Çështja shqiptare dhe Kosova

Nga Sadedin Çeliku/Më në fund faktori ndërkombëtar u kujtua se ekziston një çështje shqiptare që e ka zanafillën tek padrejtësia e vitit 1913. U desh lufta e Kosovës që mjaft vende t’i thërrisnin arsyes, memories, por dhe ndërgjegjes, e ta konsideronin këtë çështje ekzistente e tejet të rëndësishme.

Serbia e shumë vende të tjera të tjera të influencuara, e quajtën luftën e Kosovës si një përpjekje për një “Shqipëri të Madhe”, “Shqipëri Natyrale”, madje, edhe sot i tremben një bashkimi të mundshëm kombëtar. Ndërsa vetë shqiptarët i thonë “Shqipëri Etnike” që në përmbajtje janë e njëjta gjë.

Sigurisht që Shqipëria si vendi amë ndikon mjaftueshëm në politikat e Kosovës, por një studim të mirëfilltë se sa dhe si ndikon nuk është bërë deri tani. Në gjykimin tim, më aktiv tregohet Serbia në marrëdhënie me çështjen shqiptare, se sa vetë faktori shqiptar, të cilët rast pas rasti ju adresohen anëtarësimit në Bashkimin Europian duke nënkuptuar se pikërisht atëherë mund të ndodhë bashkimi kombëtar.

Serbia dhe shërbimet sekrete të saj nuk lënë gur pa lëvizur që çështja shqiptare dhe ëndrrat e tyre për bashkim të mos ndodhin kurrë. Dhe për këtë, kontribuojnë dhe mjaft shqiptarë të rekrutuar në shërbimet sekrete serbe, por dhe mjaft vende, të cilët ju frikësohen “Shqipërisë së Madhe” ose siç shprehen disa duke e konsideruar bashkimin kombëtar si rreziku i nacionalizmit shqiptar.

 Frika e disa prej vendeve perëndimore e sidomos ajo sllavo-ortodokse justifikohet me faktin se shqiptarët përbëjnë rrezik sepse jetojnë historikisht në trojet e tyre natyralë të cilët përbëjnë sot një popullsi prej shtatë milionë banorë. Kjo krijon idenë e gabuar se bashkimi krijon destabilizim të rajonit por dhe krijon premise për ndryshim kufijsh mes vendeve të tjera gjë për të cilën qeveria shqiptare e ka deklaruar disa herë që nuk ka pretendime territoriale ndaj fqinjëve por çështja e Kosovës është krejt tjetër që nuk ka lidhje aspak me sa pretendohet.

Kështu në Malin e Zi, Serbi, Kosovë, Maqedoni  etj., jetojnë mbi tre milionë shqiptarë, të cilët jo të gjithë gëzojnë të drejta të barabarta me kombet e tjera. Sipas mendimit tim, liderat shqiptarë kanë treguar kujdes në marrëdhënie me Kosovën, kujdes që buron nga frika e perëndimit, të cilët bashkimin kombëtar e shikojnë si një realitet por dhe ndikimi është parë në sensin ekonomik me prapavijë politike.

Kështu kemi takimet mes dy qeverive shqiptare me objekt bashkëpunimin në mjaft fusha si në energjetikë (një sistem), në arsim (unifikim tekstesh), në fushën e mediave audiovizive, në tregti, bujqësi, transport, dogana etj. Megjithatë, ndikimi i Shqipërisë në politikat e Kosovës nuk ka qenë në nivele të kënaqshme sepse politikanët shqiptarë i druhen faktorit ndërkombëtar por dhe liderëve shqiptarë në Kosovë. Intensiteti i bashkëpunimit ekonomik e gjithfarësh duhet rritur me shpejtësi edhe në qoftë se ka kosto, të kapim kohën e humbur, ndryshe ëndrra shqiptare nuk do të realizohet. Ne nuk duhet të presim dhe as të dëgjojmë se çfarë na thonë sepse vendet që janë kundra kësaj ëndrre nuk janë pak.

Në thelb kemi dy qëndrime të cilat tashmë janë konfiguruar. Nga njëra anë politikat tërthore diplomatike në të dy anët e kufirit, dhe nga ana tjetër mendimi i kombit shqiptar, i cili e shfaq hapur ambicien për bashkim në ndeshje ndërkombëtare futbolli, intervista pse jo dhe në politikë nga ato subjekte politike që mbështesin hapur bashkimin kombëtar.

Një rol të rëndësishëm negative kanë luajtur krizat politike në të dy anët e kufirit. Në Shqipëri është rivijëzuar politika e konfliktit, e cila duket qartë në pengesat që opozita i bën reformave në tërësi, si dhe konflikti politik në Kosovë, e cila ka pasur jo pak pasoja për integrimin e saj dhe zhvillimin ekonomik. Pra vërehet qartazi mungesa e bashkëpunimit me qeverinë për zbatimin e programit të zhvillimit. Kjo krizë shqiptare do ta quaja, ka lozur rol mjaft negative me pasoja të mëdha për të ardhmen tonë të përbashkët.

Ajo që më bën përshtypje është standardi politik që ndjekin ndërkombëtarët. Ata paskan të drejtë të ndërhyjnë e të këshillojnë politikanët shqiptarë në Kosovë, ta konsiderojnë mëkat bashkimin kombëtar, ndërsa ne na e konsiderojnë ndërhyrje me prapavijë bashkimin kombëtar. Më duket se ka ardhur koha e unifikimit të mendimit dhe veprimit, madje më duket se jemi me vonesë në këtë çështje duke pasur parasysh se ka mjaft ngacmime që impaktin do ta japin vite më vonë.  Vërejmë se turqit po investojnë jo vetëm në vendet me besim mysliman por në ato vende ku ka qenë kufijtë e perandorisë së tyre. Në vendin tonë pothuajse e gjithë ekonomia është dorëzuar në duart e turqve dhe mjaft pak në duart e atyre që sjellin impute pozitive në ekonominë shqiptare.

Kështu ata kanë privatizuar hidrocentralet Bistrica një dhe dy, hidrocentralet Ulëzë, Shkopet dhe së afërmi marrin me konçension dhe hidrocentralin e Skavicës, Uzinën e shkrirjes çelikut Metalurgji, Bankën Kombëtare Tregtare, Albtelekom, operatorin e celularit “Eagle Mobil”, sheshin e kontejnerëve në portin detar të Durrësit, disa shkolla të mesme e të larta jo publike, miniera, rrugë e superstrada etj. E njëjta gjë ndodh dhe në Kosovë. Të njëjtin fenomen vërejmë dhe nga rusët e serbët të cilët janë turrur drejt bregdetit tonë jugor duke blerë troje. Ndërkaq kinezët janë të gatshëm të investojnë në Ballkanin Perëndimor dhe veçanërisht në Shqipëri e Kosovë qoftë dhe me kosto.

A ka institucione studimore Shqipëria që t’u paraprijë politikave, por dhe qeverisë e cila ekzekuton politikat apo do të vazhdohet të bëjmë politikë rutinë? A tërhiqet mendimi i disa instituteve private ndërkombëtare, të cilat drejtohen nga diplomatë shqiptarë të aftë? Pse kemi frikë ta themi atë që mendojmë dhe nga kush? A ka kosto ky qëndrim? Cila do të jetë Shqipëria pas dhjetë viteve dhe kush do ta bëjë prognozën?

Sidoqoftë projekti i Europës Bashkuar nuk mund të jetë ndryshe me kombin shqiptar, madje, qysh tani koncepti kufi s’ekziston. Integrimi si proces duhet të bëhet në funksion të bashkimit dhe bashkimi në funksion të integrimit. Nga ana tjetër askush nuk ka të drejtë të manipulojë e të pengojë vullnetin e popullit, por dhe të kombeve në përgjithësi.  Faktori ndërkombëtar nuk duhet të mbështesë vetëm idenë që lidhet me ndarjet, por dhe të mbështesë fort bashkimin, i cila e bën më të fortë vetë Europën, në fund të fundit bashkimi vlen më shumë se ndarja.

SHKARKO APP