Çështja Çame, kërkohet seriozitet  dhe falje ndaj të vërtetave!

 Nga Fahri Dahri/ “Çështja çame nuk ekziston dhe risjellja e përsëritur e një çështjeje inekzistente nga autoritetet zyrtare shqiptare nuk u shërben marrëdhënieve tona dypalëshe”. Kjo është përgjigjja e qarqeve politike pranë Ministrisë së Jashtme greke, ndaj deklaratës së fundit të Ministrit të Jashtëm shqiptar Ditmir Bushati, në një intervistë për Top Channel, ku ai i është referuar çështjes çame.

Lajmi publikohet nga agjencia shtetërore greke e lajmeve, e cila në mënyrë të qartë thekson se të njëjtat qarqe shprehen tekstualisht se “Gjatë pushtimit nga ana e forcave të Boshtit, çamët kanë bashkëpunuar me pushtuesit fashistë dhe nazistë dhe janë larguar me nismën e tyre nga Epiri, me grupe, e përfundimisht duke ndjekur forcat e armikut.

  • ••

            Sot, duke shfletuar gazetat shqiptare, po thuaj tek të gjitha, informohemi me të njëjtin lajm dhe pikërisht me lajmin se autoritetet greke ripërsërisin shprehjen rutinë, apo bajate: ”Çështja Çame nuk ekziston” duke e shoqëruar, doemos edhe me akuzën:

Gjatë pushtimit nga ana e forcave të Boshtit, çamët kanë bashkëpunuar me pushtuesit fashistë dhe nazistë dhe janë larguar me nismën e tyre nga Epiri, me grupe, e përfundimisht duke ndjekur forcat e armikut”.  Me këto katër rrjeshta, sipas qarqeve greke, mbyllet historia e një komuniteti autokton, të cilit i hiqet çdo e drejtë e njohur nga vetë institucionet ndërkombëtare të këtij planeti.Kështu pala greke, sipas këtyre qendrimeve, me forcën e forcës kërkon të vendosë shuarjen e një komuniteti.

Për t’u njohur me të vërtetat e akuzave greke ndaj çamëve, këtë radhë në këtë trajtesë, nuk do të argumentoj të kundërtat e sajesave greke, sepse ato i kam shkruar në disa libra, duke u bazuar edhe në shkrimet e historianëve, shkrimtarëve, klerikëve, profesorëve, shkencëtarëve, zyrtarëve të sinqertë, bile dhe të vetë strategëve dhe “heronjëve” grekë që u shquan në kryerjen e genocidit ndaj çamëve; por në të drejtën e kujtdo të akuzuari, kërkoj përgjigje prej palës akuzuese, të argumentojë para opinionit publik grek dhe ndërkombëtar, shkaqet e vërteta, të cilat krijuan disa nga ngjarjet më të nxehta që shteti Grek ka ndërrmarrë  ndaj çamëve si myslimanë dhe çamëve ortodoksë, në vazhdimësi nga viti 1913 e deri sot.

  • Në muajin mars të vitit 1913,  nga paria e Çamërisë u mashtruan 78 burra, të cilëve ju tha të visheshin mirë e bukur se do të takoheshin me komandantin, i cili do t;i emëronte myftarë në rajon. Pasi  u grumbulluan, i lidhën dy e nga dy nga duart, i zhveshën, u a morën gjithë sendet me vlerë dhe i vranë tek Përroi i Selanit në Paramithi. Për ngjarjen kërkohet arësyeja.
  • Sapo u vendos padrejtësisht, kalimi i rajonit të Çamërisë nën administrimin e shtetit Grek, në vitin 1913 filluan diferencimet politike, ekonomike, shoqërore, fetare, administrative ndaj çamëve myslimanë. Ndaj tyre u morën masa të ashpra duke filluar me gjoja reformën agrare, e cila edhe pse pretendohej se ishte për gjithë Grqinë, ajo u zbatua e deformuar në atë rajon, nëpunësat lokalë shtetërorë vepruan jashtë rregullave të reformës duke dëmtuar rëndë komunitetin çam, deri sa vit mbas viti e sollën në një gjendje ekonomike të mjeruar. Ankesat e tyre për mos zbatimin e rregullt të reformës nuk gjetën asnjëherë përgjigje nga institucionet përkatëse greke.Cila ishte Arësyeja?
  • Gjatë viteve njëzet, edhe më pas, u morën masa drastike për shkëmbimin e çamëve myslimanë nga vendi autokton për t’i dërguar në Turqi, kur dihej fare mirë që banorët e Rajonit të Çamërisë ishin të etnisë ilire, shqiptare. Megjithëse u vendos ndërkombëtarisht etnia shqiptare e çamëve, e pranuar edhe nga vetë shteti grek, masat drastike të shtetit grek ndaj tyre, jo vetëm vazhduan, por ato u zgjeruan në të gjitha aspektet e jetës, deri tek mosshërbimet demografike. Çamët myslimanë vazhdonin të trajtoheshin të shkëmbyeshëm, bashkëatdhetarë të padëshiruar, u mohua gjuha e folur, shkollat, pronat, deri edhe shtëpitë e tyre shteti grek u a dhuronte “aziatikëve ortodoksë”.Për të drejta të çamëve as që bëhej fjalë.A ka Arësye?
  • Ndaj çamëve myslimanë, duke filluar nga viti 1913 e deri para pushtimit të Greqisë nga okupatori nazifashist, shteti grek është sjellë armiqësor, duke përdorur argumente bajate, të cilat për shtetin grek ishin si të thuash “thembra e Akilit”. Çamët, sipas kishës dhe shtetit grek, duke u konvertuar në fenë islame, u quajtën “tradhëtarë të kombit grek”, pse se nuk ishin ortodoksë, por nuk mjaftonte kjo, që çamët myslimanë të bëheshin të padëshirueshëm dhe të largoheshin nga territori, tashmë i Greqisë, duhej t’u mohohej origjina, pra çamët duke u konvertuar në myslimanë, gjithnjë sipas palës greke, humbën identitetin, u quajtën “turq”. Edhe më interesant është fakti, kur bëheshin përpjekje duke hedhur mendime se çamët nuk ishin autoktonë, por gjoja kishin ardhur atje gjatë kohës së “osmanllinjëve”, gjithashtu çamët e Thesproti-Çamërisë, u akuzuan se nuk flisnin shqip, por e mësuan atë nga bejlerët e Turqisë, e të tjera paradokse, sa bajate aq edhe qesharake, por që shkaktuan urrejtje, ndasira, armiqësira deri sa u bë kasaphana e paramenduar, ajo e genocidit. I habitshëm është edhe fakti i diferencimit që bëri dhe bën kisha dhe shteti grek, mes çamëve myslimanë me vëllezërit, farë e fisin e tyre çamët ortodokë, të cilët nuk u quajtën turq, as u prekën nga reformat apo masa të tjera drastike, sipas palës greke, ata nuk e tradhëtuan kombin grek, sepse mbetën ortodoksë. Besoj është tepër i qartë shkaku i masakrave dhe dëbimi i çamëve myslimanë.Sigurisht çamët ortodoksë të etnisë shqiptare, nuk pësuan genocidin si vëllezërit e tyre të nji fisi, çamët myslimanë, por atyre u është mohuar etnia shqiptare. Ata kisha dhe shteti grek, nuk ua njeh gjuhën, nuk u hap shkolla në gjuhën amtare (shqipe), sepse duke qenë ortodoksë, duam nuk duam, ata janë të kombit ortodoks, pra të kombit grek.

A ka arësye që një komunitet autokton, duke mos qenë i të njëjtit besim fetar, duhet të masakrohet, të vritet, të shpronësohet dhe të dëbohet dhunshëm nga vatrat mijëvjeçare?

  • Nga fundi i vitit 1940, në prag të hyrjes së trupave italiane në rajonin e Çamërisë, shteti grek internoi në ishujt e Detit Egje, gjithë meshkujt çamë myslimanë, nga mosha 16 deri në 70 vjeç, gjithësej u grumbulluan 6.000 vetë, duke mbetur në rajon gratë, fëmijët, pleqtë dhe të sëmurët, dhe i gjithë vendi në mëshirën e mësymjeve të hajdutëve, grabitqarëve, të pamoralshmëve, dhe kjo jo për pak kohë por plot mbi 6 muaj. Ky veprim tepër armiqësore, nuk u gjykua, nuk u analizua asnjiherë, as nga shteti i atëhershëm grek dhe as sot, për të nxjerrë qoftë dhe nji element të vetëm akuze ndaj çamëve myslimanë. Internimi i të gjithë meshkujve çamë, sigurisht nuk ka mbetur pa arësye.Ajo masë e ashpër, armiqësore, u bazua në paragjykimin e shtetit grek ndaj çamëve, sepse duke e ditur që ai shtet për tre dekada ishte sjellë vetëm armiqësisht ndaj tyre, e ndjente se e keqja që kishte bërë mund të shpaguhej.Por edhe pse çamët u internuan, kur u kthyen nga internimi nuk shfaqën, e as ndërmorën ndonji veprim kundër shtetit grek.

A mundet të na sqarojë ndonji institucion drejtësie, se në cilin Kod Penal u mbështet shteti Grek, që vetëm mbi mendimin e paragjykimit, të dyshimit, dënoi me internim të gjithë meshkujt e nji rajoni, duke mos patur për asnji prej tyre ndonji vendim gjyqësor? Besoj është e drejtë të jepet një përgjigje!

  • Thuhet se vëllezërit dhe motrat nuk mundet t’i zgjedhësh, ndërsa fqinjin po. Nuk dëshiroj që ta hedh poshtë këtë përfundim popullor, por për rastin e çamëve myslimanë kjo thënie qëndron ndryshe.Territori i rajonit të Çamërisë, duke qenë se është truall mijëvjeçar i thesprotëve, me prejardhje pellazge, më pas ilire dhe sot shqiptare, nuk mund të konceptohet ndryshe nga e vërteta që është kufiri më jugor i Shqipërisë etnike, apo pjesë përbërëse e territorit të Gadiishullit Ilirik.Vendndodhja e çamëve dhe etnia e tyre, me kalimin e Çamërisë në shtetin grek, ishte një ankth i madh për Greqinë. Asaj nuk mund t’i hiqej sikleti nëse banorët e Thesprotisë nuk do të ishin të gjithë ortodoksë, se ashtu do quheshin grekë, dhe se banorët e besimeve të tjera, siç ishin çamët myslimanë, që kurrsesi nuk mund të quheshin grekë, sipas kritereve te “Megalloidesë” në Greqi nuk mund të banojnë jogrekët, atëhere zgjidhja e vetme, përfundimtare ishte që jogrekët, në rastin tonë çamët myslimanë, duke mos qenë ortodoksë, nuk mund të jetonin në shtetin grek, pavarësisht nga marrëveshjet ndërkombëtare. Në këto kushte, lindi strategjia e masave të ndryshme për largimin e çamëve nga vendlindja stërgjyshore.

A  është arësyetim i drejtë i Greqisë, marrja dhe vënia në jetë e këtij argumenti?

  • Nga viti 1913 e deri në vitin 1944, u përdorën me sukes nga shteti grek, të gjitha mënyrat për çpopullimin e rajonit në fjalë në dëm të çamëve myslimanë, megjithatë po thuaj gjysma e banorëve myslimanë (me shpresë tek shteti grek se do të kuptonte marrëzitë, shpresa të cilat krijoheshin edhe nga deklarimet e Ministrisë së Jashtme Greke, se çamët nuk do të këmbeheshin, por që ato deklarime ishin mashtrime ndaj ndërkombëtarëve), i rezistoi fushatave të vazhdueshme në ndjekje të tyre deri sa erdhi koha kur Greqia u pushtua nga okupatori.

Pavarësisht nga realitetet e asaj kohe, ku midis të tjerave gjatë “pushtimit” italian të Greqisë, rajoni i Çamërisë qeverisej me mirëkuptim të plotë mes drejtuesave lokalë grekë dhe italianë, strategët e përcaktimit te ortodoksisë si kusht për kombin grek, manovruan me okupatorin, për të realizuar dëbimin e çamëve myslimanë nga trojet e tyre. Duke mos arritur këmbimin e plotë të kësaj popullsie nga viti 1913 deri në vitin 1944, ndryshuan llojet e mashtrimeve ndaj çamëve myslimanë dhe shansi i luftës u dha hapësira të reja që akuzat të ishin më bindëse edhe për ndërkombëtarët që ajo popullsi, duhej vrarë, dhunuar dhe dëbuar. Në këtë konstekst, u vunë në plan format e mashtrimit që çamët të akuzoheshin, sipas rastit, një herë u thuhej gjermanëve se shtëpitë e çamëve shërbenin si streha të partizanëve, ndërsa aleatëve (anglo-ameriaknëve) u thuhej se çamët ishin bashkëpunëtorë me okupatorin. Mashtrimet greke arritën t;i vinin në kurth si Boshtin dhe Aleatët, të cilët lejuan Zervën të vepronte në atë mënyrë ndaj çamëve fatkeq, pa asnjë ushtri, pa shtet dhe pa miq, siç kanë deklaruar me shkrim edhe vetë misionerët  pas mbarimit të luftës dhe kryerjes së genocidit grek ndaj çamëve.

 Kush ishte arësyeja që ishshtetarët grekë duhej të mashtronin në atë mënyrë?.

  • Më në fund u arrit që çamët myslimanë, ata që mbetën pa u vrarë, torturuar, rrëmbyer dhe dëbuar me dhunë, u shpërngulën me llahtarë nga vendi i tyre, pavarësisht se disa thonë që çamët ikën se nuk donin të përballeshin me gjyqet greke, ose disa thonë u arratisën, ose siç thuhet edhe në fillim të shkrimit: …janë larguar me nismën e tyre nga Epiri, me grupe, e përfundimisht duke ndjekur forcat e armikut… dhe shumë e shumë hamendësime, por të gjitha me synimin për të denigruar çamët. Në gjysmën  e parë të vitit 1945, rajonin e Çamërisë e çliruan nga çamët mylimanë, që kishin 500 vjet që e kishin zënë përfyti helenizmin, siç deklaron me naivitet dhe me sinqeritet shkakun e vërtetë të masakrave ndaj çamëve, kryevrasësi Napoleon Zerva.

A mundet ndokush të përgënjeshtrojë këtë deklarim të “heroit të rezistencës kombëtare greke” (Bëhet fjalë për Napoleon Zervën)?

  • Shqetësimi i shtetit grek, për trojet e rajonit të Çamërisë, pavarësisht se u çlirua nga të “padëshiruarit”, nga “tradhëtarë e kombit grek”, nuk mund të hiqej aq kollaj. Këtë e kishin të qartë kalemxhinjtë, gramatikonjtë, apo strategët e ortodoksisë greke. Të ndodhur përpara faktit se: “Territoret pohohen përmes popullsisë së saj, të cilat në epokën e parimit të kombeve u bënë qasja normative”, u detyruan të ndryshojnë akuzat e para dëbimit me dhunë ndaj çamëve. Kështu çamët dalin se janë banorë autoktonë në ato troje dhe trojet duhet të ishin troje greke, prej kësaj doli teoria se çamët janë “grekët e lashtë”, por me qënëse u konvertuan në myslimanë, janë tradhëtarë të ortodoksisë, ose të kombit grek.Kështu territori i banuar nga grekët e vjetër (kupto çamët) mbetet territor grek.

Kush mundet të sqarojë përgënjeshtrimet e vetë shtetit grek, që çamët e para masakrave dhe genocidit akuzoheshin se ishin turq, pa identitet, nuk dinin të flisnin shqip, etj. dhe pas  genocidit na dolën “grekë të vjetër”, “tradhëtarë të kombit”, dhe bashkëpunëtorë me okupatorin, kur mbi 30 mijë grekë me mbretin e tyre Rrallis në krye, i shoqëruar nga Napoleon Zerva e Co, ishin bashkëpunëtorë me okuptorin, por siç thotë një emisar amerikan, “grekët e ndërruan flamurin, ndërsa çamëve nuk i u dha ky shans”?.

Çfarë argumenti mund të na paraqesë pala greke për qendrimet e ndryshme mes grekëve që bashkëpununuan realisht me okupatorin që nuk u dënuan, ose u amnistuan dhe çamëve që me shpifje u akuzuan se bashkëpunuan me okupatorin, u  masakruan dhe u dëbuan?. Pse nuk u përdor amnistia edhe për çamët, por vazhdohet edhe sot të mbeten vetëm tek akuza fallso “bashkëpunëtorë me okupatorin?

  • Së fundi, për kaq sa përmendëm, duhet të na sqarohet: Mirë se “Çështja Çame”, sipas jush nuk ekziston, por çfarë duhet të dijë opinion i shëndoshë për ngjarjet sistematike që u theksuan dhe që absolutisht nuk janë vetëm këto, si është e mundur që gjatë 32 vjetëve nën shtetin grek, çamët janë përballur me masa tejet të ashpra dhe të pajustifikuara, të kryera në vazhdimësi dhe me vetëdije të shtetit grek? A po edhe këto nuk ekzistojnë!

Guri i mullirit që bluan drithëra, nuk mund të fshihet në asnjë pëllëmbë dore”.Dhe guri i mullirit, që doni ta fshihni në grushtin e dorës, është që ortodoksia e juaj të arrijë të jetë besim edhe i çamëve myslimanë, vetëm kështu ata nuk do quhen “tradhëtarë të kombit grek”, automatikisht bëhen“miq të kombit grek”.Për çamët ai gur, nuk mbahej dot në dorë, ai ishte i madh,i rëndë dhe shtypës.

I ndërgjegjshëm, u kërkoj ndjesë shpirtërave të të masakruarve, të të vrarëve, të vdekurve nga torturat, uria dhe sëmundjet, të cilët shetisin në hapësirën qiellore të rajonit të Çamërisë; u kërkoj ndjesë skeleteve të paraardhësve tanë, të cilët prehen në nëntokën e trojeve të tyre mijëravjeçare, për pamundësinë e pranisë tonë (pasardhësve të tyre) në atë hapësirë tokësore, ajrore e detare, e krijuar gjatë këtyre 72 viteve, për t;u gjendur pranë njëri-tjetrit në të mirat dhe hallet tona të përbashkëta. Por ata duhet të jenë të sigurtë se asnjë çast, asnjë moment nuk i kemi tradhëtuar, nuk i kemi mohuar, asnjiherë nuk kanë qenë jashtë vemendjes tonë, sado trysni, shpifje, gënjeshtra, përbaltje, të gjitha të pavërteta, që kanë përdorur dhe po përdorin autoritetet e racizmit etno-fetar grekë.

 Prandaj, pavarësisht nga mendimi i pales vrasëse: “Çështja Çame” ekziston dhe duhet ulur për zgjidhjen e saj.

SHKARKO APP