Çfarë u tha Papa prostitutave, ku 4 ishin shqiptare?

Papa Françesku është takuar këtë fundjavë me 20 ish-punëtore seksi, 4 prej tyre janë shtetase shqiptare.

Ka qenë një surprizë e vërtetë takimi i tij me 20 ish-prostitutat, të cilat janë sot pjesë e një projekti rikuperimi pranë strukturës romane fetare Komuniteti i Papa Giovanni XXIII.

20 vajzat kanë mundur të shpëtojnë nga rrjeti i prostitucionit e shfrytëzimi i tyre nga organizatat kriminale që veprojnë në territorin italian.

Ish-punëtoret seksi që u takuan me Papën janë të gjitha në një moshë mjaft të re deri 30 vjeç, 6 prej tyre vijnë nga Rumania, 4 nga Shqipëria, 7 nga Nigeria e 3 të tjerat nga Italia, Ukraina e Tunizia.

Sipas të dhënave të Komunitetit të Papa Giovanni i XXIII, aktualisht në Itali gjënden nga  75.000  deri 120.000 gra e vajza viktima të prostitucionit, 65% janë minorene. Prejardhja e tyre është shumica nga Nigeria (36%), Rumania (22%), Shqipëria (10,5%), Bullgaria (9%), Moldavia (7%).

Gjatë meshës së të dielës Papa Françesku u ka dedikuar lutjen e tij grave e vajzave të dhunuara. Para mijërave besimtarëve në sheshin Shën Pietro, Ati i Shenjtë u shpreh:

“Të mendojmë në veçanti, për ato gra të mposhtura nga pesha e jetës dhe nga drama e dhunës, për ato gra skllave të prepotencës së të pushtetshmëve, për ato vajza të detyruara të bëjnë punë çnjerëzore, për ato femra të shtrënguara t’i dorëzohen korp e shpirt lakmisë së burrave. Sa më shpejt, ardhtë për to fillimi i një jete në paqe, në drejtësi, në dashuri, në pritje të ditës, në të cilën, më në fund, do të ndjehen të mbajtura nga duar, që nuk i poshtërojnë, por me ëmbëlsi, i ngrenë dhe i udhëheqin drejt udhës së jetës deri në qiell… E t’i lutemi Zotit që Ai vetë t’i mbajë në duart e Tij në udhën e jetës e, t’i çlirojë nga këto skllavëri”.

SHKARKO APP