Çfarë nuk i thashë dot Ramës në Lezhë

 

Nga Zef Shtjefni

Kisha shkuar për punët e mia dhe në sheshin e ri të qytetit para Bashkisë pashë se po mblidheshin njerëz. Pyeta dhe me treguan se pas pak do të vinte Kryeministri për të ndarë dokumente legalizimesh. Qëndrova, them të vërtetën, për të dëgjuar batutat e Tij të lezetshme dhe nuk u zhgënjeva. Qe një orë shumë e këndshme, me të qeshura që rrallë i dëgjon në këto kohë. Nuk iku askush pa thumbimin e Kryeministrit apo pa ai kthyer atij atë që të gjithë prisnim për të qeshur. Është një aftësi e rrallë kjo e batutave plot humor dhe pa fyer askënd e Kryeministrit tonë. Është dhe një mënyrë fine e të bërit politikë. Por, ngaqë nënës sime nuk i doli emri i legalizimit të shtëpisë në atë ceremoni, nuk pata mundësi t’ia thosha dy fjalë Kryeminisrit. Megjitatë po përfitoj t’ia them këtu me atë stilin e tij.

E para gjë që do t’i thoja është kjo: mos vallë zoti Kryeministër këto dokumentet e legalizimit janë si puna e asaj dardhës që e ka bishtin mbrapa? Nuk është se ti po na i jep sot këto letra dhe pas 6 muajsh do na dërgosh ndonjë faturë e taksash nga pas?! Them pas 6 muajsh, se pas 1 apo 2 vitesh këtë e kam të sigurtë. Na thuaj të lutem, mos e ke me hile tani në prag të fushatës këtë punë? Përgjigjen e marr me mend si do ma jepje dhe nuk po i bëj koment. Do ma kishte gjetur edhe mua një nga ato të çastit, që bëjnë të gajeset sheshi. Por gjithsesi, pas gajasjes ajo shija e hidhur që le në gojë ndonjë ëmbëlsirë e keqe,nuk na e heq dot.

E dyta,do i thoja Kryeministri : mos vallë do na vish edhe t’i ditët e fushatës me gërshërët e Saliut për të inauguruar sheshin e ri të qytetit?! Nëse e ke ndër mend këtë, të them që të mos e bësh. E hëngri një herë Saliu…Ky Tusha jonë i ka shumë më te lehta tajaret se ai e do t’i prishësh punë. Ta them këtë, sepse shumë njerëz këtu e dinë tashmë se bëhen me taksat tona këto punë. Nuk është se nuk u pëlqen bukuria turistike e qytetit. Porsi ta them, këta turistët vetëm 3-4 milionw lek të vjetra në vit na lënë te vendvarrimi i Skënderbeut. Mbase një urë, që qyteti të marrë fryme në verë kur kthehen emigrantët, ishte me emergjente. Jo për gjë, po ata na sjellin vërtetë shumë më tepër para se turistët tash 25 vjet. Dhe tani që kemi hequr gomerët e kuajt dhe jemi bërë me makina, ku do të parkojmë vallë, sepse parkingu iku me sheshin e ri? Pastaj, shih zoti Kryeministër, ajo firma që keni zgjedhur për shtrimin e shesheve nuk do t’ia dijë fare se ka paralizuar gjithë qytetin me punimet që po kryen. Ka shkallmuar njëherazi dhe gjithë rrugët dhe as pyet se pas asaj rruge ka fabrika që punojnë dhe i japin Lezhës dhe Qeverisë suaj qindra herë më shumë se turistët e sheshit, që ka njerëz që banojnë, që aty duhet të kalojë ambulanca, policia, zjarrfikësja, kortezhet mortore etj. Sikur të ishte ajo ura që të thashë më sipër, nuk do të ishte problem, por ja që dhe urën e vjetër të qytetit e kthyem në urë biçikletash për turistët!           

Nuk do të rrija dot pa i thënë Kryeministrit edhe diçka tjetër: ç’ke ore burrë me bizneset, që u bie në qafë ashtu..? Se the që legalizimet vetëm ata i kanë bërë me Qeverinë e Saliut. Në fakt edhe bizneset kanë vuajtur si Krishti me atw Qeveri. Po, nejse, ne e dimë se ky populli i legalizimeve ka në dorë shumë vota. Ama, mos harro se tani edhe emigrantët që i ndërtuan pa leje e pa ligje ato shtëpi, të cilat Ju tani po i bëni të ligjshme, kanë filluar të mos dërgojnë para në vënd. Këto shtëpitë e reja, nëse nuk do të ketë punë, do mbetën të shkreta me pleq e me plaka. Prandaj, të them, ktheni sytë më shumë nga puna, nga ata që ndërtojnë biznese, ndërmarrje, fabrika, ferma etj. Dhe nëse nuk ke mundësi t’i ndihmosh, të paktën thuaje një fjalë të mirë për ta. Edhe Saliu, që hiqej si i djathtë dhe aleat i tyre, ishte bolshevik dhe i rrënoi me ç’mundi. Ndaj po ta them: mjaft më me rritje taksash, me rritje energjie, me rritje burokracie apo me mosprekje të korrupsionit të administratës doganore e tatimore. Nuk më beson? Shko hidhi një sy vetëm QKR-së dhe do të shohësh ç’po bëhet këto ditë..! E ke aty afër.      

Kisha dhe shumë të tjera për t’i thënë Kryeministrit dje në Lezhë. Por kush e di,si përkrahës dhe dashamirës i tij i përhershëm, mbase do të kem ndonjë rast ta takoj e t’ia them.

SHKARKO APP