“Çfarë brezi po rrisim?”

Problemet në arsim, flet psikologu dhe mësuesi Ndue Dragusha       

Intervistoi: Fran Gjoka/ Para disa javësh mësues të Elbasanit flisnin për një gjendje alarmante lidhur me marrëdhëniet mësues-nxënës. Nxënësit janë të papërmbajtur. Ju si njohës i mirë i problemeve të arsimit, si e njihni gjendjen në shkollat tona?

Nisur nga ajo që ju thoni, janë shumë gjëra që mund të diskutohen dhe që, sipas meje, në shkollat tona ka shumë probleme që janë alarmante, si p.sh, paaftësia për të kuptuar përse ke zgjedhur të jesh mësues, cili është misioni i një mësuesi, sa janë në gjendje mësuesit t’i përgjigjen zhvillimeve të reja psiko-pedagogjike, përshpejtimit psikologjik të brezit që kemi në dorë, zhvillimeve teknologjike, evoluimit të të drejtave dhe detyrave e shumë të tjera, që jo vetëm janë shumë të ndjeshme, por dhe bazë e punës së edukatorit. Çdo mësues, por edhe prind, duhet të njohë stadet e zhvillimit të fëmijëve. Me hyrjen e fëmijëve në adoleshencë fillojnë vështirësitë edhe për ata, edhe për prindërit dhe sigurisht edhe për mësuesit. Në këtë periudhë fëmijët kanë një nivel të rritur stresi, janë konfuzë me veten dhe me ambientin, mbyllen në vetvete, por edhe shpërthejnë në sjellje agresive. Për prindërit kjo paraqitet si vështirësi edhe për faktin se ata fillojnë të humbasin ndikimin që kishin mbi ta dhe për pasojë edhe mjetet që ata përdornin për të ushtruar ndikimin e tyre mbi ta nuk funksionojnë. Për mësuesit ndodh e njëjta gjë, duke mos i pasur parasysh zhvillimet e tyre, sepse në moshën 11-12 vjeç fëmijët arrijnë të mendojnë në mënyrë abstrakte, duke i kapërcyer ato gjëra që kapin shqisat, mendojnë në mënyrë logjike, hipotetike dhe vëzhgojnë mënyrën personale të të menduarit. Me rritjen e tyre stabilizohen shumë prej aftësive dhe kërkojnë të formojnë identitetin e tyre, por kur nuk e arrijnë një gjë të tillë, ata bëhen konfuzë. Këto gjëra duhet t’i dinë mësuesit që të kuptojnë më mirë moshat me të cilat punojnë dhe të vendosin një marrëdhënie mirëkuptimi me ta. Specialistët sqarojnë se “adoleshenca nuk është moshë e vështirë, e vështirë mund të jetë mosha e të rriturve, që nuk e kupton moshën e tyre, ashtu si adoleshentët nuk arrijnë të kuptojnë veten.”  Duhet ta kujtojmë shpesh thënien e Viktor Hygoit: “Miqtë e mi, mbani mend një gjë, nuk ka bimë të këqija, as njerëz të këqij, ka kultivues të këqij.”

 

Para pak kohësh, në shkollën e fshatit Larushk, në Bashkinë e Fushë-Krujës, mësuesi i edukimit fizik u kërcënua me armë. Pse nuk reagoi fare Ministria e Arsimit, Shoqëria Civile apo Sindikatat?

Shoqëria jonë është në një zhvillim të shpejtë dhe për pasojë nuk mund të pretendojmë se gjithçka do të shkojë “vaj”. Duhet të jemi objektiv dhe të pranojmë se çdo qenie njerëzore është unik në vetvete. Unë mendoj se ne jemi mësuar të gjykojmë të tjerët, por në të vërtetë duhet të jemi më racional në të gjykuarit tonë dhe të gjykojmë së pari, veten. Çdo mësues, para se të kryejë një veprim, duhet të ketë kuptuar natyrën, psikologjinë, hallin dhe motivin që nxit dhe stimulon qëndrimin e nxënësit të tij. Pa mohuar rolin dhe punën që bëjnë mësuesit tanë si një armatë e gjallë dhe plot përkushtim, duhet pranuar se në shumë raste janë vetë mësuesit ata që krijojnë konfliktet në shkolla me nxënësit e tyre. Por nuk dua të mjaftohem me kaq. Dua të theksoj se të gjithë ne, çdo ditë, mbyllim sytë, veshët, tërhiqemi me një indiferentizëm të theksuar dhe heshtim përpara veprimeve të gabuara të kolegëve tanë. Unë ndjehem shumë i revoltuar kur shoh se si mësuesit ushqejnë tek njëri–tjetri idenë se janë nxënësit ata që janë bërë të padurueshëm dhe shtojnë shumë epitete fyese ndaj tyre. Janë shumë mësues që kanë nevojë për të parë më thellë qëndrimin e tyre në lidhje me profesionin që kanë. Po ju sjell një shembull: -Një vajzë shqiptare mbaron shkëlqyeshëm shkollën në Angli dhe fiton të drejtën për të qenë mësuese në një shkollë prestigjioze. Fillon punën me shumë përkushtim dhe dashuri. Pas disa muajsh e thërret drejtori i shkollës në zyrë. Atje drejtori ka shumë autoritet dhe shkolla gjithmonë përmendet me emrin e drejtorit.  Pasi e pyet se si po kalon në këtë shkollë, ç’probleme ka etj., i thotë që ne e vlerësojmë pozitivisht punën tuaj, përkushtimin dhe përgatitjen tuaj, por dua t’iu bëj një vërejtje. Ju po më stresoni shumë fëmijët. Ne duam të rrisim dhe edukojmë  njerëz të lirë, të padhunuar. –Më falni, z. drejtor, – i thotë mësuesja, -po në ç’mënyrë i kam dhunuar? –Po ja, – i thotë drejtori, – ju kanë ardhur fëmijët pa detyra ndonjëherë? –Po! –Ju u keni thënë me një ton pak të ashpër: -Përse nuk i keni bërë detyrat? Nuk është kjo një dhunë? Njeriu do të zgjedhë vetë atë që duhet të bëjë, jo përmes dhunës. Ju duhet ta bëni mësimin aq të dashur për fëmijët sa çdo fëmijë t’i bëjë detyrat me dëshirën e tij të plotë. Pra, e shihni se si mbrohet fëmija atje, z. gazetar? Po ne si e bëjmë këtë mbrojtje realisht në shumë shkolla (jo në të gjitha shkollat, sigurisht)? Prof. Dr. Adem Tamo, thekson: “Tani është e qartë se nuk kemi të bëjmë me një moshë të vështirë, por me vështirësi të adoleshentëve për të kuptuar veten dhe me vështirësi të të rriturve për të kuptuar adoleshentët. Adoleshenti duket se nuk e ka të lehtë të kuptojë vështirësitë e rritjes së vet, edhe prindërit nuk e kanë të lehtë të administrojnë këtë rritje të adoleshentit. Dhe pastaj fajin e ka mosha.” Pra, është e domosdoshme që të njihet nga mësuesit kapaciteti për të përballuar problemin e vet adoleshenti, për të parandaluar krizën, si e bën jetën familjare, rritjen seksuale, jetën shkollore, si sillet në lagje dhe në komunitet, si kujdeset për veten, cilat janë kënaqësitë e tij personale etj., me qëllim që të ndërtojë dhe punën jo në mënyrë spontane, por të organizuar me seriozitet, duke shmangur kështu dhe ngjarje të tilla, që ju e theksoni në pyetjen tuaj. Duke mos e ditur rastin në F. Krujë, për të cilin ju pyesni, nuk mund të fajësoj asnjërin, për t’iu dhënë dhe juve një përgjigje më reale.

 

Siç shkruhet në letër, janë shtuar aktet e dhunës ndaj mësuesve. Si duhet të veprojë mësuesi ynë për të ruajtur qetësinë dhe për të zhvilluar mësim normal në këtë situatë?

Asnjëri prej nesh nuk është i përkryer, por në të vërtetë kemi dhe ne dobësi në punën tonë si mësues. Nuk i shohim me objektivitet të qartë veprimet tona. “Njeriu që nuk di të buzëqeshë, nuk duhet të hapë dyqan.”-thonë kinezët. Pra, duhet ta shtojmë më shumë dozën e dashurisë. Mësuesi nuk duhet ta konsiderojë klasën si një fushë lufte, ku janë dy palë të kundërta mes tyre. “Vetëm ai që i ka bindur njerëzit për dashurinë e tij ndaj tyre, ka të drejtë dhe e meriton t’u bëjë kritikë të rreptë.”,-thotë M. Gandi. Prandaj dua t’iu kujtoj që më përpara është e nevojshme që mësuesit të kenë nën kontroll të plotë emocionet e veta. Ata nuk mund t’u japin mësim adoleshentëve, në se nuk kontrollojnë dot veten e tyre. Administrimi i emocioneve personale është hapi i parë i çdo mësuesi apo prindi për të ndihmuar fëmijët e tyre.

 

Si mund të ndërhyjë shteti për të krijuar kushte optimale qetësie në shkollat tona, për të mundësuar zhvillim normal të procesit mësimor?

Sipas meje, shteti nuk mund të bëhet “kujdestari” i secilit. Shteti bën politikat arsimore, reformat e duhura, jep strategji dhe përcakton kushte për të punuar. Secili duhet të gjejë veten në këto strategji dhe politika arsimore. Për mua, mund të bësh shumë universitete, mund të mbarosh shumë akademi, mund të marrësh tituj të ndryshëm etj., por po nuk qe ai i duhuri, me kulturë, qytetari, i përshtatshëm për kohën dhe punën, çfarë mund të të bëjë shteti? Nuk mund të pranojmë që mësimi duhet të bëhet me policë. Kjo do të ishte një anormalitet i tejskajshëm dhe i papranueshëm. Por që objektet të jenë të siguruara në shumë mënyra, që mësimi të zhvillohet normalisht dhe pa u cenuar, kjo është parësore dhe ku shteti është kryesori. Kurse marrëdhëniet mes mësuesit dhe nxënësit i harmonizon vetë mësuesi. Për këtë specialistët mësojnë se duhen organizuar programe për pajisjen e adoleshentëve me shkathtësitë e sjelljes sociale, me programe që u ofrojnë mundësi për tematika morale, programe që u mundësojnë të administrojnë emocionet e tyre. Këto bëhen në shkollë së bashku me mësuesin, punonjësin social, psikologun dhe prindërit. Kështu krijohen dhe kushte optimale për punën mësimore dhe edukative në shkollë.

 

A ka boshllëqe legjislacioni ynë, pasi mësuesi mbetet i zbuluar tërësisht nga mbrojtja ligjore, kur dihet presioni që ushtrohet mbi të për notë, apo liberalizim të kërkesës së llogarisë, ose të orës së mësimit?

Ne kemi trashëguar shumë elementë të padobishëm dhe frenues për kohën e sotme, siç është dhe presioni për notë. Kjo nuk vjen nga vetë nxënësit, por nga një psikologji e dëmshme që kanë vetë prindërit, të cilët krijojnë të gjitha mundësitë (edhe ato abuzive) që fëmijët të kenë nota të larta, pa kërkuar nivel të njohurive. Këtë ua kërkojnë me presion edhe fëmijëve të tyre dhe ky presion vjen deri tek mësuesi. Por të mos harrojmë se dhe këtu është vetë mësuesi rregullatori. Një mësues korrekt, i disiplinuar, me një zemër të madhe, ku “lodrojnë” të lumtur fëmijët që ai mëson, kurrë nuk i bëhet ky presion. Presioni u bëhet vetëm mësuesve që nuk i kanë këto cilësi. Por më e keqja është kur vetë kolegët ndërhyjnë tek njëri–tjetri (ndoshta edhe në mënyrë abuzive) për të rritur nota si të fëmijëve të tyre ashtu dhe të miqve etj. Sa i përket legjislacionit nuk ka asnjë boshllëk, çdo mësues është njeri dhe çdo njeri është i mbrojtur në të drejtat e tij me konventat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. Po kështu gjithçka është e qartë tek Ligji 69/2012 për Arsimin Parauniversitar dhe në Dispozitat Normative 2014, zbatimi i të cilave shmang çdo problem. Pra, mësuesi nuk është i pambrojtur nga ana ligjore, por ndodh që është i pambrojtur nga vetvetja, kur nuk shton “dozën e dashurisë” për punën, profesionin dhe fëmijët që mëson. Kur nuk harmonizon marrëdhëniet me prindërit, por i dëmton ato, kur nuk e bën orën e mësimit të këndshme, tërheqëse, por e konsideron të pandryshueshme, tabu. Çdo gjë e bërë interesante, tërheq vëmendjen. Duhet të dalim nga kornizat e së shkuarës dhe ta shohim çdo ditë ndryshe nga një ditë tjetër, me të tjera interesa dhe mundësi. Pra, t’i japim jetë dhe gjallëri jo vetëm orës së mësimit, por gjithë sistemit, duke zbatuar strategjinë arsimore për një shkollë komunitare.

 

Ç’po bëhet me statusin e mësuesit, premtuar vite të shkuara nga Dikasteri përkatës, por që akoma mbetet në letër?

Në arsim shumë gjëra janë përmirësuar në mënyrën më të mirë të mundshme. Kthimi i shkollës në një qendër komunitare, futja në punë e mësuesve përmes portalit dhe formimit shkencor sipas pikëve të marra, duke bërë nul emërimet nga drejtuesi i DAR/ZA-ve, janë elementë shumë thelbësorë dhe të përparuar, që ngrenë lart figurën e statusin e mësuesit. Kështu mësuesi është i pacenueshëm. E keqja mund t’i vijë nga performanca e dobët që mund të krijojë vetë përmes punës dhe sjelljes etike në shkollë dhe komunitet.

 Probleme si ato të Shkodrës në Shtëpinë e Fëmijëve, trajtimi i të cilëve ishte shumë i dënueshëm, si e gjykoni ju, në vlerësimin tuaj, dhe si mund të stabilizohet gjendja?

Ky është një problem i madh social dhe profesional, etik dhe moral, psikologjik dhe politik. Është plotësisht i dënueshëm si veprim, jo vetëm në planin moral, por dhe në planin ligjor. Mendoj se është koha që krahas shkollimit, niveleve profesionale të arritura, të shihet me përparësi përkushtimi, cilësitë personale të personalitetit të njeriut që duhet të punojë me fëmijë të tillë. Vendosja e militantëve në vendet ku duhen specialistë është shumë e dëmshme dhe aspak serioze. Kam lexuar diku që thoshte se bota duhet të përdorë njerëz më të mirë për të rritur fëmijët. Kjo është vëmendja që bota u kushton fëmijëve, sepse çdo dëmtim, dhunim, përdhunim që u bëhet sot çdo fëmije, është me pasoja të jashtëzakonshme për të gjithë jetën. Fëmijëve të përdhunuar u krijohet memoria patologjike e ngjarjes dhe në çdo moment që ia kujton, panorama e ngjarjes i shfaqet, duke i krijuar çrregullime emocionale, stres apo depresion të mesëm apo të thellë. Në periudha afatgjata, viktima e përdhunimit vuan nga stresi post-traumatik. Femra mbetet me pasoja për të gjithë jetën, sepse i krijon tjetër ide ndaj mashkullit, duke e konsideruar si një egërsirë dhe për pasojë ndikon dhe në vendimin e saj për martesë. Ky model i organizimit në Shtëpitë e Fëmijëve, më duket se sot rezulton i dështuar. Specialistët duhet të mendojnë forma të tjera efikase dhe bashkëkohore për ta zgjidhur këtë problem sa më parë që të jetë e mundur dhe për t’i mbrojtur këta fëmijë.

 Profesor, sinqerisht më thuaj, çfarë brezi po rritet dhe po edukohet?

Sipas meje, nuk mund të penalizojmë brezin që po rrisim. Luigi Tenco, shkruan: “E dashur mësuese, një ditë na mësove se në këtë botë jemi të gjithë njësoj, por kur hynte në klasë drejtori, na bëje të ngriheshim të gjithë në këmbë e kur hynte pastruesja, nuk na ngrije në këmbë…”. Këtu ne duhet të mësojmë se nga kush po edukohet ky brez dhe jo se çfarë brezi po rrisim. Duhet që ne të jemi korrekt në zbatimin e të drejtave, të jemi korrekt me atë që u mësojmë në të njëjtin standard, jo në të njëjtin rast, të kemi dy standarde, si në rastin e mësipërm. Një fjalë e urtë e popullit thotë: “Malit, si t’i thërrasësh, të përgjigjet.”

SHKARKO APP