj të gjithë pjesëmarrësve dhe veçanërisht ndaj Heroit të Popullit Ali Demi dhe dëshmorëve të shumtë nga Çamëria që dhanë jetën që shqiptarët të ishin të lirë. Të bashkëbisedosh në këtë 71-vjetor të fitores mbi nazifashizmin, me pjesëmarrës të drejtpërdrejtë në këtë luftë heroike, si dhe me pasardhës të familjeve që kontribuuan në luftën antifashiste, është njëherazi edhe një vlerësim dhe mirënjohje, ndaj te gjithë atyre qe sakrifikuan gjithçka ne përpjekjet e rezistencës antinazifashiste.”

Janë të shumtë dëshmorët, ndër të cilët do të përmendja dhe nderoja Heroin e Popullit, Ali Demi dhe mbi 230 dëshmorë të tjerë, emrat e të cilëve janë të skalitur në kujtesën historike të kontributeve të komunitetit çam, në anën e antifashizmit në Luftën II Botërore. Është ky momenti të veçoj këtu edhe disa pjesëtarë të këtij komuniteti si Hajri Fetahu, Mezan Jonuzi, Nuri Emin Zane dhe Osman Zenel Taka, Bejaz Muhamet Muho e të tjerë të internuar në kampet e përqendrimit dhe shfarosjes në masë në Itali dhe në Gjermani.” – u shpreh Presidenti i Republikës.

Në mbështetje të kësaj fjale të kreut të Shtetit, ishte edhe pjesëmarrësi i drejtpërdrejt në luftën antifashiste, e Ibrahim Daut Hoxha që ndër të tjera pohoi se, “Veprimtaria ime në lëmin mëmëdhetar e atë kombëtar filloi qysh në moshën 17- vjeçare dhe vazhdon e do të vazhdojë pandërprerje deri në grahmën e fundit. Kjo ka qenë edhe porosia e atit tim, të ndjerit Daut Hoxha, i cili pati  nderin dhe guximin të udhëhiqte kryengritësit çamë  që luftonin, për shpëtimin e Çamërisë nga zgjedha e përbindshme greke, por që u flijua pa ia arritur dot qëllimit”.

Ndërsa Hektor Taho Sejko do të shprehej qartazi se, “jam krenar për kontributin edhe në këtë rezistencë nga babai im Taho Mehmet Sejko, një nga kuadrot e parë të çetës “Çamëria”. Për të Çamëria ishte mbi gjithçka. E them këtë sepse ai gjatë gjithë jetës së tij nuk bëri asnjëherë dhe me askënd kompromis në dëm të Çështjes Çame. Në arkivin tim modest kam një dokument, ku në një informacion që i dërgohet qarkorit të Gjirokastrës thuhet se “Hakiu (Rushiti) dhe Tahua duan më parë të jenë çamë sesa komunistë”.

Porse për mua si folës në Presidencë, është e rëndësishme që opinioni shqiptar brenda dhe jashtë kufirit, sidomos nga qarqet zyrtare diplomatike brenda dhe jashtë vendit të merret vesh se çamët  jo vetëm ishin pjesëmarrës në këtë luftë antifashiste, por edhe ata që u internuan në kampet e përqendrimit në Itali e Gjermani, kur u kthyen, nuk u lejuan të shkonin në shtëpitë e tyre, edhe pse antifashistë, edhe pse pa asnjë faj. Do të ishte kjo dëshmia autentike e faktit se spastrimi etnik i çamëve nga trojet e tyre stërgjyshore ishte me miratim të Athinës zyrtare dhe se këta që luftuan dhe sakrifikuan për lirinë e atdheut, nuk u quajtën as veteranë në Shqipërinë e pas luftës, duke provuar këtu tre genocide, atë grek, atë nazifashist dhe atë komunist. Është  e tepër të bësh krahasimin me hebrenjtë që gjithashtu pësuan fatin e çamëve që i fituan të drejtat e tyre, ndërkohë që për të drejtat e një popullate të vogël që u masakrua barbarisht si një gjenocid antinjerëzor, ka vetëm heshtje, ka vetëm mosvëmendje, ka vetëm nëpërkëmbje. Mirënjohja në emër të Shoqatës Çamëria që u spikat nga nënkryetar Dritan Sejko, do të ishte një epilog i një vlerësimi dhe zyrtarizimi të kontributit të çamëve gjatë Luftës II Botërore që meriton edhe një kambanë të madhe që të dëgjohet në portat e Europës me qëllim që Rezoluta e Parlamentit Shqiptar  për Çamërinë të marrë vlerësimin dhe detyrimin për Greqinë që si një shtet demokratik të mos sillet si gangësterët e Ballkanit në raportet e fqinjësisë me shqiptarët.

Ndoshta për këtë Presidenti Bujar Nishani meritoi mirënjohjen e pjesëmarrësve se ishte i pari që çeli rrugën e vlerësimeve të kontributeve të spikatura antifashiste të çamëve.

SHKARKO APP