Çfarë ka ky takim, që duhet të ndodhë?

Nga Alfred Lela

Trajektorja e politikës së ditës i ka shtyrë larg shefat respektivë të mazhorancës dhe opozitës. Në pamje të parë, ata të dy dhe propagandistët e tyre janë munduar të përkufizojnë si të vërteta shtytëse qasjen e kundërshtarit ndaj dy kryefjalëve të zgjidhjeve dhe zgjedhjeve politike të vitit të fundit.

Për ramistët, Basha nuk e do Reformën në Drejtësi dhe për bashistët, Rama nuk do dekriminalizimin. Harta e shqipërive të tyre i përgënjeshtron aq sa i vërteton. Të dy janë luhatur në lëvizje, kur është dukur se oponenti do të përfitonte kapital politik por edhe pozicionim të favorshëm në llogaritë e së nesërmes.

Takimi i së hënës është, apo duhet të jetë, një pozicionim pro Shqipërisë. Të dy burrat duhet t’ia nisin nga lëshimet. I pari, Rama, duhet të shkompleksohet nga ideja se po ‘i lëshoi’ të vetët, ai do të përplotësojë tezën se ndryshe nga Berisha, ai ‘iu bie mohit’ bashkëpunëtorëve. Po, Juda, e mohoi Jezusin, por edhe Pjetri, gjithashtu. Ngushëllimi vjen nga fakti se asnjëri prej të hamendësuarve apo të shënjestruarve me cene nuk është Jezusi. Ata mund të jenë diku mes Barabës dhe nordit të tij, por jo më shumë se kaq.

Rama duhet t’ia japë Bashës skeptrin e betejës dhe fitores së luftës së dekriminalizimit dhe të marrë në këmbim firmën e opozitës poshtë Reformës në Drejtësi. Pa këtë kompromis, pa këtë njohje të aksionit të kundërshtarit, pa këtë kredit të tjetrit që është fitore e Republikës, nuk mund të ketë paqe nën ullinj.

Anatemuesit e takimit, ata që e fusin të gjithën në kufijtë e lëvizshëm dhe amorfë të kotnisë, e bëjnë për motivet e tyre, të cilat nuk mund të jenë as të Ramës, as të Bashës dhe as të interesit publik. Konfliktualiteti sigurisht gjeneron jetën e vet politike, por e lë socialen në vend. Energjitë e ngrira te përplasja permanente atrofizojnë mundësitë e shoqërisë për të lëvizur në drejtimin e radhës. I cili, mund të mos jetë i duhuri, por të paktën i njëjti nuk është.

Kjo, afërmendsh, kërkon edhe konsiderimin e një Reforme Zgjedhore. A mund të formulohet një paketë e tillë? A mund të mendohet një Pakt Politik bipartizan? A mund të interpretohet nevoja e daljes nga pengimi me anë të një Kontrate Politike e Sociale? Sigurisht që po. Kjo varet se kush takohet të hënën: dy liderë apo dy aktorë të skenës së vjetër?

Idetë janë tonat, rasti është i tyri. Historia, vetëm e atyre që mund ta bëjnë.

SHKARKO APP