Çfarë tregon sot kjo që po quhet çështje e Himarës?

Nga Spartak Ngjela

Si tregues kryesor për këtë do të jetë qëndrimi i qeverisë shqiptare. A do të qëndrojë qeveria aktuale shqiptare dhe t’i tregojë vendin arkaizmit antishqiptar grek?

Nëse e bën këtë, tregon se është me shqiptarët.

Të gjitha qeveritë e Tiranës deri tani nuk kanë qenë me shqiptarët dhe me interesin shqiptar, kur ka rënë rasti për të drejtat e shqiptarëvë në vendet fqinje që kanë pushtuar territore shqiptare.

Po pse goditet Himara nga politika greke?

l.

Arsyeja e parë është se Himarën reaksioni grek ka njëqind e pesëdhjetë vjet që e ka ide fikse. Sepse Himara në Jug ashtu sikurse Mirdita në Veri të Shqipërisë, kanë qenë dy qendrat shqiptare autonome kundrejt pushtimit osman. Dhe mos mendoni se nuk kanë dhe lidhje fisnore bashkë: shihni mbiemrat himariotë.

Po, Himara, që në thelb ështe labëri, është simbol në Jugun shqiptar kundër pushtimit grek të territoreve shqiptare; njëlloj si zona e Korçës. Dhe kjo e tmerron reaksionin grek, sepse është pjesë e ortodoksisë shqiptare që ka mbështetur Rilindjen Kombëtare dhe nacionalizmin shqiptar.

Të gjitha këto, i heqin kartën politikës mizerabël greke që ka 150 vjet që çirret duke thënë: “shqiptarët janë turq”.
Le t’i bien këmbës: feja nuk ka lidhje me etninë.

Ku ka turq në Shqipëri, zotërinj! Shqiptarët sot janë autoktonët kryesorë të Ballkanit Perëndimor. Edhe në Greqinë e sotme, arvanitasit janë autoktonë; shumica tjetër, mbi 60 përqind të grekëfolësve kanë ardhur nga Anadolli.
Gjuha shqipe shumë shpejt do të jetë gjuhë gjithëkombëtare në Ballkanin Perëndimor.

ll.

Arsyeja e dytë është fakti i rëndë për shovinizmin grek: ka filluar dhe do vazhdojë me forcë të ngrihet ndërkombëtarisht çështja e Çamërisë.

Në këtë kohë ka ardhur çasti që fuqitë e mëdha të riparojnë dëmet e rënda që iu kanë shkaktuar padrejtësisht shqiptrëve dhe Shqipërisë në një shekull e gjysmë.

Politika amerikane po e bën këtë, edhe politika gjermane gjithashtu.

Tani që u mbyll çështja kosovare dhe pavarësia e Kosovës, patjetër që shpejt do të fillojë ndërkombëtarisht çështja e Çamërisë.

Për vetë politikën perëndimore aneksimi i Çamërisë dhe genocidi antishqiptar grek kundër çamëve shqiptarë të lashtë aty, është një padrejtësi e madhe historike.

Të ardhurit nga Anadolli kanë shpërngulur me dhunë dhe kanë vrarë autoktonët e lashtë historikë. Kjo është paradigma historike që po dominon në këtë kohë e cila po flet shqip në Ballkan, për realizimin aktiv të të drejtave të shqiptarëve si bashkim kombëtar.

Bashkimi kombëtar i shqiptarëve sot është pashmangësi historike. Kjo po shqetëson pushtuesit historikë të territoreve shqiptare në Ballkan.

lll.

Tani, vetë politika amerikane dhe ajo gjermane e kanë të qartë, që shqiptarët e gjymtuar padrejtësisht janë të vetmit aleatët natyrorë të tyre në këtë zonë. Por kjo në fakt ka qenë edhe politika austrogjermane e fillimit të Shekullit të XX.
Aleanca shqiptaro – amerikane e ka rigjallëruar këtë politikë. Kjo është arsyeja kryesore që çështja shqiptare sot është në vendin që meriton.

Askush nuk mund ta ndalojë dot më progresin e çështjes shqiptare në Ballkan. Gënjeshtrës historike antishqiptare i ka ardhur fundi.

Qeveria shqiptare sot duhet të qëndrojë në Himarë për të treguar se çështja e Himarës është dëshpërimi grek kundrejt historisë së re të shqiptarëve të bashkuar.

Çdo lëshim është antishqiptarizëm…

SHKARKO APP