Çela: Energjia, tarifimi i ri llogaritet këtë muaj

Tarifimi i ri për konsumatorët pas heqjes së fashës mbrojtëse prej 300 kilovatësh, do të llogaritet dhe aplikohet në faturat e këtij muaji. Një fakt të tillë e ka bërë dje me dije kreu i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, Adrian Çela, gjatë raportimit dje para deputetëve në komisionin parlamentar të Veprimtarisë Prodhuese, Tregtisë dhe Mjedisit. Kujtojmë se 9.5 lekë për kilovat/orë energji e konsumuar elektrike është tarifa e re e caktuar nga Enti Rregullator i Energjisë për çmimin e ri të energjisë elektrike që konsumatorët do paguajnë nga 1 shkurti 2015. Ndërsa është hequr fasha prej 300 kilovat/orëshenergji e konsumuar elektrike në muaj, e cila ka qenë deri më dje fasha që ndante dy llojet e konsumatorëve të energjisë elektrike në rang vendi dhe që do të hiqet nga 1 shkurti 2015. Nga ana tjetër,në përgjigje të interesimit të deputetëve lidhur me faturimin aforfe, administratori i OSHEE-së tha se në mbarë vendin rezultojnë rreth 50 mijë kontrata të tilla. Megjithatë, plani i kompanisë sipas tij, është që ky lloj faturimi të mos aplikohet më pas janarit të vitit të ardhshëm. Nga ana tjetër, gjatë seancës dëgjimore me deputetët, administratori i OSHEE-së njoftoi se duke nisur nga muaji i ardhshëm do të nisë të aplikohet në 4 zona të Tiranës edhe vendosja e matësve inteligjentë të energjisë. Ku kjo fazë e parë sipas tij do të shërbejë si periudhë testimi dhe si moment vendimmarrje, nëse e njëjta praktikë do të ndiqet më pas në të gjithë vendin apo jo. Ndërsa në lidhje me problematikën e ndeshur së fundmi për të gjithë personat që kanë paguar në fakt me postë faturat e energjisë elektrike, por që për shkak të mosrakordimit me Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike figurojnë si debitorë, nuk do të cilësohen të tillë deri në mbyllje të procesit të rakordimit. Kurse sa i përket shifrës konkrete të mungesës së rakordimit mes Postës dhe kompanisë së OSHEE-së kap vlerën e 1.2 miliardë lekëve. Më tej, në lidhje me projektligjin e ri që po shqyrtohet në Kuvend  për sektorin e energjisë elektrike, administratori i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, u shpreh se ai kërkon një harmonizim interesash para së gjithash. “Të harmonizohen interesat e konsumatorëve e operatorëve. Do të nisim nga ndryshimet themelore, projektligji përcakton detyrat dhe detyrimet e operatorit”, u shpreh konkretisht Çela lidhur me këtë projekt. Ligji për energjinë synon krijimin e një tregu efiçent, sipas tij, ndërsa nënvizoi se ndryshimi themelor është liberalizimi i tregut .

SHKARKO APP