Çamët dhe mosndëshkimi i gjenocidit grek
DOSSIER /
Nga Hyqmet Zane/Dita Botërore e Holokaustit më ngacmon të them se sa padrejtësi bëhen me dashje edhe nga ata që e kanë kërkuar drejtësinë historike. Nëse “Gjyqi Nurembergut” ishte një vendosje e drejtësisë ndaj veprave të nazistëve ndaj popujve të tjerë dhe veçanërisht ndaj hebrenjve që, më pas, formuan shtetin e tyre më 1948. Në koshiencën e dhimbjes njerëzore them se padrejtësia nuk vjen nga Zoti, por nga njerëzit e padrejtë në tokë. Këtë pohim e them sepse historia njeh shembuj të shumtë të ndëshkimeve që u kanë ardhur popujve të ndryshëm që nga lashtësia nga padrejtësitë që kanë bërë ndaj popujve të tjerë. Përmes “Zërit të Amerikës” shumë vjet më parë kam dëgjuar se “Me nota tepër të qarta, gjatë punimeve të këtyre gjyqeve në Bavari, u dëgjuan tmerret e shkaktuara nga oficerë si Herman Gering, Rudolf Hes apo Albert Spir ndaj miliona hebrenjve, homoseksualëve dhe të burgosurve politikë e fetarë në kampet e vdekjes. Në këtë përvjetor bota kujton vuajtjet që përjetuan ata që u dergjën burgjeve dhe drejtësinë që u përpoqën të vënë në vend Gjyqet e Nurembergut”. Qartësisht dhe saktësisht na vjen në vesh dhe në mendje një mesazh i madh historik : Bota e civilizuar dhe e pas Luftës II Botërore dënuan krimet e kryera ndaj njerëzve të pafajshëm nga një regjim nazi-fashist. Në këtë mënyrë Nyrembergu u kthye në një simbol i drejtësisë ndërkombëtare ndaj atyre që ishin ideatorët e këtyre krimeve dhe për vite e vite me radhë, edhe pas 70 e ca vjetësh e ca që ka mbaruar kjo luftë, ndiqen, kërkohen, kapen dhe ndëshkohen shkaktarët pjesëmarrës në këto krime kundër njerëzimit.
Për të gjithë opinionin botërore, nuk kishte rëndësi se sa ishte numri i krimeve që kryente njeri apo tjetri, mjaft që ato bëheshin krime kundër njeriut për motive nacionaliste apo fetare, për bindje politike apo të tjera që janë të dënueshme për botën e qytetëruar. Hebrenjtë e morën drejtësinë e tyre nga gjyqet e Nurembergut, por edhe më tej shumë e shumë më tepër drejtësi.
Përpara këtij realiteti do të duhej të rikujtoja çfarëdo lloj krimi që është kryer në ato vite që janë regjistruar si krime kundër njerëzimit, siç është rasti i masakrave që u bënë në Paramithi, në Filat e në gjithë Çamërinë nga bandat ultranacionaliste fashiste greke ndaj një popullate të pafajshme shqiptare. E gjithë kjo është një nga dramat që është regjistruar në kujtesën e një kombi, po ashtu siç u regjistruan edhe krimet e nazistëve. Por nëse krimet e tyre nazistët gjermanë i kryen ndaj hebrenjve, kryesisht dhe ndaj popujve të tjerë, pjesëtar i kampeve shfarosëse kanë qenë edhe im atë, Nuri Emin Zane, nga Filati i Çamërisë, ashtu si edhe Osman Zenel Taka e Hajri Fetahu, apo Mezan Jonuzi në Itali dhe në Mathausen, Dakao e Mynih për të cilën edhe u dekorua nga ish -Presidenti Alfred Moisiu më 2005 me “Medaljen e Artë të Shqiponjës”, grekët, këta antishqiptarë të sprovuar i kryen krimet e tyre ndaj shqiptarëve të një treve që ndodhej në territorin grek. Dhe çfarë krimesh, nga më monstruozet, të paparat që nuk i kryen as gjermanët, por grekët. Rrëfimet e shumë dëshmitarëve okularë i kam përmbledhur në një libër “Kosova dhe Çamëria, përmes dëshmive rrëqethëse”. O Zot, çfarë nuk mund të rrëfejë ato tokë që i ka parë, çfarë mund të rrëfejnë ato varre të hapura masive që mbushën vendin, sa gjaku dhe vaji i ullirit u derdhën në det. Po ku ishe ti o Zot që nuk more hak, i luteshin njerëzit e mbetur gjallë, për mynxyrën që panë me sytë e tyre. Dhe vitet ikën një e nga një derisa jemi këtu në rreth72 vjet nga ai 27 qershor 1944 dhe ende edhe sot e kësaj dite nuk ka një ndëshkim për kriminelët bashkëpunëtorët e Napoleon Zervës që u mbështet tërësisht nga kisha dhe shteti grek, i cili edhe sot e kësaj dite, së bashku me pinjollët e tjerë kërkojnë të mohojnë të vërtetat e ndodhura.
Ja si shkruan Momerandumi i asaj kohe për krimet greke ndaj shqiptarëve të Çamërisë, drejtuar Komisionit Hetimor të Këshillit të Sigurimit të UNO-s “Rreth trajtimit dhe masakrave në minoritetin çam në Greqi,Tiranë më 1947, “Viktimat dhe humbjet sipas statistikave të deritanishme gjatë masakrave të 1944-1945 në kurriz të minoritetit shqiptar në Greqi, arritën numrin 2877 vetë të ndarë si vijon : Filat dhe rrethe 1286 ; Gumenica dhe rrethe 192 ; Paramithia dhe rrethet 673 ; Marglliçi e Parga 626. Ky qe fati i të gjithë atyre që nuk mundën të largoheshin nga Çamëria, me përjashtim të disa pak grave që janë sot dëshmitare të gjalla të kësaj masakre ngjethëse në Paramithi, në Pargë, Spatar dhe Filat. Përmes gojës së tyre del qartë dhe lakuriq kriminaliteti dhe aktet barbare të organizuara nga reaksioni monarko-fashist grek në Çamëri.
Kjo kasaphanë e frymëzuar prej ndjenjave më të ulëta shovene e fetare përfundoi me shpërnguljen me forcë të afro 23 mijë çamëve që erdhën dhe u shpërngulën në Shqipëri në konditat më të vajtueshme. 68 katunde me 5800 shtëpi u grabitën, u shkatërruan dhe u dogjën. Nga llogaritja e dëmeve, rezulton të kenë mbetur në Çamëri dhe të grabitura nga forcat monarko-fashiste greke të Zervës, 17 mijë kokë bagëti të holla, 1200 të trasha, 21 mijë kv bereqet dhe 80 mijë kv vaj. Gjithashtu, edhe produkti i vitit 1944-1945 që arrin në 11 milion kg bereqet dhe 3 milion kg vaj. Gjatë emigracionit 110 mijë kokë bagëti e hollë dhe 2400 bagëti e trashë ngordhën dhe humbën”.
Përballë këtij realiteti lind pyetja: kur do të bëhen gjyqet e Nyrembergut për masakrat e grekëve ndaj shqiptarëve të Çamërisë, nëse vërtet duhet të jemi të drejtë përballë të së vërtetës? A ka institucione ndërkombëtare që respektojnë të drejtat e njeriut, kur vjen fjala për krimet e kryera ndaj njeriut e aq më tepër ndaj një popullate të tërë ? Për opinionin qytetar dhe atë ndërkombëtar u bë një thirrje për të mbrojtur të drejtat e një homoseksuali, ndërsa heshtet për atë që njihet si “gjenocid grek mbi Çamërinë” dhe që 27 qershori 1944 ka hyrë në kalendarin historik kombëtar si “Dita e gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë nga shovinizmi grek”. Drejtuesit e çështjes çame janë në një rrugë që bëjmë për të ndërgjegjësuar opinionin ndërkombëtar dhe veçanërisht Departamentin Amerikan të Shtetit për të aprovuar një Rezolutë për këtë çështje për të vënë drejtësi ndaj një padrejtësie të tmerrshme dhe të pandëshkuar deri më sot, edhe pse kanë kaluar 72 vjet. Janë takuar kongresmenë dhe senatorë dhe po lobohet në Kongresit Amerikan për të arritur tek ajo Rezolutë që do të jetë një hap i madh drejt realizimit të një fitoreje për të gjetur të drejtën tonë të mohuar nga shteti grek, por që s’mund t’i harrojmë ne bijtë e Çamërisë.
Ndoshta ka ardhur koha në pikun më të lartë për një Nyremberg për krimet greke në Çamëri. Dhe kjo do të jetë fitorja e drejtësisë ndërkombëtare ndaj padrejtësisë në krimet kundër njerëzimit, në çdo vend si edhe për krimet e grekëve ndaj shqiptarëve të Çamërisë.