Çfarë tregojnë këpucët për femrat më të fuqishme në botë

Kryeministrja britanike, Theresa May, ka pasion këpucët balerina me lëkurë kafshe. Letizia e Spanjës ka si stil të vetin sandalet me taka të holla e të gjata dhe ato me lidhje. Ndërsa dukesha e Kembrixhit vesh këpucë të hapura me taka, ngjyrë “mishi”

Ish-gruaja e diktatorit filipinas Ferdinand Marcos, Imelda Marcos, ka bërë shumë bujë për koleksionin e saj të këpucëve, ndërsa vendi ishte katandisur thuajse në skamje. Ajo kishte mbi 2700 palë këpucë dhe kur u arratis në azil më 1986-n, gardëroba e saj përfundoi në Muzeun Kombëtar të Manilës. Por në ditët e sotme moda ka ndryshuar dhe të tjera Imelda Marcos kanë dalë në skenë. Popstari Mariah Carey, p.sh., shpesh poston në “Instagram” foto të dhomës së saj të veshjes me tre mijë palë këpucë me forma dhe ngjyra të ndryshme. Ajo është e famshme dhe ekzagjerime të tilla bëjnë pjesë në jetën e saj prej dive.

Por edhe gratë me pushtet i adhurojnë takat, sandalet dhe balerinat. Nga Kate Middleton, që i ka shumë qejf këpucët e hapura ngjyrë “mishi” te Melania Trump, e pakapshme me takat e saj 12 cm, deri te Theresa May, Kryeministrja britanike me një pasion për këpucët balerina me lëkurë kafshe.

Gjatë vizitës së saj të fundit në Paris, Theresa May është prezantuar me një palë pantallona ngjyrë gri dhe me një palë këpucë balerine me lëkurë kafshe ngjyrë rozë. May nuk e ka mohuar kurrë: ka një pasion të shfrenuar për këpucët. Ajo nuk e ka qejf takën e gjatë dhe të hollë, por atë të shkurtrën. Gjatë një interviste të dhënë, Kryeministrja britanike është shprehur se kur gazetat e kritikojnë, stimulin e vetëm që i japin është dëshira për të blerë një palë këpucë të tjera.

Ndërsa mbretëresha Letizia e Spanjës ka një pasion për sandale me taka të holla dhe të gjata, si dhe ato me lidhje. Pëlqen modelet ekstreme, ato rok dhe i vesh me kënaqësi. Si ngjyrë të preferuar ka rozën dhe ka shumë gusto në veshjen e tyre. Më 2016-n, me rastin e një darke bamirësie, mbretëresha Letizia veshi një palë sandale rozë stil “gladiatori” dhe që dukej shumë seksi.

Kate Middleton zgjedh në përgjithësi sandale në ngjyrë “mishi”. Ajo thjesht ndërron markën e tyre, nga Brian Atwood, te Jimmy Choo apo Stuart Weitzman. As Melania Trump nuk gabon në zgjedhjen e saj, këpucë dekolte ngjyrë “mishi” dhe me një takë të lartë deri 12 cm. Nga ana tjetër, këto lloj këpuce u përshtaten të gjithëve dhe të japin përshtypjen e këmbëve të gjata, duke të treguar elegante dhe shik.

SHKARKO APP